“Ndaleni marrëzitë”: Pse fjalimi i Clintonit për veriun e Kosovës është i rëndësishëm?
Bill Clinton, ish-president i 42 i ShBA-së, ka qëndruar sot në Tiranë të Shqipërisë, ku ka mbajtur një fjalim, i cili kishte përbrenda edhe mesazhe ndaj Kosovës. Nga kryeyqteti shqiptar, Clinton komentoi situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke theksuar se në shtetin kosovar po ndodhin gjëra “që s’do të donte të kishin ndodhur kurrë”. “Ndaleni marrëzinë” – ishte mesazhi i qartë i ish-presidentit amerikan. Pse është i rëndësishëm ky fjalim?
Që në krye të herës duhet theksuar një gjë: Bill Clinton nuk është vetëm një ish-president amerikan. Ai është më shumë se një ish-president amerikan. Pra fjalimi, përveç rëndësisë së përmbajtjes, ka edhe vlerë simbolike për shkak të personalitetit që e mbajti fjalimin. Në mbamendjen historike të shqiptarëve, posaçërisht të gjeneratës së luftës, Clinton është emri i përveçëm që ndihmoi në çlirimin e Kosovës. Në fakt, Clinton, gjërësisht, vlerësohet si babai i çlirimit të Kosovës, pasi autorizoi bombardimet e NATO-së kundër ish-Jugosllavisë.

Së dyti, Kosova e tanishme është edhe trashëgimi e Administratës Clinton. Për shumë njerëz, Clinton është hisedari kryesor i Kosovës së çliruar dhe të pavarur. Ish-presidenti amerikan është pa dyshim amerikani më i njohur dhe me i dashur i ShBA-së në Kosovë. Së bashku me Medeline Albright, Clinton mbetet një nga figurat më të adhurueshme në Kosovë dhe konsiderohet si “shpëtimari i Kosovës”. Emrat Klinton që u vendosen të rinjve kosovarë, disa prej të cilëve u panë sot në Tiranë, janë një lloj mirënjohje për ish-presidentin amerikan dhe një shpërfaqje e përceptimit “të hyjnëzuar” të Clintonit nga ana e qytetarëve të Kosovës.
Së treti, aktualisht administrata në ShBA udhëhiqet nga Partia Demokratike, të cilës i përket edhe vetë Clinton. Për më shumë, shumë emra të Administratës së Joe Biden, president i tanishëm i ShBA-së, janë në një formë të lidhur me Clintonin. P.sh. sekretari aktual i ShBA-së, Antony Blinken, të cilin Kurti e kishte quajtur “naiv”, ka qenë dikur bashkëpunëtor i Clintonit. Por edhe Christopher Hill, ambasador i ShBA-së në Serbi, është një nga emrat më të njohur të diplomacisë amerikane, ylli i të cilit u ngrit gjatë kohës së viteve 90-ta, kur në pushtet ishte Clinton.
Por edhe marrëdhënia mes Clintonit dhe Biden është jashtëzakonisht e afërt, teksa së fundmi Clinton qëndroi në Shtëpinë e Bardhë që tash udhëhiqet nga demokrati Biden.
Por çfarë tha Clinton në Shqipëri?
Ish-presidenti i ShBA-së, pra Bill Clinton, ka mbajtur një fjalim në Tiranë, ku u nderuar me medaljen e “Yllit të Mirënjohjes”, që iu nda nga ana e Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë. Në fjalimin e tij të gjatë, Clinton përmendi edhe çështjen e katër komunave në veri të Kosovës, duke theksuar se po ndodhin gjëra që do të donte të mos ndodhnin kurrë.
Madje, në fjalimin e tij, ish-presidenti amerikan që autorizoi bombardimet ndaj Jugosallvisë, të cilat sollën çlirimin e Kosovës, theksoi se marrëzia duhet të ndalet. Në fjalën e tij para mijëra shqiptarëve në Tiranë, Clinton vlerësoi se shqiptarët i krijuan "katër qytezat" në të mirë të serbëve.
"Ne duhet të diskutojmë për gjërat. Ka një mosmarrëveshje që po ndodh në Kosovë që do të doja të mos të kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im, por i kosovarëve. Ato katër qyteza u krijuan në të mirë të serbëve për t’u dhënë katër bashkiakë më tepër...Por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është të ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe mund të avancohet duke pasur tensione? Ka njerëz që jetojnë aty, kanë nevojë të kenë një qeverisje të denjë dhe qytetarët duhet të votojnë”.” – deklaroi ai.

