Kurti: Duhet të ketë njohje reciproke - NACIONALE

Kurti: Duhet të ketë njohje reciproke

1 vit më parë

nga Besarta Kalaja

Në prag të takimit, kryeministri Albin Kurti ka dhënë një intervistë të shkurtër për “Euroactiv” lidhur me takimin që do të zhvillohet sot në Bruksel mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së.

Në një intervistë për Euractiv, Kurti tha se njohja e ndërsjellë është çelësi për rivendosjen e normalitetit në marrëdhëniet tona.

I pyetur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje këtë vit, Kurti u përgjigj: “Sigurisht që synimi është të arrihet kjo marrëveshje këtë vit”.

Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti tha se Vuçiq, është ende pas “etno-nacionalizmit territorial”.

“Në thelb, ai do të përdorte Asociacionin e Komunave Serbe si një emër të ri për Republikën Srpska.” - tha kurti, duke iu referuar entitetit shumë autonom serb të krijuar në Bosnje-Hercegovinë pas luftës së viteve 1991-95, raporton Euroactiv.

Më tej, ai tha se shpreson që njëkohësisht me propozimin evropian të rritet besimi mes dy vendeve që marrëveshjet të jenë të zbatueshme.

“Nga ana tjetër, shpresoj që pasi t’i hapim bisedimet, duke u mbështetur në propozimin e BE-së, do të rrisim besimin, sepse marrëveshjet nuk janë të zbatueshme nëse nuk ka besim, prandaj duhet një nivel i caktuar i mirëbesimit.” – ka thënë kreu i Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka akuzuar sërish Beogradin zyrtar se nuk po zbaton dy të tretat e marrëveshjeve të arritura më parë në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dy të tretat e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel gjatë dekadave të mëparshme, nuk janë zbatuar nga Serbia.” – ka thënë kryeministri Kurti.

Siç raporton mediumi evropian, Kurti ka thënë tutje se “propozimi aktual i BE-së, do t'i referohet "pakicave kombëtare" në preambulën e tij dhe koncepteve universale si pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, reciprociteti, të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i ligjit dhe vetëvendosja.”

“Ajo që më bën optimist është fakti se disa koncepte dhe nocione universale janë përdorur në këtë propozim në ndryshim nga dekada para ardhjes sime në pushtet, ku 33 marrëveshjet bazoheshin më shumë në ideologjinë e zgjidhjes së problemeve.” - ka pohuar Kurti.

I pari i ekzekutivit kosovar ka thënë po ashtu se duhet të ketë kujdes që të mos nënshkruhen përsëri marrëveshje të cilat kanë dështuar më parë në testin e “të drejtave të njeriut të kushtetutës së rendit demokratik dhe republikan”

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos bëjmë marrëveshje, të cilat dështuan në testin e të drejtave të njeriut të kushtetutës së rendit demokratik dhe republikan, por në të njëjtën kohë, duhet të kemi parasysh se në të gjithë Ballkanin kemi pakicat kombëtare – të drejtat e tyre nuk mund të jenë identike.” – ka thënë ai.

Sipas Kurtit, 33 marrëveshjet e papërfunduara nuk duhet të jenë burimi i planit të BE-së dhe njohja reciproke duhet të jetë themeli.

“Nga ana tjetër, në qendër, duhet të ketë njohje reciproke – nuk është e mundur të shërbesh kafe pa filxhan – çfarëdo që të bësh për sa i përket të drejtave dhe mekanizmave, shteti është një platformë që i siguron ato të drejta dhe ato mekanizma.” - ka thënë ai.

Lajme të ngjashme