Dita e takimeve: Lajçaku e kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut e vizitojnë sot Kosovën
I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot do të vizitojë Kosovën, si përpjekje për shtensionim të situatës në veri të vendit. Përveç Lajçakut në Kosovë për vizitë sot po qëndrojnë edhe kryeministri i Holandës dhe kryeministri i Luksemburgut. Këto vizita po bëhen në kohën kur situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar.
I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai pritet të takohet me udhëheqësit e vendit.
Sipas njoftimeve, në ora 15:00, Lajçak do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
“Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajčák.” – thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Ndërkaq, deri më tani nuk dihet në sa ora do të mbahet takimi mes Kurtit dhe Lajçakut.
"Situata mbetet e brishtë"
Vizita e Lajçaku është e dyta brenda një muaji, ku në fillim të muajit ishte bashkë me emisarin amerikan, Gabriel Esobar në Kosovë.
Ndërkohë, Lajçak, të dielën në Facebook, shprehu keqardhjen për faktin se tensionet vazhdojnë të vazhdojnë, pavarësisht përpjekjeve për të zgjidhur situatën në mënyrë paqësore.
Ai shkroi se situata mbetet e brishtë.
"Kalova dy ditët e fundit në Bruksel, ku ekipi im dhe unë kemi punuar ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të koordinuar hapat tanë të ardhshëm në adresimin e krizës së vazhdueshme në veri të Kosovës. Fatkeqësisht, pavarësisht nga ekzistenca e hapave të qartë për të ulur me sukses tensionet, situata mbetet e brishtë".
"I gëzuar për interesimin e anëtarëve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian 🇪🇺, të cilët më ftuan së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të DG-NEAR Gert Jan Koopman për një diskutim të përbashkët rreth situatës, zhvillimeve të fundit në Dialog dhe përpjekjet tona për të ulur tensionet në terren në veri të Kosovës," - shkroi Lajçak.
Vizita tjetër
Gjithashtu, në Kosovë sot do të qëndrojnë për vizitë edhe kryeministrat e Beneluxit, Mark Rutte, kryeministër i Holandës dhe Xavier Bettel, kryeministër i Luksemburgut.
Kryeministri, Albin Kurti i ka pritur ata në Aeroportin e Prishtinës.
Kurti takimin me ta do ta mbajë në ora 09:20, ndërsa në ora 10:05 do të këtë konferencë të përbashkët për media.
Me kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut do të takohet edhe presidentja Vjosa Osmani me fililm nga ora 08:30.
Dy kryeministrat vijnë në Kosovë pas vizitës që patën në Serbi.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, deklaroi në Beograd se “tensionet në rritje mes Serbisë dhe Kosovës na kanë shqetësuar. Dhuna ndaj civilëve, pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve është shqetësuese.”
Kujtojmë se Këshilli Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Këto masa nga kryeministri, Albin Kurti janë cilësuar si masa të padrejta dhe të përkohshme.
Aktualisht situata në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë por e tensionuar teksa kërkesat e ndërkombëtarëve po shtohen që Kosova të marrë hapa drejt shtensionimit të kësaj situata.
Mbetet të shihet se çdo të prodhojnë këto vizita për situatën në veri.





