Presidenca në duar të VV-së: Haxhiu ia jep shtetësinë Bojken Abazit, i dëbuar më 2016 - NACIONALE

Presidenca në duar të VV-së: Haxhiu ia jep shtetësinë Bojken Abazit, i dëbuar më 2016

1 orë më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila Ushtron edhe rolin e Presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretin për dhënien e shtetësisë së Kosovës për Bojken Abazin, i cili në vitin 2016 ishte dëbuar nga vendi.

Dekreti, të cilin e ka siguruar Gazeta Paparaci, është nënshkruar dhe ka hyrë në fuqi muajin e kaluar.

Abazi kishte kërkuar shtetësinë edhe gjatë mandatit të Vjosa Osmanit në Presidencë, por kërkesa e tij nuk ishte miratuar atëherë. Ndryshe, Osmani kishte aprovuar më herët shtetësinë për Dejona Mihalin, e cila ishte dëbuar nga Kosova së bashku me Abazin në vitin 2016.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Gazeta Paparaci, Abazi kishte paraqitur kërkesën për shtetësi në vitin 2022, duke e arsyetuar atë me kontributin e tij shumëvjeçar në Kosovë.

“Unë jam Boiken Abazi, i lindur në Tiranë, Shqipëri, më 28.04.2022, dhe përmes kësaj shkrese kërkoj që të më jepet shtetësia e Republikës së Kosovës, me Dekret të Presidentit, për çështje të kontributit tim në Republikën e Kosovës ndër vite”, kishte shkruar ai në kërkesë.

Në të njëjtën shkresë, Abazi kishte përmendur edhe lidhjet e tij me Kosovën pas luftës.

“Për shkak të largimit për në ShBA, nuk pata mundësi ta vizitoja Kosovën, menjëherë pas çlirimit. Por vendi i parë që vizitova pas kthimit tim në Shqipëri ishte Kosova, për të takuar familjen nga Kosova që ne kishim mbajtur në shtëpinë tonë në Tiranë, si shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë”, kishte shkruar ai.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës në kohën e Osmanit, Ministria e Punëve të Brendshme kishte informuar Presidencën se Abazi ishte regjistruar më herët si i dyshuar për disa vepra, përfshirë “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, “Prishje e rendit publik”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë dhe sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “Largimi me forcë nga Republika e Kosovës në vitin 2016”.

Abazi dhe Dejona Mihali ishin dëbuar nga Kosova në vitin 2016.

Çfarë thuhej në komunikatën e policisë atëbotë

Personi i larguar nga Kosova ka pasur pesë (5) raste të evidentuara, ku shumica prej tyre kanë qenë të mbyllura apo në raste të hapura në procedurë të rregullt, për çka nuk ka pasur Urdhër arrest e as Letër rreshtim ndërkombëtar, apo ndonjë kërkesë të prokurorisë apo gjykatës për arrestim apo paraqitje para këtyre organeve. Kështu që ç’do veprim apo vendim i ndërmarrë në këtë rast ka qenë në harmoni të plotë me procedurat ligjore, Ligjin për të Huajt dhe Udhëzimin Administrativ”, thuhej në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore te vitit 2016, kishte dëbuar tetë (8) persona shtetas të Shqipërisë, të cilët kanë rënë në kundërshtim me ligjin për të huaj, respektivisht për qëndrim të pa ligjshëm në Republikën e Kosovës.

Tash nën pushtetin e Vetëvendosjes, të dy janë rehabilituar në Kosovë.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë hapur bisedimet për emra konkret, për marrëveshje, për President, ndërkohë Haxhiu po ushtron detyrën.

Lajme të ngjashme