“Analizë e thellë”: Këshilltari francez i Qeverisë Kurti shpërndan tekstin e Krajës që flet për krimet e politikanëve të UÇK-së - NACIONALE

“Analizë e thellë”: Këshilltari francez i Qeverisë Kurti shpërndan tekstin e Krajës që flet për krimet e politikanëve të UÇK-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Që nga dje tema kryesore në opinionin publik është një analizë e gjatë 38 faqe e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Me një gjuhë aspak shkencore, AShAK kritikon ish-pushtetet e kaluara, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe politikanët e tjerë që dolën nga gjiri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Madje, AShAK-u flet edhe për krimet e luftës e kundër njerëzimit, duke akuzuar politikanët, që u shndërruar nga ushtarë të UÇK-së në politikan, për uzurpim të pushtetit, krim e korrupsion. Krejt kjo gjuhë e kritikueshme dhe e kritikuar gjërësisht, i ka pëlqyer Sébastien Gricourtit, këshilltarit të jashtëm francez të Besnik Bislimit, zëvendëskryeministër i Kosovës në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Ai e ka shpërndarë analizën e AShAK-ut, duke e cilësuar si “analizë të thellë”.

Analizë e thellë (e cila prek gjithashtu kontekstet historike) e hartuar me janarin e kaluar nga AShAK-u por që mbetet e saktë: "... perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme...". – shkruan z. Gricourt.

Kush është Gricourt?

Francezi Sebestien Gricourt është këshilltar i jashtëm në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministrit Albin Kurti. Në bazë të regjistrit për deklarim të pasurisë, z. Gricourt është emëruar në këtë post më 1 dhjetor të vitit 2021. Pra z. Gricourt është këshilltar i jashtëm i Besnik Bislimit, zëvendëskryeministër i parë i Kosovës, që është pjesë e Zyrës së Kryeminsitrit së Kosovës.

Në deklartën e pasurisë, z. Gricourt ka treguar se ka një shtëpi që është pronë e përbashkët e tij dhe të bashkëshortes së tij. Ai ka deklaruar se këtë shtëpi e ka blerë në vitin 2018 dhe vlera e saj në euro është 450 mijë euro.

Ndërsa, ai ka treguar se ka 84 mijë euro para të gatshme në një bankë në Francë, prej edhe nga vjen z. Gricourt.

Kujtojmë që Gcricourt është pjesë e Partisë Socialistë në Francë. Ai ka udhëhequr edhe Qendrën Ballkanike të Fondacionit “Jean Jaures”, me qendër në Paris,gjersa në këtë cilësi ai ishte takuar edhe me Kurtin në qershor të vitit 2021.

Ndryshe Gricourt ishte quajtur me shpoti "spiun" nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, pasi ky i fundit i kishe mbyllur sytë Kurtit nga prapa, e ishte Gricourt që i tregoi Kurtit se kush ishte personi që i mbylli sytë.

Çfarë tha AShAK-u për krimet kundër njerëzimit?

Në nëntitullin “Gjykata Speciale në Hagë”, AShAK-u tregon narrativën e saj mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se shumica e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe mediet, “janë gjetur nën një presion të madh për t’u distancuar” dhe “demonizuar” Specialen si “anti-shqiptare dhe anti-kosovare”.

AShAK, që është institucioni më i lartë shkencor në Kosovë, konkludon se në periudhën e luftës dhe pasluftës u kryen krime, që mund të kualifikohen si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Megjithatë, sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe pavarësisht nga fakti se në mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë.” – shkruan AShAK.

Tutje, AShAK thekson se Gjykata Speciale u krijua nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, duke akuzuar nomenklaturën politike, që ishte trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, për uzurpim të pushtetit, përfshirje në krim të organizuar e korrupsion të përmasave të mëdha.

“Po ashtu tashmë është krijuar bindja se Gjykata Speciale, e krijuar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, as do të formohej dhe as do të niste nga puna, jo vetëm sikur të ishte ngritur një sistem i qëndrueshëm gjyqësor në Kosovë, por edhe sikur nomenklatura politike e Kosovës, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të mos e uzurponte pushtetin dhe institucionet vendore, të përfshihej në krim të organizuar dhe në korrupsion të parmasave të mëdha dhe të mos jepte asnjë shenjë se mund të largohej nga pushteti në mënyrë demokratike.” – shkruhet tutje aty.

Lajme të ngjashme