SKANDAL: Akademia e Shkencave bën "shkencë", i promovon narrativën e LV-së dhe konspiracionet në analizën e saj - NACIONALE

SKANDAL: Akademia e Shkencave bën "shkencë", i promovon narrativën e LV-së dhe konspiracionet në analizën e saj

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Si rrallëherë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka publikuar një analizë të gjatë me 39 faqe, me të cilën synon që ta tërheq vëmendjen e opinionit për politikat destabilizuese të Serbisë. Ndonëse pa autor të përveçëm, analiza merret me marrëdhëniet mes shqiptarëve e të serbëve, duke u përpjekur që të ofrojë një histori të përgjithshme, që nga koha e Betejës së Kosovës e deri te situata më e re në veriun e Kosovës.

Përveç pa autor, raporti i AShAK-ut nuk ka as fusnota dhe gjuha e përdorur shpesh është politikisht jokorrekte, duke i ngjarë më shumë një fletërrufeje sesa analizës së mirëfilltë. Për më shumë, dokumenti ka edhe gabime të shumta drejtshkrimore e çalime të fakteve, por edhe gjuhë paranojake e paragjykuese ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Partisë Socialiste e Partisë Demokratike të Shiqipërisë dhe fesë islame, transmeton Nacionale.

Në analizën e gjatë, institucioni më i lartë i shkencës dhe i arteve, që udhëhiqet nga akademik Mehmet Kraja, i cili e ka botuar analizën edhe në profilin e tij në Facebook, ka lëshuar akuza të shumta ndaj ish-pushteteve në Kosovë, duke i akuzuar ato për keqqeverisje, korrupsion e krim. Për më shumë, nëpërmjet një gjuhe aspak korrekte, AShAK-u e “godet” edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke e akuzuar se e ka futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale. Në fakt, gjuha e përdorur nga AShAK-u përputhet me narrativën e LV-së kundrejt fenomeneve politike e shoqërore në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.

I titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, në tekstin me 39 faqe, AShAK-u i komenton edhe Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera.

Për më tepër, AShAK-u e akuzon edhe shtetin e Kosovës se "pranoi" njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive.

"Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me korrupsion, njohjet e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj." - thuhet në analizën e këtij institucioni.

Serbia, lufta, konteksti dhe miti

AShAK-u ka shkruar gjatë për përvojën e hidhur të shqiptarëve me pushtetet e ndryshme serbe. Institucioni i udhëhequr nga Kraja thekson se Serbia është e “përqendruar në gatishmërinë e saj për të rindezur një komflikt të ri me Kosovën”. AShAK-u vlerëson se Serbia është e interesuar për konflikt në Kosovë.

Në këtë rrethanë, nuk ka shumë rëndësi nëse do të ndodhte "çështja e tabelave" ose jo, nëse do të ndodhte ky "veprim provokues" i Kosovës, sepse Serbia do ta krijonte pa më të voglën mëdyshje një situatë të këtillë tensionimi, qoftë duke përdorur kalimet kufitare, zgjedhjet lokale, komunitetin serb në Kosovë, kishat serbe, pronat ose rrugën pranë Manastirit të Deçanit, apo diçka tjetër të kësaj natyre” – shkruan AShAK-u.

Tutje, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i rendit edhe synimet e Serbisë:

“Të gjitha kërcënimet e Serbisë, qoftë me retorikë nacionaliste apo me vringëllimë armësh, kanë synim të arrijnë disa efekte të njëhershme: i) t'i sigurojnë mbështetje në Serbi një klase politike nacionalistësh të korruptuar; ii) të krijojnë pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në favor Rusisë dhe Kinës, në politikat e tyre kundër NATO-s dhe BE-së; iii) të nxisë elementin nacionalist serb në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë për destabilizim të shteteve përkatëse; iv) të shtrijë ndikimin e Serbisë në shtetet që dikur kanë qenë sferë e saj e interesit; v) të faktorizojë Serbinë në të gjitha agjendat ndërkombëtare, duke i siguruar asaj primatin e dhunshëm në krye të shteteve të Ballkanit Perëndimor” – theksohet në analizë.

Pasi shkruan disa faqe për kërcënimin e Serbisë, AShAK-u i futet një analizeje historike, duke e shpjeguar mitin serb mbi Kosovën dhe kontekstin e marrëdhënieve mes shqiptarëve e serbëve.

