Intervistë| Izet Mexhiti e kritikon Ali Ahmetin: Për keqardhje qëndrimi i tij për përkrahjen e Kurtit e VV-së për ne
Në maj të këtij viti, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit për katër vitet e ardhshme. Gara në kampin shqiptar duket të jetë më ashpra në dekadën e fundit. Pushtetin e kahmotshëm të Ali Ahmetit, kryetar i BDI-së, po e kundërshton Lëvizja Evropiane për Ndryshim (LEN) e përbërë nga Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa.
Në një intervistë për Nacionalen, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike flet për herë të parë gjerë e gjatë në një medie kosovare. Në këtë intervistë, Mexhiti ka shpjeguar për karrierën e tij politike, duke treguar arsyet se pse duhet votuar nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Mexhiti e ka kritikuar Ahmetin për qëndrimin e tij ndaj përfshirjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili po e përkrah opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa propozimin e Talat Xhaferit për kryeministër 100-ditorë, Mexhit e ka konsideruar “më shumë simbolikë sesa arritje e duhur”.
Intervista e plotë:
Nacionale: Deri para një kohe, emri i juaj nuk ka qenë fortë i dëgjuar në Kosovë. Sidoqoftë, tash krahas Ali Ahmetit, me shumë gjasë, ju jeni politikani më i njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut në Kosovë. Megjithatë, për hir të lexuesve tanë, pyetja e parë natyrshëm lidhet me biografinë tuaj politike. Kush është politikisht Izet Mexhiti dhe cila është fuqia e juaj elektorale?
Izet Mexhiti: Unë jam politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut me një përvojë afro 20 vjeçare në skenën politike. Paraqitja ime në skenën politike ka qenë në periudhën e përzgjedhjes sime si Kryetar i Komunës së Çairit, detyrë të cilën jam munduar ta kryej më së miri që mundem. Gjatë udhëheqjes sime me Komunën e Çairit jam munduar të implementoj me sukses mbi 100 projekte me çka ia ndryshuam imazhin kësaj pjese të Shkupit, gjithnjë duke mos hezituar t'i përballojë edhe sfidat më të rënda të cilat u paraqitën në këtë periudhë.
Kam qenë nxitës i ideve për bashkëpunim me sektorin civil, me shoqatat e ndryshme, gjithnjë duke marrë mendimin dhe sugjerimet pozitive që shprehin këto. Gjithashtu jam munduar maksimum të bashkëpunojmë me komuna nga Shqipëria dhe Kosova. Sa i përket fuqisë sime elektorale mendoj se dita-ditës po dëshmohet me ardhjen e personaliteteve të ndryshme në rrugëtimin tonë të ri politik, në Lëvizjen Dekokratike, me ç'rast tregon seriozitetin e hapjes së këtij kapitulli të ri për shqiptarët dhe kthimin e shpresës së tyre.
Nacionale: Si kurrë më parë, zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut kanë ngjallur një interesim në Kosovë. Ky interesim duket të jetë i ndërlidhur me faktin që kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka një afërsi me opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut, të cilën e udhëhiqni ju. Kjo afërsi, e cilësuar si ndërhyrje në zgjedhje, është kritikuar nga Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Si i keni parë këto zhvillime dhe si i komentoni kritikat e Ahmetit për Kurtin? A mendoni se lëndohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për shkak të përfshirjes së Kurtit dhe eksponentëve të tjerë të VV-së në zgjedhjet te ju?
Mexhiti: Kjo me të vërtetë është për keqardhje, sa i përket qëndrimit të Ali Ahmetit kundrejt përkrahjes që e shfaq Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin ndaj opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Askush në Maqedoninë e Veriut nuk ka konsideruar Lëvizjen Vetëvendosje si "trup i huaj që përzihet në Maqedoni", por si pjesë e historive, vuajtjeve të përbashkëta që kishim dhe kemi si shqiptarë.
Nga ana tjetër, është e pakuptueshme dhe skandaloze kritika e Ali Ahmetit për pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në vendin tonë, ndërkohë për vite me radhë në Maqedoninë e Veriut ekziston partia serbe e ashtuquajtur "Partia Përparimtare Serbe në Maqedoni" e cila vepron sipas formatit të partisë "Srpska Narodna Stranka" me seli në Beograd e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq. Pra, është tezë e pabazë dhe e padrejtë që të kritikohet pjesëmarrja e Vetëvendosjes, ndërsa të qëndrosh i pazëshëm ndaj njē partie serbe e cila për dy dekada ekziston në Maqedoninë e Veriut.
Nacionale: Kryeministri i radhës në Maqedoni të Veriut, për së paku 100 ditë, do të jetë një politikan shqiptar, Talat Xhaferi, i cili është propozuar nga BDI-ja. Në pikëvështrimin tuaj, a është një arritje për t’u duatrokitur apo vetëm një simbolikë shterpe?
