Beteja e Ramës deri në Strasburg – çka përmban rezoluta e miratuar kundër raportit të Dick Martyt? - NACIONALE

Beteja e Ramës deri në Strasburg – çka përmban rezoluta e miratuar kundër raportit të Dick Martyt?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Me 125 vota për dhe asnjë kundër, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ia dhanë mbrëmë dritën jeshile rezolutës e cila kundërshton raportin e Dick Martyt. Gjithë seanca u shoqërua me përplasje të ashpra, por që në fund pozita dhe opozita e Shqipërisë votuan pro. Cila është përmbajtje e kësaj rezolute?

Gazeta Nacionale kishte raportuar ditë më parë se beteja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Thaçin dhe të tjerët që janë arrestuar nga Gjykata Speciale, ka nisur. Kjo pasi partia e tij, kishte propozuar një projekt-rezolutë mbi pabazurshmërinë e raportit të Dick Martyt.

Në një nga pikat kryesore të kësaj rezolute, konstatohet se asnjëherë nuk kanë arritur të vërtetohen pretendimet e Dick Martyt. Andaj, Kuvendi i Shqipërisë ka kërkuar që Këshilli i Evropës ta bëj një raport vijues në lidhje me këtë çështje.

E këtë rezolutë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është zotuar se do ta vazhdojë deri në Straburg. Gjithë kjo iniciativë, erdhi pas vizitës së Ramës në Hagë te ish-presidenti Thaçi dhe familja e tij në Burojë të Skënderajt.

“Konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare”, thuhet në rezolutën e Partisë Socialiste në Shqipëri, e cila u miratua mbrëmë.

Në mesin e pikave krejt në fund të rezolutës, Kuvendi i Shqipërisë lavdëron qasjen e Kosovës, e cila vendosi ta krijojë Gjykatën Speciale si përgjigje ndaj akuzave për trafikim me organe.

“[Kuvendi i Shqipërisë]I bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (folloë up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.”, thuhet në Projekt-Rezolutën që e ka parë Nacionale.

Në një nga pikat e rezolutës, kërkohet që Qeveria e Shqipërisë të jetë e angazhuar në lidhje me ndihmën për krimet në ish-Jugosllavi.

“Kuvendi i kërkon Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale, brenda juridiskionit të saj”, thuhet më tutje në rezolutë.

Përkrahje kësaj rezolute i dhanë të gjitha partitë në Kuvendin e Shqipërisë.

Debati i ashpër

Përplasje të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë u zhvilluan në lidhje me këtë rezolutë. Në fakt, rezoluta ishte vetëm nisje e debatit, ku pastaj Edi Rama e Sali Berisha u përplasën ashpër për shumëçka në të kaluarën.

“Përpara se të kuturisemi ne në 2022 për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores, duhet dakordësia e aleatëve tanë. Zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e PD-së. Dick Martyt ia keni hapur rrugën ju. Hajdeni dhe tregoni çka mendoni për Hashim Thaçin, është mirë atje në burg. Thikat që ia keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar Thaçin, si terrorist si marksist-leninist deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks. Historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj, jeni thika në shpinën e Kosovës”, tha Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

Edi Rama e akuzoi Sali Berishën se e ka furnizuar me naftë Serbinë e Millosheviqit. E akuzoi gjithashtu se ia ka futur thikën Hashim Thaçit.

“Dërgoi tash naftë Millosheviqit atje. E bëje Hashim Thaçin terrorist atje. Dil nga ana e tjetër. Futu andej e ktheje Shqipërinë në pronë private, dhe vjen historia përpara e thotë prit more vëlla, o bajraktar. Çfarë krenarie keni për luftën nëse s’keni kurajo ta respektoni komandantin e UÇK-së. Në rrethin e 9 të ferrit po të jetë Thaci, duhet të ngriheni në këmbë kur i përmendet emri”, tha Edi Rama.

Pas kësaj, pa radhë, fjalën e mori kryetari i PD-së, Sali Berisha. E ai, e akuzoi Ramën që e ka dërguar Thaçin në Hagë. Madje, e përmendi edhe emrin e Baton Haxhiut.

“Sa i përket arrestimit të Hashim Thaçit, dua t’ju them sot të vërtetën. Në proces të arrestimit të Thaçit qëlloi një trinom, Kremlin, Beograd dhe Tiranë. Ky e mori dhe e futi Thaçin në spiralen e ndryshimit të kufijve në Ballkan” – ka thënë Berisha.

Pastaj Berisha vazhdoi me akuza ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se ky i fundit gjatë luftës së Kosovës, shiste ikona të vjedhura dhe spiunonte në Paris.

“Kur djemtë e Kosovës flijonin jetën dhe derdhnin gjakun, kur Adem Jashari shndërroi Prekazin në Krujë të vërtetë, parafolësi (Edi Rama) shiste ikonat e vjedhura dhe spiunonte emigrantë në Paris. Shiste ikona të vjedhura, edhe një herë këtë e ka thënë Fatos Nano, është deklaratë e Fatos Nanos” – ka thënë Berisha.

“Unë do të diskutoj më vonë për të gjithë të vërtetat e raportit të Dick Martyt. Çdo gjë është me dokumente. Por ky që ndërtohet tash si patriot, bashkë me Baton Haxhiun, janë promotorët e arrestimit të Hashim Thaçit” – thotë Berisha.

Lajme të ngjashme