Goditja ndaj Hashim Thaçit

Institucioni më i lartë i shkencës dhe i arteve në Kosovë e ka komentuar edhe figurën e Thaçit, njëri nga politikanët më të rëndësishëm të Kosovës në dy dekadat e kaluara. Përveç akuzave për korrupsion e krim, AShAK-u ka dhënë edhe një interpretim krejtësisht konspiracionist e skandaloz.

Në nëntitullin “Ideja për ndarjen e Kosovës”, AShAK-u vlerëson se ideja e ndarjes së Kosovës është ide e nacionalizmit serb dhe e dishepujve të saj më të spikatur, si Çubriloviqi dhe Qosiqi. Në një formë të tërthortë, AShAK-u e akuzon Thaçin se e "brendësoi" idenë serbe të ndarjes së Kosovës, duke shkruar se Thaçi, herë si kryeminsitër e herë si president, e futi “në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës, si mjet kryesor për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale”.

“Por, pas themelimit të Gjykatës Speciale më 1 shtator 2016 dhe pas përfshirjes në mandatin e saj të krimeve të kryera gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme, në dialogun me Serbinë dhe në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkomëbtare, u krijua një rrethanë krejtësisht ndryshe: Hashim Thaçi, herë si kryeministër dhe herë si president, futi në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës, si mjet kryesor për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, qoftë duke bërë marrëveshje të fshehta me Serbinë, qoftë duke pretenduar një amnisti si “mirënjohje botërore”, për arritjet e tij në promovimin e paqes midis dy popujve” – shkruan AShAK-u, në një gjuhë që i ngjan shumë narracionit të kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke e cilësuar si qeverisje autokratike, AShAK-u vlerëson se shumë “kancelari diplomatike perëndimore” u munduan ta zgjidhnin shpejt “çështjen e Kosovës”.

“Pra, pasi u kuptua se Thaçi mund të ishte objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me një shpejtësi të jashtëzakonshme në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim. Impenjimin e madh të Thaçit dhe natyrën e tij autokratike të sundimit në Kosovë, disa kancelari diplomatike perëndimore e panë si “mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të “çështjes së Kosovës”, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje idesë së tij, duke përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim një zgjidhje të tillë” – shkruhet në analizën e AShAK-ut.

Fantazmagoria e fundamentalizmit islamik

Por AShAK-u e përçudnon edhe historinë rreth islamit dhe të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Në një fragment hyrës, te nëntitulli “Manipulimet me fundamentalizmin islamik”, AShAK-u shkruan se shqiptarët e krishterë u konvertuan në myslimanë me dhunë sistematike nga ana e Perandorisë Osmane.

Madje, në analizën e AShAK-it ka edhe gabime faktike, duke shkruar se kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi “përqafuan bektashizmin”, ndonëse ky sekt nuk është dominant për nga numri në trojet shqiptare. Në përgjithësi, myslimanët shqiptarë janë sunitë dhe një pjesë e tyre edhe anëtarë të tarikateve të ndryshme.

“Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të kuptojnë se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane, jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane, në njërën anë, kurse më anë tjetër ka ardhur si rezultat i luftës së gjatë mes kishës të Lindjes dhe të Perëndimit, të cilat shpesh i lanë besimtarët e tyre pa udhëheqës shpirtëror. Konvertimi i vonë dhe i paqëndrueshëm mund të ketë qenë një arsye, pse kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi përqafuan bektashizmin, si varianti më liberal i myslimanizmit” – vlerësohet në analizë.

Tutje, vlerësohet se Serbia ka synuar që të ofrojë një imazh aspak pozitiv të shqiptarëve në Perëndim, duke i shpërfaqur ata si fundamentalistë islamikë.

“Por edhe përkundër kësaj, që pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Serbia filloi një propagandë intensive, duke afishuar para bashkësisë ndërkombëtare në të gjitha rastet, se popullsia e Kosovës përbëhej nga një popullsi myslimane e prapambetur dhe nga një shoqëri patriarkale e paarsimuar. Pamjet e Kosovës në televizionet jugosllave, por edhe në ato të huaja, veçmas ne "Euroneës", shoqëroheshin rregullisht me minaret e xhamive dhe me ezanin e hoxhallarëve në sfond. Kosova nuk kishte qenë kurrë aq fetare sa ç'donte ta paraqiste Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Me një insistim këmbëngulës dhe me një propagandë intensive shumëvjeçare, nga viti 1981 dhe më pas Serbia arriti që çështjet fetare në Kosovë t'i deformojë ndjeshëm, duke e instrumentalizuar fenë dhe besimin fetar në funksion të problemeve e pazgjidhura politike” – theksohet aty.

