OKB-ja dhe Kryqi i Kuq bëjnë thirrje për rregulla urgjente për armët autonome - NACIONALE

OKB-ja dhe Kryqi i Kuq bëjnë thirrje për rregulla urgjente për armët autonome

2 orë më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe kryetarja e Kryqit të Kuq të martën paralajmëruan se armët autonome, të cilat mund të vrasin njerëz pa përfshirjen e njerëzve në operimin e tyre, së shpejti mund të përdoren në konflikte dhe bënë thirrje për bisedime urgjente për ta kufizuar përdorimin e tyre.

“Ne tani jemi në masë të rrezikshme afër kapërcimit të një vije të kuqe morale: shënjestrimi autonom i njerëzve nga makinat” – tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një deklaratë të përbashkët me kryetaren e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Bisedimet duhet të fillojnë tani për të miratuar urgjentisht një instrument ligjërisht të detyrueshëm për t’i rregulluar sistemet autonome të armëve me ndalime dhe kufizime të qarta” – thanë ata.

Shtetet do të takohen në Gjenevë javën e ardhshme për të diskutuar rregulla të reja të mundshme në kohën e shtimit të shqetësimeve për rolin e armëve gjysmautonome me asistencë nga inteligjenca artificiale, që janë përdorur në konfliktet në Ukrainë, Suda, Gazë, Iran dhe në Gjirin Persik.

Në këto diskutime, të cilat kanë filluar në vitin 2014, është shënuar ca përparim, por edhe teknologjia ka avancuar.

Armët plotësisht autonome tashmë janë në përdorim nga disa ushtri, si sistemet kundërraketore në luftanije, por tani për tani nuk dihet se janë përdorur kundër caqeve njerëzore.

Grupet për të drejtat e njeriut gjithashtu brengosen se sistemet e drejtuara nga inteligjenca artificiale nuk mund të parashikohen ose të kontrollohen si duhet, duke e shtuar rrezikun për gabime fatale si dështimi për të njohur një ushtar të lënduar apo që është dorëzuar.

Lajme të ngjashme