Bastoret janë shpallur të paligjshme, por bastet po vazhdojnë: Qysh po ndodh kjo? - NACIONALE

Bastoret janë shpallur të paligjshme, por bastet po vazhdojnë: Qysh po ndodh kjo?

3 vjet më parë

nga Besarta Kalaja

Me propozim të qeverisë Haradinaj, me 28 mars të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar vendimin për mbylljen e lojërave të fatit. 5 vite më pas, këto veprimtari kanë vazhduar aktivitetet e tyre përmes rrugëve të ndryshme ilegale. E duket se një nga mënyrat më të lehta për ta bërë një gjë të tillë është zhvillimi i aktiviteve ‘online’. Si po ndodh kjo?

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar disa vite që kur lojërat e fatit janë pezulluar për një periudhë 10-vjeçare, shumë biznese përmes platformave online kanë vazhduar të fitojnë para.

Sh.G. i ka thënë Nacionales se vendosja e basteve sot mund të bëhet përmes platformave online. Ai ka treguar se tiketën e bastit të luajtur, ndonëse nuk mund ta sigurosh fizikisht, ajo mund të fotografohet.

“Me luajt bast sot është e thjesht, kjo bëhet përmes platformave online. Tiketën nuk e merr vetëm e siguron si foto” – tha ai.

Përveç basteve ilegale, Policia e Kosovës, kishte mjaft punë edhe me organizimin ilegal të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Para dy javëve një aksion i tillë ndodhi në qytetin e Ferizajt, ku sipas njoftimit të Policisë, me të shkuar në vendin e ngjarjes aty gjetën 13 persona duke luajtur bixhoz, ku edhe sekuestruan para e pajisje.

Nacionale ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, për të marrë vesh, numrin e saktë të aksioneve policore në lidhje me këtë veprimtari ilegale, si dhe aksionet policore, gjatë vitit të fundit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigjje.

Megjithatë në mesin e shumë lojërave të fatit që zhvilloheshin legalisht në Kosovë, më të përhapurat ishin bastoret, të cilat u ndaluan me ligj.

E vendimi për mbylljen e tyre nuk i ndaloi as shumë nga këto biznese që të vazhdojnë aktivitetet e tyre.

Por, a duhet një gjë e tillë të rregullohet me ligj? Cilat janë kushtet dhe format që duhen plotësuar që kjo veprimtari që tashmë po zhvillohet pa ligj, të marrë formë të rregullt?

Për këtë Nacionale ka pyetur avokatin Florim Shefqeti, i cili ka thënë se çështja e lojërave të fatit duhet të rregullohet me ligj, por gjithmonë duke pasur parasysh edhe disa faktorë social.

“Konsideroj që kjo çështje duhet të rregullohet me Ligj dhe paraprakisht duhet të analizohen faktorët e ndryshëm siç faktorët socialë dhe që të ketë kujdes në pjesën e mënyrës së ushtrimit të këtyre veprimtarive.” – tha ai.

I pyetur nëse do të lejohen lojërat e fatit me ligj, cilat janë dispozitat ligjore që duhen rregulluar, dhe kushtetet që duhen plotësuar, avokati Shefqeti tha se lejimi i tyre do të duhej të shoqërohej me kontrolle rigoroze, sidomos në caktimin e vendeve se ku do të ndodhëshin objektet e tyre.

“Nëse qeveria vendos të lejoj këto aktivitete, me ligj, do të duhej të përcaktoheshin kritere të detyrueshme dhe kontrolle rigoroze, shtuar faktin e caktimit të vendeve dhe largësisë në raport me shkolla, institucione edukative dhe pjesëve për disponim për aktivitete retroaktive. Vlerësojmë që masat ndëshkuese dhe ndalesat e frekuentimit të të miturve do të duhej të ishin të zbatueshme dhe të aplikueshme në mënyrë strikte.” – pohoi ai.

Reagimet:

Ditë më parë analisti dhe gazetari Valon Syla bëri thirrje që të lejohen lojërat e fatit, pasi sipas tij, këto aktivitete edhe pse në mënyra ilegale, vazhdojnë të funksionojnë duke iu shmangur tatimeve.

“Qelni more bastoret. Edhe ashtu krejt po lujnë, por asgje spo tatimohet. Krejt online, ose disa edhe dalin jashtë kufijve në Maqedoni e tjetër kah. Vetëm e mira kish me qene mos me leju, bastore 500 metra radius afer shkollave fillore dhe të mesme. Tjetër kah, shlirë.” – kishte thënë Syla.

Edhe gazetari Parim Olluri, ishte paraqitur “pro” ri-hapjes së bastoreve dhe kazionove, duke e arsyetuar këtë me një rritje të mundshme të buxhetit të shtetit.

“Është dashtë tek plani ekonomik rikthimi i kazinove dhe bastoreve. Mendoj që një vend që nuk arrin me e rrit buxhetin, atëherë duhet të merren vendime radikale që e shtojnë buxhetin e Kosovës,” - kishte thënë Olluri.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit në të gjithë territorin e Kosovës kishte ardhur pas raportimeve për disa incidente në kazino të ndryshme të cilat kishin rezultuar edhe me persona të vrarë.

Derisa para asaj kohe, Kosova “lulëzonte” nga numri i madh i lojërave të ndryshme të fatit. Që nga ajo kohë Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetëra persona e mbyllur qindra lokale që zhvillonin aktivitete të tilla nëpër hapësira të ndryshme.

Edhe pse sot nuk mund të gjesh lokale plotë me klientë duke vendosur baste derisa shikojnë ndeshje futbolli dhe sporte të tjera në televizorë, ato mund të vendosen ende.

Lojërat e fatit tani janë të paligjshme në Kosovë, pas zbatimit të Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit, i cili kufizon funksionimin e lojërave të fatit për dhjetë vitet e ardhshme.

Nuk dihet nëse Qeveria Kurti, do të jetë ajo e cila do ta rregullojë këtë problematikë, pra me formë ligjore, apo do të vazhdohet kjo formë informale e ilegale e lojës.

Lajme të ngjashme