Mexhiti: Së pari, kryeministri shqiptar në një qeveri teknike është më shumë simbolikë sesa arritja e duhur e vendin tonë, pasiqë rezultati efektiv dhe zotimi ishte që një kryeministër shqiptar të jetë me mandat të plotë katërvjeçar. Së dyti, personaliteti i nominuar për postin e kryeministrit është figura politike që ka kryer një funksion të lartë shtetëror, atë të Kryetarit të Kuvendit, andaj ka qenë e udhës që promovimi të jetë i ndonjë figure të re profesionale dhe integruese me çfarë denjësisht do ta kryente këtë detyrë, qoftë edhe në qeverisje teknike. BDI vazhdimisht po e bën endjen e disa figurave të tyre nëpër dikastere të ndryshme, duke krijuar një bindje se askush tjetër pos tyre nuk është meritor, gjë që nuk është e vërtetë.
Nacionale: Në qeverinë e fundit, shqiptarët udhëhoqën disa ministri, përfshirë atë të Punëve të Jashtme. A ka ndryshuar situata e shqiptarëve gjatë qeverisjes së BDI-së?
Mexhiti: Nuk jam edhe aq skeptik sa i përket avancimit të shqiptarëve nëpër ministritë dhe dikasteret e ndryshme shtetërore, por nga ana tjetër, duhet të bëj vërejtjen se disa prej tyre nuk e kanë kryer detyrën e tyre apo nuk e kanë përfaqësuar vendin nga institucioni i tyre ashtu siç duhet dhe siç e pretendojmë rrugën euro-integruese. Përmendët Ministrinë e Jashtme, ua rikujtoj si ministri i jashtëm nga radhët e BDI-së ishte edhe kryesues i OSBE-së dhe në organizimin e samitit të kësaj organizate në Shkup, ai mirëpriti edhe ministrin e jashtëm rus, Sergey Lavrov, fakt ky që nuk e besova as unë e as shumica e qytetarëve, duke e ditur qartë se Rusia është agresori kryesor që shkaktoi luftë në Ukrainë me përmasa globale.
Pra, është një paradoks i qartë ku OSBE-ja shërben për sigurinë në Evropë, ndërsa mirëpritet kërcënuesi kryesor i sigurisë. Fakt tjetër për të njejtin ministër është se nuk e gjeti të duhur ta vizitojë Prishtinën zyrtare pas sulmit terrorist nga Serbia në Veri të Mitrovicës, ndërsa sa i përket angazhimit për kthimin e Nikolla Gruevskit, duket se e sheh më të rëndësishme si çështje dhe angazhihet fuqishëm.
Nacionale: Partia e Ahmetit ka qenë pjesë e qeverisjes në Maqedoninë e Veriut që më shumë se një dekadë, ndërsa ju keni qenë pjesë e BDI-së për një kohë. Ku dallon Lëvizja Demokratike nga BDI-ja e Ahmetit? Pse duhet t’ju votojnë juve qytetarët e Maqedonisë së Veriut?
Mexhiti: Pas eskalimit të debatit brendapartiak në BDI dhe pasiqë zëri jonë u injorua për parregullsitë që i evidentuam, na bëri që t'i ndajmë rrugëtimet politike. Dallimi jonë si Lëvizje Demokratike nga BDI-ja e Ali Ahmetit është se ne e konsiderojmë pasuri dhe vlerë debatit brendapartiak, shkëmbimin e ideve, luftojmë dukuritë devijante dhe nxisimin pavërësinë e qeverisjes së gjyqësorit, promovojmë të rinjtë, po edhe profesionistët me karrierë të cilët kanë qenë "nën hije" dhe nuk kanë pasur rastin të kontribuojnë në shoqëri.
Është konstatim i përgjithshëm se BDI ka humbur identitetin dhe është larguar nga shtyllat identifikuese. Mund ta paramemdoni, ju jap vetëm një shembull, BDI është bërë partia që nga faktori ndërkombëtar apostrofohet si pengesa kryesore e eurointegrimeve për shkak ndërhyrjeve flagrante në gjyqësi, ku rishtasi me tërë forcën është angazhuar për shkarkimin e Kryrteres së Gjykatës Supreme, znj. Besa Ademi, për faktin se ajo nuk u dakordua që ta rikthejnë Nikolla Gruevskin në Maqedoninë e Veriut, kërkesë kjo eksluzive e BDI-së. Kjo qeveri, pas një analize të mirëfilltë na rezultoi se kishte realizim te programit zgjedhor prej vetëm 2%.
Ndërsa nga ana tjetër, ky ekzekutiv i udhëhequr nga Artan Grubi, për 4 vite qeverisje ka shpenzuar jo më pak se 25 milion euro për blerjen e aparateve të kazinos. Kjo pasqyrë pra reflekton tjetërsimin e BDI-së dhe këtë e kupton edhe anëtari më i thjeshtë. Andaj, sa i përket angazhimit dhe përvojës sonë politike, jemi të bindur se do sjellim NDRYSHIM në vendin dhe shoqërinë tonë dhe se do jemi shpresa e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.