Dy Kimat: Pse statuset e Kimete Berishës e Kim Mehmetit s'duhen lexuar e janë pa lidhje? - NACIONALE

Dy Kimat: Pse statuset e Kimete Berishës e Kim Mehmetit s'duhen lexuar e janë pa lidhje?

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Tensionet në Facebook kanë vazhduar edhe një ditë pas dështimit të arrijtjes së një marrëveshjeje për targat në Bruksel. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk lejoi që kjo "luftë" me BE-në të zhvillohet vetëm përmes "osmanëve" të botës së analistëve. Mos të keqkuptohemi, nuk bëhet fjalë për osmanët, pasaradhësit e Osman beut, themeluesit të Perandorisë Osmane.

Në këtë kontekst, "osmani" është analisti që flet si Vjosa Osmani ose anasjelltas. "Intervenimi" me gjuhë prej analisteje e Komandantes Supreme hodhi poshtë pretendimet se ajo është vetëm një notere e Kurtit.

Një blogere, jashtëzakonisht e famshme, e quajtur Kimete Berisha "ndërhyu" në debat, por të mos thënë asgjë. Edhe një tjetër publicist me emrin Kim, mos u frikoni jo ai Kimi i raketave të Koresë së Veriut, por i një veriu tjetër, atij të Maqedonisë. Kim Mehmeti publikoi një "manifest personal" lëvdatash ndaj Kurtit. "Raketat" e Kimit goditën në një hapësirë kohore 20-vjeçare të gjithë ish-pushtetarët e Kosovës.

Dita e 3-të e Kupës së Botës solli një befasi, e cila u komentua gjerësisht në Kosovë, pasi lojtari i dytë më i mirë në histori, pra z. Leo Messi, u turpërua keqas nga Arabia Suadite.

Statusi nr.1
: Vjosa Osmani

"Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria", shkruan në hyrje zonja Osmani.



Vjosa Osmani e ka ngatërruar funksionin që mban. Për një moment, ajo harroi se është shefja e shtetit dhe u shndërrua në një analiste. Ajo zgjodhi një gjuhë aspak diplomatike për ta "gozhduar" Joseph Borrellin, shef i diplomacisë së BE-së, që tashmë është bërë tabelë qitjeje e pushtetit.

Zonja presidente, nuk jeni analiste politike, por Komandante Supreme dhe njeriu më i votuar në histori të Kosovës. Vërejtjet që i keni ndaj Borrellit do të duhej t'i shpalosnit në takime të mbyllura, jo të akuzoni publikisht njeriun që ka në duar "dyzginat" e diplomacisë evropiane.

Statusi nr.2: Kimete Berisha

Albin Kurti i projekton problemet, pastaj pret të bëhet dramë rreth problemit që e projekton, e pasi që të bëhet dramë - e zgjidh problemin që e ka krijuar vet”, e nis statusin e saj të gjatë në Facebook, Zonja Berisha.

Komenti jem:

Kimete Berisha është kopjace. Ajo zgjodhi një përshkrim të Bernard Kouchnerit, ish shef i UNMIK-ut në vitet 1999-2001, për Hashim Thaçin për ta përshkruar Albin Kurtin. Siç thoshte dikur Bernardi për Hashën, të njëjtat fjalë i thotë 20 vite më vonë Kimetja për Binin. Sipas zonjës blogere, Kurti, sikurse Thaçi më hërët, po krijon probleme gjatë natës, për të ofruar zgjidhje në mëngjes.

Asgjë origjinale në tekstin e zonjës Berisha, është thjesht një kopjim i vonuar, që përbrenda ka një gjuhë politikisht jokorrekte. Nuk kam se si ta quaj analizë një postim, ku sulmohen me gjuhë brutale njerëzit e tjerë. Për më shumë, zonja Kimete e "desubjektivizon" Vjosa Osmanin, duke pretenduar se i gjithë suksesi politik i Osmanit është rrjedhojë e Kurtit. Pra është një reduktim me premisa seksiste, ngase në botëkuptimin e Kimetes, gruaja nuk mund të jetë politikane e suksesshme. Sipas saj, Vjosa është presidente sepse ekziston Albini.

Keq, Kimete, tmerrësisht keq.

Statusi nr.3:
Kim Mehmeti

Kurti e pastron ‘plehun’ që lanë pas vetes burrështetasit e mëparshëm të korruptuar të Kosovës”, shkruan publicist nga Shkupi, Kim Mehmeti.

Komenti jem:

"Yjet" e sotëm të këtij shkrimi janë personat me emrin Kim. Pas zonjës Kimi, vjen zotëriu Kim, Kim Mehmeti. Megjithatë, postimi i tij nuk meriton analizë të gjatë, ngase është vetëm një grumbull shkronjash. Zakonisht gjuha e tij është e tillë, e mbushur plot me konspiracione, dehumanizim të tjetrit, dogma e çka jo tjetër. Nuk di njëherë në jetën e tij që Kimi ka shkruar diçka emancipuese.

Në fakt, Kimi na e vërteton edhe një gjë tjetër. Shqiptarët, kudo që jetojnë, e kanë të vështirë të artikulohen racionalisht. Ndoshta, fajin e kanë 36 shkronjat e alfabetit, që për Kimin duket se nuk mjaftojnë për të thënë diçka të meçme. Përgjegjës për këtë janë bijtë e Rilindjes Kombëtare, që në Kongresin e Alfabetit, përvjetori i së cilës është sot (urime me këtë rast), nuk arritën të krijojnë mjaftueshëm shtrat "shprehësor".

Statusi nr.4
: Fatmir Spahiu Bufi

Aktori i njohur e ka nis ditën me dy gjërat që i dëshiron më së shumti: ushqimin dhe Messin.

"Ky moment nuk përseritet ma.
Ha mëngjes e kqyr Messin t'u lujte!
Sdi sdi.
", shkruan gëzueshëm Bufi.

Komenti jem:

Më vjen keq që dita nuk i shkoi aq mirë siç e nisi aktorit sipas meje, më të mirë kosovar. Nëjse me vjen mirë dhe u gëzova që humbi Argjentina e Leo Messit nga një ekip tërësisht jofavorit si Arabia Saudite. E përdora statusin e z. Bufit me shprehë lumturinë se të Berat Buzhalës nuk guxoj, pasi ai është pronari i kësaj gazete ku po botohet shkrimi.

Natyrisht, edhe unë kam ekip të preferuar, për të cilin bëj tifo këtë Kupë të Botës. Kombëtarja që unë e përkrahi në këtë garë, ka në përbërje lojëtarin më të mirë të të gjitha kohërave. Po, ia qëlluat, Portugalia është ekipi absolutisht më meritori për t'u bërë kampion.

PS: Mirlind Behluli është bashkëpunëtori im në satirë në këto tekste (kjo nuk është satirë).

Lajme të ngjashme