Polonia nuk do koka bërthamore në territorin e vet, thotë zëvendësministri i Mbrojtjes
Polonia nuk dëshiron që të ketë koka bërthamore në territorin e vet, tha të enjten zëvendësministri i Mbrojtjes, Pawel Zalewski.
“Jo – kjo është ajo që do të doja ta them shumë qartë dhe haptas. Polonia nuk dëshiron që të ketë koka bërthamore në territorin e vet” – tha Zalewski para gazetarëve, kur u pyet nëse prania ushtarake amerikane në të ardhmen në Poloni mund t’i përfshijë kapacitetet bërthamore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne duam të marrim pjesë në mbrojtjen bërthamore të NATO-s, e cila nuk e nënkupton pasjen e kokave bërthamore në territorin tonë” – tha Zalewski në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.
Ai shtoi se Polonia është e interesuar në rritjen e pranisë së përhershme ushtarake amerikane si pjesë e programit “Force Posture Review” të Uashingtonit dhe iu referua komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, të bëra më herët këtë vit për mundësinë e dërgimit të trupave shtesë në Poloni.
Uashingtoni në qershor njoftoi një rishikim 6-mujor të dislokimit të trupave amerikane në Evropë. Sipas një dokumenti që e ka parë agjencia “Reuters”, do të formohen të paktën katër grupe opsionesh për sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, deri më 6 nëntor, dukshëm para një afati të dhjetorit.
“Ne e trajtojmë vendimin e presidentit Trump si mjet për ta përmirësuar sigurinë evropiane, i rreshtuar me konceptin e Pentagonit për NATO-n 3.0. Kjo do të thotë se u përket evropianëve që të mbrohen konvencionalisht, por ShBA-ja mban një rol tepër të rëndësishëm për t’i mbështetur forcat e armatosura evropiane” – tha ai.
“Natyrisht se pika fillestare është një porosi dërguar opinionit publik nga presidenti Trump për dërgimin e 5.000 ushtarëve amerikanë në Poloni mbi një bazë të përhershme” – shtoi zëvendësministri polak.
Në maj, Trumpi i befasoi aleatët e NATO-s duke u zotuar për dërgimin e 5.000 trupave shtesë në Poloni./Nacionale