Në bastore apo në Ambasadë - si u dyfishua çmimi për aplikim për viza? - NACIONALE

Në bastore apo në Ambasadë - si u dyfishua çmimi për aplikim për viza?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Teksa pritjet e kosovarëve për të udhëtuar pa viza në Evropë po rriten çdo vit, Bashkimi Evropian po i shuan këto pritje me nga një lajm nga Brukseli. Por përtej këtyre lajmeve që burojnë nga vendimet politike të disa shteteve që refuzojnë të fusin Kosovën në listën e shteteve “visa-free”, shumica e Ambasadave të vendeve evropiane kanë vendosur ndërmjetësues me kosovarët që duan të pajisen me viza. Këta ndërmjetësues po i varfërojnë kosovarët edhe më shumë. Varfëria nënkupton izolim të mëtejshëm. Kjo është pjesa e parë e një serie të shkrimeve që do të zbardhëin këtë fakt.

Në dukje të parë gjithçka duket shumë më e lehtë - por…

Është fillimi i muajit shtator. Një mik që e pata njoftuar gjatë festivallit të filmit të animuar në Pejë, “Anibar”, Michal Bobrowksi, drejton një festival të këtij lloji në Maribor të Sllovenisë. Më fton për të marrë pjesë në festivalin ku ai punon si kurator, “Stoptrick”, dhe menjëherë brenda javës më dërgon një ftesë e cila më nevojitet për të aplikuar për vizë. Si zakonisht që kam vepruar në këto situata, i shkruaj Ambasadës për të caktuar një termin. Por ky termin kësaj radhe shkon përmes një agjencie ndërmjetsuese “VFS Global”. Në ndërkohë kuptoj se këtë e kanë bërë shumica e ambasadave në Kosovë.

Ato kanë vendosur një ndërmjetësues për procesimin e aplikacioneve. Kur lexon për arsyetimin e këtij vendimi, është ofrimi i një platforme më të qasshme për të gjithë për të cakuar terminet në ambasadat e ndryshme. Gjithashtu përmendet edhe lehtësia e caktimit të terminit dhe dorëzimit të aplikacionit duke i ikur pritjeve të gjata para ambasadave. Në fillim, kur flet me këto agjenci të krijohet përshtypja se "të është lehtësuar jeta". Termini caktohet shumë lehtë. Por ajo që nuk përmendet dhe nuk e kupton derisa i futesh procesit të kompletimit e më pas dorëzimit të dokumentacionit, është shuma e dyfishuar e parave që kosovarët janë ngarkuar për të paguar nëse duan të marrin një vizë. Bëhet fjalë për gati dyfishim të shpenzimeve.

Nga 35 euro në 120 euro aplikimi

Pasi caktoj terminin shumë lehtë, madje e ndërrojë atë nja dy herë pasi isha në pritje të një letre garantuese, filloj punën për sigurimin e dokumenteve. Çertifikata e lindjes, certefikata e familjes, raporti gjashtë mujor i bankës, kontrata e punës, sigurimi shëndetësor, bileta e paguar e aerioplanit, hoteli i parapaguar e shumë detaje të tjera. Për shpenzimet e këtyre dokumenteve flasim më poshtë, por të ndalemi tek befasia e parë e shpenzimeve që e përjeton sapo hynë në objektet e agjencive.

Çështja është kështu: Ambasadat kanë caktuar këto agjenci ndërkombëtare që të ndërmjetësojnë në procesimin e aplikimit të vizave. Pastaj këto agjenci kanë kontraktuar të tjera agjenci lokale që të kryejnë këto procese.

Ky proces i nënkontraktimeve për të procesuar aplikacionet e kosovarëve normalisht ka lehtuar punën e ambasadave por ka rënduar jashtëzakonisht shumë gjepin e aplikuesve për viza. Nëse më herët kur ke aplikuar për një vizë të është dashur që të paguash përfaërsisht 35 euro për aplikim, tash kosovarët duhet të paguajnë edhe 35 euro të tjera për kontraktuesin e parë dhe nja 35 ose varësisht se kush është nënkontraktori lokal.

Është paraditja e një dite të javës së parë të shtatorit. Gjendem para sportelit numër 5 tek “VSF Global” njësia e saj nënkontraktuale në Prishtinë.

