Suspendimi i munguar: Policia hesht për rastin e kapitenit Riza Murati
Të premten, Inspektorati Policor i Kosovës e rekomandoi suspendimin e Riza Muratit, shef i sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz. Kapiteni policor, pra Murati, dyshohet për veprën penale “dhunë në familje”, të kryer ndaj bashkëshortes së tij, e cila publikisht ka rrëfyer në Nacionale. Përkundër rekomandimit të IPK-së, Policia e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë rast.
Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës, duke pyetur në lidhje me çështjen e Muratit. Ndonëse kanë kaluar katër ditë, Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje, përkundër faktit që Nacionale ka dërguar dy herë shkresë elektronike.
Pra policia ka zgjedhur që të heshtë rreth rekomandimit të IPK-së për suspendimin e kapitenit policor Murati.
“Rasti Murati”
Javën e kaluar, bashkëshortja e Riza Muratit, zonja L. Murati, i tregoi Nacionales për dhunën që dyshohet që e kreu kapiteni i Policisë së Kosovës ndaj saj. Në rrëfimin e vet, zonja L. e sqaroi prejardhjen e dhunës dhe arsyen se pse e lajmëroi në polici bashkëshortin e saj, që është zyrtar i lartë policor.
“Më ka rrahë para fëmijëve”, “më ka kërcënu me vrasje dhe zhdukje të gjurmeve”, “e kam lanë punën, e kam ikë nga Kosova” – ishin disa prej thekseve kryesore të rrëfimit të zonjës L. për dhunën që dyshohet se e kreu bashkëshorti i saj.
“Një muaj kam qenë e vetme duke e kërku të drejtën time, duke mos marrë përgjigje, për shkak se i njëjti ka lidhje. Më ka thënë: kam inspektorë, kam prokurorë” – deklaroi ditë më parë zonja L.
“Dëgjo mirë çka po të thom, prej nesër ty ta ndaloj punën dhe tani e tutje je në urdhrat e nanës dhe babës tem dhe nëse këta të thonë në tualet me shku me hanger m**, ti ki me shku, edhe të ngrehi zhag dhe ti e din që kjo nuk është shpija jote, ti je e fisit tjetër e nëse nuk të pëlqen që të qëndrosh në këto urdhra, qysh sot çu e hup jashtë” – rrëfeu L. Murati t'i ketë thënë bashkëshorti.
Sjellim ndër mend që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur urdhër mbrojtës ndaj zonës L. në lidhje me kërcënimet e burrit të saj, Rizait.
Në aktvendimin e siguruar nga Nacionale, ndër të tjera, thuhej se “Urdhërohet pala përgjegjëse Riza Murati nga Mitrovca që të ndërpresë dhe të mos përsërisë asnjë veprim të dhunshëm ndaj palës së mbrojtur”.
Tutje, policit Murati i ndalohet që t’i afrohet gruas së tij më afër se 50 metra në ambiente publike si dhe 100 metra nga vendbanimi i saj.
IPK-ja e vetëvendosur
Më 19 prill, IPK-ja e kishte rekomanduar suspendimin e kapitenit Murati.
“Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një kapiteni policor, respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz. Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, pasi kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.
"Hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të cilës i janë përcjellë raporte/deklarata lidhur me veprimet hetimore” – thuhej, ndër të tjera, në njoftimin publik të IPK-së.
Për këtë temë kishte folur edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke paralajmëruar se do të dilet së shpejti me konkluzione.
“Kur kemi të bëjmë me rastin në fjalë, ky rast është duke u trajtuar në IPK. Besoj se shumë shpejt IPK-ja do të dalë me konkluzionet e saj” – kishte deklaruar Sveçla.