Sipas AShAK-ut, Serbia është munduar që ta paraqesë veten si “mbrojtëse të domosdoshme” të Evropës së krishterë nga fundamentalizmi islamik i Kosovës, Bosnjës dhe Sanxhakut.

“Por, në të vërtetë, Serbia nuk shërbeu asnjëherë si “mur mbrojtës" i Europës kundër fundamentalizmit islamik, por ajo e keqpërdori këtë paranojë të Europës së krishterë, duke futur në veprim shërbimet e saj sekrete, për të nxitur rrymat radikale islamike në Bosnjë dhe në Kosovë, në mënyrë që më pas ta përdorë veprimtarinë e tyre për të tërhequr mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së. Marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën dhe "Pakoja e Ahtisarit" për Kosovën janë hartuar në atë mënyrë që nuk lejojnë funksionim normal të këtyre dy shteteve, teksa në prapavijë i japin Serbisë rolin e kujdestarit dhe të mbikëqyrësit, për të monitoruar islamizmin radikal, në një kohë që vetë Serbia këto prerogativa i keqpërdor për t'i bërë obstruksion dhe për të defunksionalizuar në çdo rrethanë jetën normale të vendeve të rajonit” – shkruhet në analizën e botuar më 23 nëntor të këtij viti.

Shqipëria, "Vetëvendosje"

AShAK-u merret edhe me Shqipërinë, më saktësisht me përkrahjen që Shqipëria zyrtare e shfaq ndaj “Ballkanit të Hapur” dhe “Mini-Schengenit”, të cilat ky institucion i cilëson si projekte serbe. Por aty ka edhe një gjuhë aspak korrekte ndaj Shqipërisë, duke akuzuar se shoqëria shqiptare është “shoqëri pa ideologji”, që ka recidivizëm ideologjik që shfaqet si refuzim ndaj Kosovës.

“Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm, si lidhje klanesh, si dominim jugor, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje e ngushtë botëkuptimore me sllavizmin dhe me proveniencën lindore… Partia Socialiste e Shqipërisë, por jo vetëm ajo, pothuajse rregullisht i kthen në agjendën e saj politike recidivizmat e vjetra antikosovare, sa herë që këtë e sheh të përshtatshme, për të larguar vëmendjen nga ndonjë krizë e brendshme politike. Këtë e ka bërë herë pas here edhe Partia Demokratike, për shkak të “djathizimit të majtë" të saj. Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për idilin e marrëdhënieve miqësore me Serbinë dhe me shtetet” – shkruan AShAK-u.

Por AShAK-u e përmend edhe Lëvizjen "Vetëvendosje", të cilën e “paraqet” si rrezik ndaj “oligarkëve” të Shqipërisë.

“Por, mbi të gjitha, një "dalje emergjente" nga raporti sadopak i ngushtë Shqipëri- Kosovë, së fundi ka një prapavijë tjetër: evitimin me çdo kusht i ndikimit politik të Kosovës në Shqipëri. Nuk është vetëm ideja e bashkimit kombëtar ajo që e trondit klasën politike të Shqipërisë (bashkimi kombëtar për pikëpamjen e shumicës në Tiranë do të prishte balancën e brendshme veri-jug), siç supozohet ndonjëherë, por më shumë idetë e vendosjes së një pushteti të llogaridhënies, ashtu siç pretendon të jetë pushteti i "Vetëvendosjes” në Kosovë. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë përmbysje eventuale të pushtetit aktual në Tiranë, sepse shtrirja politike e “Vetëvendosjes” në Shqipëri është e papëpërfillshme, por me frikën e gjithë spektrit politik të Shqipërisë për një trend të mundshëm, i cili në një të ardhme të afër do të rrezikonte pasurinë kriminale dhe pozitën shoqërore të oligarkëve të Shqipërisë. Prandaj, para se të futet ky trend i ndëshkueshmërisë në Shqipëri, ndikimi politik i Kosovës duhet të neutralizohet maksimalisht dhe kjo mund të bëhet në një mënyrë më të përshtatshme përmes koalicioneve formale dhe joformale me Serbinë” – shkruhet tutje.

AShAK-u e kritikon edhe Ali Ahmetin, udhëheqësin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, si përkrahës të ndarjes së Kosovës. Natyrisht, AShAK-u shkruan edhe për Gjykatën Speciale dhe politikat e BE-së ndaj Kosovës.

Lajme të ngjashme