“Duhet të paguash 120 euro”, më thotë një punëtore në këtë agjenci. Shokohem, me këtë kërkesë. Edhe ajo shokohet me këtë reagim timin. Normale që ajo shokohet sepse për të ajo ishte një shprehje e zakonshme. Por për mua jo. Unë do të qëndroja vetëm nja 7 ditë në Maribor të Sllovenisë, aq sa do të zgjaste festivali dhe unë isha para një vendimi që duhej ta merrja në ato momente: A mund t’i shpenzojë 120 euro për një vizë e cila mund të më refuzohej. Punëtorja matanë xhamit në sportel, sikurse të mi lexonte mendimet “egzistenciale” më thotë: “këto para nuk kthehen nëse refuzohet viza”.

Bastore apo ambasadë? - 600 euro bast për një vizë

Në Slloveni do të udhëtoja me veturë me një ekip tjetër të të ftuarve nga Shkupi. Në Maribor do të qëndroja në një shtëpi që festivali e kishte shndërruar në një tip hosteli.

“Ku e ke biletën e aeroplanit? Rezervimin e hotelit?”, më thotë punëtorja e agjencisë. Me këto pyetje ajo lë të nënkuptohet se aplikimi për vizë nuk do të pranohet me planet e mija dhe organizimin e festivalit për çështjen e udhëtimit dhe qëndrimit në Maribor.

Kuptoj se për të përfunduar procesin e aplikimit duhet të rezervojë një biletë aeroplani që më kushton afërsisht 200 euro. Dhe të rezervojë një dhomë hoteli për 7 ditë që kushtonte përafërsisht 300 euro. Nja 20 euro për sigurim shëndëtësor dhe shpenzime të printimit të doukumenteve përcjellëse që argymentojnë "egzistencën time", punës sime dhe familjes sime. Plus 120 euro aplikimi. Më duheshin 600 euro së paku për t’i harxhuar në mënyrë të aplikoja. Përpos kompanisë së sigurimeve që më ofron kthimin e 10 eurove në rast të refuzimi të vizës, asnjë cent tjetër nuk më kthehej nëse Ambasada do të refuzonte vizën.

Duke jetuar në Kosovë, këtu ku 600 euro është paga e punëtorëve të privilegjuar, pasi shumica paguhen më pak se 400 euro, vendimi im merr formë të prerë: nuk ia vlen të aplikojë. Punëtorja e agjencionit surprizohet me këtë vendim. Duket se për të është e pakuptueshme që pasi kam aranazhuar terminin dhe kam ftesën të marrë këtë vendim. Dal nga agjencioni dhe menjëherë njoftoj organizatorët e festivalit se kam vendosur që të mos aplikoj për vizë. Ata e mirëkuptojnë këtë vendim. As unë e as ata nuk duam që të shpenzojmë 600 euro sikur në bastore, para që nuk kthehen nëse ambasada refuzon për çfarëdo arsye dhënien e vizës.

Më të izoluar, dyfish më të varfër

Shumë nga ju që keni lexuar këtë rrëfim mund të shtroni pyetje të tipit nëse historia ime është një histori privilegji. Me të drejtë. Ndoshta shumica e atyre që aplikojnë për vizë kanë të tjera halle, duan t’i vizitojnë familjarët e tyre ose kanë ndonjë hall shëndëtësor. Por mos të harrojmë se numri i kosovarëve që nuk kanë ndonjë hall apo familjar për të vizituar por duan ta shohin Evropën po rritet.

Numri i atyre që kanë një pagë dhe kanë arritur me mezi të ruajnë ca para për ndonjë udhëtim gjithashtu është më i madh. Nevojat e tyre nuk janë ‘elitare” ose të “privilegjuara” sidomos në një kohë si kjo që po jetojmë. Për të gjithë njerëzit në Evropë, nevoja për të udhëtuar është bazike. Qoftë edhe si turist. Kujtoni sa shumë gazetarë të tjerë duan të shkojnë për ndonjë konferencë diku jashtë. Sa shumë aktorë e njerëz që punojnë në industrinë kreative në Kosovë kanë mundësi të tilla. Por cilët nga ta kanë luksin që të humbin gati 600 euro për një udhëtim që nuk mund të ndodhë asnjëherë? Sigurisht shumë pak.

Duke qenë i vetëdijshëm që kjo histori nuk mjafton për të treguar tmerrin që duhet të kalojë secili kosovar që ka nevojë të pajiset me viza, Nacionale do të botojë ditëve në vazhdim histori të tjera që do të dëshmojnë haptasi këtë. Do të kërkohet llogari nga ambasadat që kanë marrë këtë vendim. U kam dërguar pyetje për të kërkuar përgjigje shumicës nga to. Do të zbardhet mënyra sesi funksionojnë nënkontraktorët e agjencive ndërmjetësusese. Nëse ke histori që mund ta ndihmosh këtë proces, na dërgoni.

Lajme të ngjashme