"Analiza e Krajës": AShAK-u përçahet, pritet deklaratë publike rreth akuzave
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është cak i kritikave që dy ditët e fundit. E gjitha erdhi pas raportimit të gazetës Nacionale rreth një analize të AShAK-ut rreth synimeve destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Gjuha e përdorur dhe qëndrimet e shpërfaqura u kritikuan gjerësisht. Ndonëse doli në emër të AShAK-ut, me të duket se nuk pajtohen shumë anëtarë të institucionit më të lartë të shkencës në Kosovë.
Nacionale ka kontaktuar disa prej akademikëve të AShAK-ut, të cilët refuzuan të flasin për analizën e AShAK-ut. Megjithatë, Nacionale merr vesh nga burimet e saja se AShAK-u është duke përgatitur një reagim ndaj analizës së publikuar më 23 nëntor të vitit 2022.
Siç kupton gazeta Nacionale, mospajtimet rreth përmbajtjes së analizës është i madh brenda anëtarëve të AShAK-ut.
“Të gjithë ditë që analiza nuk e përfaqëson qëndrimin e Akademisë së Shkencave. Ai ka qenë një qëndrim i kryetarit të Akademisë së Shkencave.” – theksoi një burim brenda AShAK-ut.
Ndërsa në një përgjigje për Nacionalen, Rexhep Qosja, akademik i njohur kosovar, ka thënë se nuk e ka lexuar ende raportin.
"As nuk e kam lexuar, besoj neswr do ta lexoj." - ishte i shkurtër reagimi fillestar i Qosjes.
Mospajtimet…
Dje mediumi “Demokracia” raportoi rreth mospajtimeve brenda AShAK-ut rreth përmbajtjes së analizës. Sipas mediumit në fjalë, së paku pesë akademikë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth qëndrimeve dhe argumenteve të shtruara në këtë analizë.
Madje akademikët Hivzi Islami, Isa Mustafa, Anton Berishaj, Arsim Bajrami dhe Muhamedin Kullashi theksuan se analiza të mos botohej në emër të AShAK-ut, por të Mehmet Krajës, kryeakademik i Kosovës. Ky i fundit e kishte dërguar edhe një email, ku përmendej mungesa e unanimitetit në mbështetje për analizën.
“Për shkak të mungesës së unanimitetit në mbështetje të analizës “Synimet Destabilizuese të Serbisë…” nga anëtarët e Akademisë, nga teksti i shpërndarë, duke rikontekstualizuar disa pjesë të përmbajtjes, hartova një “Deklaratë të ASHAK” në jo më shumë se 7 faqe, të cilën pres ta lexoni dhe gjatë dy ditëve të ardhshme (të hënën dhe të martën të më bëni të ditur mendimin tuaj për përmbajtjen e këtij teksti, përfshirë edhe vërejtjet dhe sugjerimet eventuale.” – shkruante Kraja në emailin e botuar nga Demokracia, transmeton Nacionale.
Mospajtimet u shprehën edhe në një mbledhje të AShAK-ut, ku u diskutua për analizën e titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin perëndimor”.
“Diskutuan H. Islami, I. Mustafa, A. K. Berishaj, M. Kullashi, A. Bajrami. U tha që dokumenti në fjalë hap shumë çështje, mungojnë burimet dhe si i tillë nuk mund të publikohet në emër të ASHAK-ut. Për hartimin e dokumenteve të tilla duhet të caktohen grupe punuese, me ekspertë të fushave që do punojnë bashkërsht. Këtë dokument mund ta publikojë secili anëtar i Akademisë personalisht, por jo në emër të Akademisë.” - thuhet në procesverbalin e mbledhjes së ASHAK-ut më 26.01.2022.
Analiza
Siç shkroi dje Nacionale, analiza 38 faqe e AShAK-ut është e mbushur me interpretime të debatueshme e të kritikueshme. Ndonëse pa autor të përveçëm, analiza merret me marrëdhëniet mes shqiptarëve e të serbëve, duke u përpjekur që të ofrojë një histori të përgjithshme, që nga koha e Betejës së Kosovës e deri te situata më e re në veriun e Kosovës.
Përveç pa autor, raporti i AShAK-ut nuk ka as fusnota dhe gjuha e përdorur shpesh është politikisht jokorrekte, duke i ngjarë më shumë një fletërrufeje sesa analizës së mirëfilltë. Për më shumë, dokumenti ka edhe gabime të shumta drejtshkrimore e çalime të fakteve, por edhe gjuhë paranojake e paragjykuese ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Partisë Socialiste e Partisë Demokratike të Shiqipërisë dhe fesë islame. Në fakt, gjuha e përdorur nga AShAK-u përputhet me narrativën e LV-së kundrejt fenomeneve politike e shoqërore në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.
Në analizën e gjatë, institucioni më i lartë i shkencës dhe i arteve, që udhëhiqet nga akademik Mehmet Kraja, i cili e ka botuar analizën edhe në profilin e tij në Facebook, ka lëshuar akuza të shumta ndaj ish-pushteteve në Kosovë, duke i akuzuar ato për keqqeverisje, korrupsion e krim.
Për më shumë, nëpërmjet një gjuhe aspak korrekte, AShAK-u e “godet” edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke e akuzuar se e ka futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale. Madje, AShAK-u akuzon ish-ushtarët e UÇK-së të shndërruar në politikanë si uzurpues të pushtetit, duke shkruar se të njëjtit bënë krime e korrupsion.
I titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, në tekstin me 39 faqe, AShAK-u i komenton edhe Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera.
Për më tepër, AShAK-u e akuzon edhe shtetin e Kosovës se "pranoi" njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive.
"Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me korrupsion, njohjet e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj." - thuhet në analizën e këtij institucioni.