Edhe një kompromis nga Albin Kurti: si u tërhoq Kosova nga zgjedhjet në veri? - NACIONALE

Edhe një kompromis nga Albin Kurti: si u tërhoq Kosova nga zgjedhjet në veri?

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Një kompromis i ri në biografinë e Albin Kurtit, dikur liderit që s'njihte termin "kompromis". Pas shumë tensioneve në veri, ku mbeti i plagosur edhe një polic, Kosova ka shtyer zgjedhjet që parashiheshin të mbaheshin më 18 dhjetor. Përkundër vendimit, tensionet në veri vazhdojnë të mbizotërojnë, me pikat kufitare në Bërnjak e Jarinje të bllokuara pas arrestimit të ish-policit serb këtë të shtune.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me liderët e partive parlamentare, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Shtyrja e zgjedhjeve ndodhi pasi bandat serbe në veri hodhën një mori bombash shoku duke terrorizuar shqiptarët në veri, me Serbinë që paralajmëroi "rikthimin" e ushtrisë serbe në Kosovë.

Këmbngulja e Qeverisë para dorëzimit

Qeveria e Kosovës insistoi për javë të tëra për mbajtjen e zgjedhjeve, edhe pasi ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier alarmoi për mungesën e kushteve për zgjedhjet në veri.

“Absolutisht që po, absolutisht ne kemi kapacitete me i mbajtë zgjedhjet." - kishte deklaruar me një ton prej "triumfalisti" ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

I vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve për 18 dhjetor ishte treguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, cili, të premten në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, mbajti një "ligjeratë. Shefi i ekzekutivit deklaronte se s'mund t’i trajtojë ambasadorët e KUINT-it si ministra.

“Vazhdimisht jemi në bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë. Por ju duhet ta kuptoni, edhe ata presin të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorë të QUINT-it, por ata s’bëhen dot ministra. Ministra janë qyetarët e këtij vendi, aktualisht në Qeverinë tonë e qeveritë vijnë e shkojnë, por shteti mbetet… Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë nuk mund të jetë në mënyrën në të cilët ne i trajtojmë ata si ministra, e ne të bëhemi zëvendësit e tyre, sepse as ata nuk e duan këtë gjë. Jemi në një fazë të ndjeshme, por edhe progresive në kuptimin demokratik e civilizues të fjalës”, ka thënë Kurti.

Edhe zyrtarë të tjerë të LVV ishin deklaruar në favor të mbajtjes së zgjedhjeve, përfshirë Sami Kurteshi, përfaqësuesi i VV-së në Komisionin Qendror Zgjedhor. Madje, ai paralajmëronte shkarkimin e ministrit Sveçla në rast se nuk krijohen kushtet për zgjedhje në veri.

"Përndryshe duhet ta shkarkojmë. Kaq.” - theksonte papandehshëm z. Kurteshi, të cilin qëndrim e ndryshoi kur u pyet nga moderatorja.

“Domethënë ministri Sveçla duhet të shkarkohet, nëse nuk mbahen zgjedhjet?” - pyeti gazetarja.

“Unë nuk thashë duhet të shkarkohet. Nëse ministri Sveçla nuk mund të garantojë, nuk ka informata, atëherë duhet të mendojë dy herë çka po bën. Por unë i besoj ministrit të Punëve të Brendshme. Në momentin që s’i besoj, s’ia qes votën.” – u përgjigj Kurteshi.

Tensionet në veri...vazhdojnë

Të enjten një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar në Zveçan, ku si pasojë një polic kishte mbetur i plagosur.

Mbi me 11 bomba të shokut ishin hedhur në lagjen e Boshnjakëve, të martën dhe të mërkuren.

Zyrtarët serbë kishin kërcënuar me dërgimin e 1.000 trupave policore të saj në Kosovë.

Pas drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq edhe kryeministrja e Serbisë kishte deklaruar se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë, dhe sipas tyre ky veprim se do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Prandaj jemi shumë afër dhe besoj se sot presidenti Aleksandër Vuçiq do të japë më shumë informacion rreth takimeve të tij për të kërkuar kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të OKB-së. Sepse KFOR-i nuk po e bën punën e tij dhe sepse serbët në Kosovë dhe Metohi nuk mund të ndihen të sigurt, aty rrezikohet jeta e tyre, përfshirë edhe fëmijët në kopshte”, pretendoi Bërnabiq.

Edhe sot kanë vazhduar tensionet në veri, me serbët që kanë lëshuar përsëri sirenat pas arrestimit të një ish-polici nga Policia e Kosovës në një fshat të komunës së Zveçanit.

Madje, tashmë raportohet se edhe pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje janë bllokuar.

Lajme të ngjashme