Kryeakademik Kraja akuzoi “Big Brotherin”, kjo s’ishte hera e parë e tij me reagime të çuditshme
Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, u mor me emisione argëtuese si “Big Brother” e “Përputhen”. Por, ky nuk është reagimi i parë i përçudshëm i tij dhe si duket nuk do të jetë as i fundit. Më poshtë keni gjërat e çuditshme me të cilat Kraja bëri bujë më 2022.
“Unë ju akuzoj...” – ishte titulli i shkrimit të djeshëm të z. Kraja shpërndarë në Facebook-un e tij. Ky ishte edhe epigrafi i një letre të një mësuesi italian që akuzonte formate televizive të ngjashme me Big Brother e Përputhen në Kosovë e Shqipëri për dekadencën morale të shoqërisë.
Kjo ‘letër’ ishte shpërndarë disa vite më parë në rrjete sociale, por sot e asaj dite nuk dihet autenticiteti i saj. Nuk dihet madje as kush është mësuesi, Marco Galice, që po citohej nga hiç më pak se shefi i akademikëve kosovarë. Nuk dihet as nëse ekziston ose jo. Dhe nëse ekziston, cilat janë pikëpamjet e tij mbi botën: mund të jetë komunist, mund të jetë fanatik fetar etj. A ka bërë verifikimet e tij kryeakademiku?
Kjo akuzë e Krajës erdhi pikërisht në kohën kur rrjetet sociale u mbushën me postime për Big Brother Vip Kosova dhe personazhet e tij, dhe pikërisht në kohën kur fati i Kosovës po përcaktohet në bisedimet në Bruksel, ka një propozim konkret për marrëveshje me Serbinë (plani-franko-gjerman) dhe ka barrikada në veri të vendit. A duhet t’i përcjellë detyrimisht rrjetet sociale kryetari i AShAK-ut?
Por, siç e thamë më lart kjo nuk është hera e parë që Kraja ‘kapet’ çuditshëm.
Kraja në shtator
Mehmet Kraja mori vëmendje të madhe publike edhe në muajin shtator përmes një interviste në televizionin publik ku do të shpërndante deklarata kontroverse e patriarkale.
“Sa i përket emancipimit të femrës, ka një vijë shumë të hollë që ndan vajzën që mban shami dhe vajzat që zbulojnë pjesët e trupit publikisht. Në të dyja rastet kemi probleme me emancipimin e vajzave... shamia i vendos kufizime të cilat do të reflektohen në ndërtimin e personalitetit të saj.” – ishte një ndër deklaratat paragjykuese të Krajës.
Por, ja edhe një tjetër: “Çështja e shamisë është e dëmshme për emancipimin e vajzës. Emancipimi i vajzave është problem i madh në Kosovë. Nuk është kufizim vetëm shamia, që vë kufizime vetëm në pamjen e saj, (por, shamia) vë kufizime në perceptim, në zhvillim të mendimit, në lirinë e mendimit. Sepse ajo vajza që vendos shami, është e kufizuar. Është nën diktat.”
Ai nuk e dha fatkeqësisht asnjë provë, e nuk citoi asnjë hulumtim për këto pretendime të përçudshme.
Kraja në mars
Siç mund ta mbani mend, gazeta Nacionale u çel në fillim të marsit të këtij viti. Ndër shkrimet e para ishte edhe një me natyrë sarkastike për shkronjën Ë, i titulluar “Një shkronjë torturon një popull: A duhet ta heqim Ë-në nga alfabeti?” Kryetari i Akademisë së Shkencave, që rrallë e përmallë shkruante – madje edhe për tema shumë të mëdha publike - u ndje aq i provokuar sa bëri reagim shumë të ashpër.
“Kurrë në jetë nuk kam lexuar një gjë më të shëmtuar për gjuhën shqipe,” - kishte thënë fillimisht ai.
Më pas, ai kishte shkuar edhe më larg, duke pretenduar se kishte edhe njëfarë konspiracioni në atë shkrim. “Mos harroni se kjo ndodh në 50-vjetorin e Drejtshkrimit!”,
Mehmet Kraja ishte zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 3 tetor të vitit 2019.


