Gjykata evropiane e urdhëron Turqinë ta lirojë aktivistin Osman Kavala
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) e ka urdhëruar Turqinë që menjëherë ta lirojë aktivistin dhe filantropin Osman Kavala, i cili është duke u mbajtur në burg për gati një dekadë.
Në vitin 2022, Kavala u dënua me burgim të përjetshëm nën akuza të lidhura me protestat gjithëkombëtare të vitit 2013 dhe tentativën e dështuar për puç tre vjet më vonë, raporton televizioni BBC.
Që nga koha e arrestimit dhe ndalimit fillestar më 2017, grupet për të drejtat e njeriut dhe vetë Kavalaja thonë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.
ECHR-ja të martën vendosi se mbajtja e vazhdueshme e tij në ndalim është e paligjshme dhe janë shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë, liri të shprehjes dhe asocimit.
Mbrojtësit e të drejtave dhe grupet opozitare në Turqi thonë se qeveria e presidentit Rexhep Erdogan gjithnjë e më shumë e ka përdorur sistemin e drejtësisë si armë për t’i vënë në shënjestër kritikët dhe rivalët.
Gjykata tha se rasti i Kavalasë ka shpërfaqur një “problem sistematik” në Turqi për “ndalimin dhe ndjekjen penale të kundërshtarëve politikë, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve”.
Qeveria turke këmbëngul se gjykatat e vendit janë të pavarura.