Së paku 47 të vrarë e dhjetëra të rrëmbyer gjatë sulmit të një bande në Haiti
Të paktën 47 njerëz u vranë dhe mbi 50 të tjerë u rrëmbyen, kur disa burra të armatosur sulmuan një komunitet afër kryeqytetit të Haitit në fundjavë, thanë Kombet e Bashkuara.
Një udhëheqës i bandës ka kërcënuar se do t’i vrasë pengjet, nëse autoritetet vrasin ndonjë pjesëtar të bandës, kur ato po mundohen që ta sigurojnë komunitetin Kenscoff, i cili ndodhet në kodrat mbi kryeqytetin Port-au-Prince, raporton gazeta “The Guardian”.
Në një video të publikuar në rrjete sociale, udhëheqësi i bandës e paralajmëroi drejtorin e policisë, Vladimir Paraison, që të mos përdorë dronë për t’i sprapsur bandat në zonë. “Paraison, nëse ndonjëri nga ushtarët tanë lëndohet, unë do t’i vrasë të gjithë” – tha ai, duke iu referuar pengjeve.
Ai e identifikoi veten si Izo 2, referencë për Izon ose Johnson Andre, njëri nga anëtarët më të fuqishëm të bandave në Haiti.
Ky sulm mund të jetë shfaqje e forcës dhe porosi për qeverinë dhe policinë e vendit, kur shteti po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme më 13 dhjetor, të parat në më shumë se një dekadë.
Sipas zyrës së integruar të OKB-së në Haiti, e njohur si BINUH, të paktën pesë nga 47 të vrarët ishin fëmijë. Kryetari i Kenscoff-it, Jean MAssillon, tha se dy punonjës qeveritarë ishin në mesin e të vrarëve.
Ai tha se pjesëtarë të koalicionit të fuqishëm të bandave, Viv Ansanm, që ShBA-ja e ka cilësuar si organizatë të huaj terroriste, gjithashtu u vunë flakën 25 shtëpive.