Kryengjarjet: Mehmet Kraja "hyn" në Big Brother, VV-së i pëlqen "lëmosha" ndaj Policëve
Barikadat në veri të vendit po shtohen si këpurdhat pas shiut, pavarësisht kërkesave vendore e ndërkombëtare që të njëjtat të largohen. Qeveria e Kosovës në mënyrë "estetike" është dorëzuar, duke e pritur KFOR-in t’i largojë ato.
Policia e Kosovës me mungesa të mëdha ushqimore, shendetësore, pastaj me uniforma të vjetra, pa mjete higjienike, e probleme tjera. Qeveria Kurti krenohet me lëmoshën e qytetarëve për "hallexhinjtë" (lexo: Policinë e Kosovës).
Më mirë nuk është as në sektorin e shëndetësisë, ku kryetemë vazhdon të mbetet largimi i stafit shëndetësor nga Kosova.
Akademia e Shkencave të Kosovës jeton në një botë paralele. Mendon se problemet kryesore të shoqërisë janë showbizi vendor, emisionet si Big Brother Vip Kosova, Për'puthen, Dancing With the Stars e të ngjashme.
Statusi nr.1: Xhelal Sveçla
“Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policor që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tone.” - shkruan ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Komenti jem:
Xhelal Sveçla a është duke reklamuar ndonjë biznes privat apo si është puna më këtë postim? Si mundet ministri brendshëm të krenohet se një biznes privat po e furnizon me ushqim Policinë e Kosovës? Kjo në rastin më të mirë është korrupsion. Çfarë nëse ky bisnes nje ditë ka problem me ligjin?
Pagat, ushqimi, sigurimet shendetësore, uniforma janë detyrë shtetërore dhe jo çështje bamirësisë. Me këtë njoftim ka dështuar Ministria e Punëve të Brendshme, bashkë me njerëzit e PR-it të saj. Qeveritarët e rinj duhet të harrojnë sa më shpejt "logjikën e socialit", e cila u takon fondacioneve të ndryshme joqeveritare. Shteti krijon politika të mirëqenies sociale dhe u jep siguri financiare e fizike nëpunësve të tij, përfshirë grave e burrave të Policisë, të cilët me vetëmohim po e kryejnë detyrën e vështirë në veri të Kosovës.
Statusi nr.2: Arlind Manxhuka
“Kjo lidhje nuk vjen në mungesë të ushqimit e të racioneve që ata kanë nga institucioni i Policisë e që është i bollshëm, por është i një solidariteti të përbashkët për një kauzë të përbashkët. Kjo është simbolika dhe fuqia që ky lloj solidariteti sjell”, - shkruan zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
Komenti jem:
Kosova nuk është në vitet e 90’ta, gjatë sistemit paralel të ndërtuar nga LDK-ja, kur kishte nevojë për solidaritet të qytetarëve. Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe furnizimi me ushqim i Policisë është detyrë institucionale dhe çështje e solidaritetit. Zëdhënësi i partisë së pushtetit po flet si hoxhë, duke instaluar logjikën se "ai që ndihmon Policinë e Kosovës, i hapën gjitha dyert e Xhenetit".
Statusi nr.3: Liri Salihu
"Unë po iki Kosovë, nuk po të duhem ty." - shkruan, ndër të tjera, infermierja Liri Salihu.
Komenti jem:
Qytetarët e Kosovës kanë bërë një "revolucion" në votime, duke votuar mbi 50 për qind për Lëvizjen Vetëvendosje, duke i dërguar në opozitë ata që qeverisën me Kosovën që nga pas lufta. Me shumë gjasë, kërkesa kryesore e qytetarëve ishte luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit. Për t'i luftuar punësimet me lidhje familjare dhe partiake.
Por, një gjë e tillë nuk po ndodh. Këtë e tregon rasti i Liri Salihut, studente shembullore, që nuk arrinë të punësohet edhe pse ka pasë nota të larta dhe punë të mirë si infermiere. Pra, deri sa kryeministri Kurti po mundohet t'i kthejë mjekët nga diaspora, stafi shendetësor po i ikë, për shkak të nepotizmit.
Statusi nr.4: Mehmet Kraja
"Unë ju akuzoj se jeni ndër fajtorët kryesorë të dekadencës kulturore të vendit tonë, barbarizmit të tij shoqëror, korrupsionit dhe grryerjes morale, destabilizimit mendor të brezave të rinj, varfërimit etik ,shtrembërimit arsimor të fëmijëve tanë.” - shkruan akademik Mehmet Kraja.
Komenti jem:
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, nuk ka bërë asnjë reagim për tensionet në veri, as për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ai heshti edhe për Planin franko-gjerman, që duket se do të jetë marrëveshja e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka thënë asnjë fjalë për raportet e ftohta mes Qeverisë se Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Nuk ka folur asnjë fjalë për grevën e SBAShK-ut, apo për punësimet në baza familjare dhe partiake në institucionet shtetetore. As për çmimet e larta apo për ajrin e ndotur, por ka gjetur kohë të merret me reality shows në televizionet në Kosovë dhe Shqipëri. Çfarë akademiku i kotë!
Ndonëse më duhet ta pranoj që më shumë më intereson mendimi i Mehmet Krajës për Big Brother Vip Kosova apo Përputhen, se për ta zëmë për Asociacionon apo raportet me ShBA-të. Andaj e inkurajoj z. Krajën të shkojë opinionist në njërin nga këto emisone. Mbase edhe ka çfarë të thotë.

