Pasi ‘goditi’ ShBA’në se po e shkelte strategjinë e vet kombëtare, Zulfaj i ‘mëshon’ edhe strategjisë së BE-së me Lajçakun
Pas kritikave të ashpra që i bëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës se po shkelnin “vetë Strategjinë e tyre Kombëtare”, Këshilltari i Kryeministri të Kosovës, Jeton Zulfaj, tash është ndalur ca edhe te Ndërmjetësi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në një kohë izolimi thuajse të krejtësishëm ndërkombëtar, ku komunikimet e vetme i kanë për çështje të shtensionimin në veri dhe dialogut me Serbinë, Zulfaj godet edhe kontaktin e vetëm – fascilituesin e këtij dialogu.
Duke pandehur se po analizon një pjesëz të intervistës së Miroslav Lajçakut, Zulfaj shtjellon një mes aspak të artë të ndërmjetësit. Kjo, referuar “të qënit në mes” të palëve, që është boshti i pozicionit të tij.
“(Miroslav Lajçak) beson se roli i tij është të jetë në mes. Në mes pavarësisht vlerave. Në mes të demokracisë dhe autokracisë. Në mes të së drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet, të cilin Serbia nuk e njeh dhe kërkesës së Serbisë për një Republika Srpska në Kosovë”, ka shkruar Zulfaj në Twitter.
Zulfaj, këto ia faturon Lajçakut, pavarësisht se BE dhe ShBA janë rreptësisht kundër një entiteti çfarë është ajo në Bosnje-Hercegovinë.
Por, jo vetëm kaq. Javë më parë ai do t’i mëshonte edhe vetë shtetit më të fuqishëm në botë, në atë se qëndrimet e saj janë në shpërputhje me vetë Strategjinë e tyre Kombëtare. Si?
Zulfaj, pretendonte që përmes paraqitjes së një kronologjie të qëndrimeve (të selektuara në favor të argumentit të tij) të QUINT’it për zgjedhjet në veri të shpërfaqë “kundërthënie” te ta. Ta lexojmë këtë zotësi analitike të Zulfajt...
“Në çdo hap, ishte e qartë se serbët e Kosovës në pjesën veriore të vendit po e bojkotonin zgjedhjet për shkak presionit nga Serbia. Procesi u mbështet, rezultatët u njohën, por kur erdhi koha që kryetarët e rinj të zgjedhur të nisnin punën, QUINT’i tërheqi mbështetjen. Pse?”, shkroi ai.
Në rend të parë, Zulfaj paraqet një renditje të selektuar qëndrimesh, por nuk tregon për komunikatën e QUINT’it që të mos hyhet me forcë në objektet zyrtare komunale “të cilat mund të mos jenë të qasshme” dhe ku kryetarët “mund të mos jenë të dëshiruar”, kësisoji duke e fshehur komunikatën dhe qëndrimet e ShBA’së – krejt kjo, sigurisht, për të paraqitur një të vërtetë të pjesshme dhe të përdredhuar për hir të argumentit të tij.
Por, Zulfaj, i cili kishte qenë këshilltar edhe i Fatmir Limaj, në të kaluarën, nuk ndalet me kaq. Ai lëshohej në vlerësime madje edhe për ShBA’në, shtetit më të fuqishëm në botë. Po punojnë kundër vetë interesave të tyre, shkruante ai, duke provuar të bëjë konstatim si dy plus që dy bëjnë katër.
“Është e qartë se përgjigja shtrihet në politikën e njëjtë (e të kahershme) ndaj autokratëve – marrja me të mirë. Gjithashtu është e qartë se kjo është kundër Strategjisë Kombëtare për Sigurisë të ShBA’së”, shkruan ai, teksa vazhdon të cilojë një fragmet nga ajo Strategji, thuase e tërë strategjia amerikane është e formuluar në as 100 fjalë.
"Ne do të punojmë për të forcuar demokracinë në mbarë botën para se qeverisja demokratike tejkalon vazhdimisht autoritarizmin në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, çon në shoqëri më të begata dhe elastike dhe krijon partnerë më të fortë dhe më të besueshëm ekonomikë dhe të sigurisë për ShBA’në”, citon Zulfaj.
"Demokracitë dhe autokracitë janë të angazhuara në një garë për të treguar se cili sistem qeverisjeje mund të ofrojë më së miri për njerëzit e tyre dhe botën. Strategjia e Shteteve të Bashkuara për Kundër Korrupsionit njeh kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për sigurinë tonë kombëtare", vazhdon të citojë ai.