Satirë, kritikë militante, konspiracione në Facebook: Mirena e Ramabaja anash, Pozhari diku në mes - NACIONALE

Satirë, kritikë militante, konspiracione në Facebook: Mirena e Ramabaja anash, Pozhari diku në mes

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Facebook-u është platforma absolutisht më e popullarizuar nga analistët kosovarë për të shprehur mendimet e qëndrimet e tyre. Nga sot e tutje, reflektorët e mi të analizës do të "ndriçojnë" mbi ata që vazhdimisht shkruajnë për ngjarjet politike në Kosovë. Komente për komentet e analistëve.

"Yjet" e universit të analistëve kosovarë, natyrisht, janë Valon Syla, Rron Gjinovci, Donika Kadaj, Ilir Mirena, Xhevdet Pozhari, Blerim Latifi, Halil Matoshi, Visar Ymeri, Parim Olluri, Shkëlzen Gashi, Gazmir Raci, Zana Avdiu (nuk është në këtë listë për shkak të lidhjes familjare, por se e meriton) e të ngjashmit (stop nepotizmit, sepse siç do thoshte Kurti, farefisi është për dasmë). Edhe të gjithë të tjerët që së paku një herë në jetë kanë dalë në televizion si analist.

Sigurisht, disa nga të lartpërmendurit, s'do parapëlqenin të quheshin analistë, por aktivistë ose profesorë. Megjithatë, edhe të tillët janë analistë, ndonëse nuk e pranojnë këtë fakt.

Për dallim nga statuset e tyre, ku herë pas herë ka komente të papranueshme, unë këtu do të fokusohem vetëm dhe vetëm në përmbajtjen e shkrimeve të tyre (ose të analizës së tyre, siç dikush me shumë nonshalancë do të (keq)përdorte këtë term të lartë logjik). Pra nuk është vendim gjyqësor, as interpretim i Gjykatës Kushtetuese, por tërësisht komentim personal. Andaj, no offense. Jeta vazhdon dhe pas komentimit tim. Mos u ndalni, shkruani. Kështu ma pasuroni edhe rubrikën time, duke e arsyetuar rrogën time të majme.

Statusi nr.1: Sadri Ramabaja

"Opozita kosovare dhe gara e bukurosheve në konkursin për mis",- shkruan që në hyrje Ramabaja, që ndryshe njihet si tosku kosovar.

Komenti jem: Gjuhë brutalisht e ashpër dhe morbide. Absolutisht nuk meriton analizë, por vetëm përqeshje. Sepse, shkrimi përmban fund e krye konspiracione. Z. Ramabaja akoma nuk ka arritur të tejkalojë frikën nga shërbimet sekrete në ish-Jugosllavi. Me gjasë nacionalisti Ramabaja ende frikohet nga Stanishiqi.

Statusi nr.2: Ilir Mirena

"Me e kqyr nga aspekti i marketingut, Haki Abazit hallall i qofte. I vetem, po boll po merr vemendje mediale." - shkruan ndër të tjera Mirena.

Komenti jem:

Gazetari opozitar, Ilir Mirena ka komentuar intervistën e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi. Në këtë postim, z.Mirena shfaqet si njohës i marketingut dhe po ashtu i gjuhës popullore, duke përdorur termin hallall. Pra sipas z.Mirenës ne duhet ta komplimentojmë Haki Abazin, deputetin e rebeluar, për mënyrën se si ai zgjedh të bëjë politikë në media.

Por, për çudi, "populli facebookian" nuk është se e priti mirë këtë lëvdatë të Mirënës ndaj Abazit, pasi ai mori më pak pëlqime se që merr zakonisht. Në këtë postim, Ilir Mirena ka marrë 180 pëlqime për mbi 24h. Nuk janë shumë. Për çudi, në statusin e tij, nuk ka ndonjë koment interesant.

Megjithatë, unë i jap të të drejtë dhe e aprovoj këtë status të Mirënës. Haki Abazi "shkëlqen" kundrejt shumë deputetëve të tjerë të LVV-së. Sepse, një numër i madh i deputetëve të LVV-së “e hanë bukën kot” si deputetë. Nuk bëjnë gati asgjë, nuk iniciojnë asnjë ligj, as projekt.

Por, mendoj se ka edhe një arsye tjetër pse Mirena e lëvdon këtë herë deputetin Haki Abazi. Kritika që ky i fundit i bëri Vetëvendosjes, partisë që Mirena nuk e duron dot, mund të jetë një faktor pse analist i rregullt i Pressingut ia bëri "hallall" Abazit.

Statusi nr.3: Xhevdet Pozhari

"Pro-amerikanizëm është ta duash dhe ta zhvillosh shtetin tënd siç po përpiqet Albin Kurti, e jo ta shkatërrosh siç vepruan ata më herët.

Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi nuk mund të quhen as liderë, janë veç udhëheqës të përkohshëm të partive!"- komenton Pozhari në Facebook prononcimin e tij në ATV.

Komenti jem:

Për dallim nga Mirena, Pozhari ka cak tjetër. Shënjestra e tij këto ditë të fundit janë dy liderët e opozitës, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së. Ndoshta pavetëdijshëm Pozhari po e ndjen mungesën e tyre në Kosovë (hehehe, pak shaka). Nejse, mua më duket pak si xhelozi që lideri i tij i shumë pëlqyer, pra Kurti, dhe zyrtarët e partisë së tij të preferuar, pra të LVV-së, nuk "fluturuan" drejt SHBA-së, pasi Ambasada amerikane ua "shtyri" vizitat e planifikuara.

Pozhari si zakonisht ka marrë shumë pëlqime. Statusi i komentuar këtu nga unë, u pëlqye 852 herë për vetëm 14 orë. Shifër marramendëse. Sipas meje, satusi i statusit: shumë i pëlqyer. Nuk ka ndonjë koment që ia vlen me përmend, shumica janë përkrahëse të asaj çfarë shkroi z.Pozhari.

Statusi nr.4: Ilir Ibrahimi

"Presidenti Kurti do të mund të ishte zgjidhja,"- shkruan ndër të tjera analisti Ibrahimi në Facebook.

Postimi i tij ka marrë 37 pëlqime dhe 1 koment, që është jashtëzakonisht pak për një ide të tillë provokative.

Komenti jem: Politikanit me peshën me të madhe elektorale dhe politike t’i propozohet post ceremonial duhet të jetë gjëja me absurde që mund ta lexosh edhe në rrjete sociale. Prandaj, Ibrahimi mori vetëm 37 pëlqime. Z.Ibrahime, ndrysho mendjen. Kurti është i madh për këtë pozicion - do të thoshte militanti i VV-së nga Zyra qendrore e kësaj partie në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.

Lajme të ngjashme