Mbyllen dy pikat kufitare në veri, Jarinje dhe Bërnjak
Situata në veri është tensionuar edhe më shumë orëve të fundit. Kjo pasi serbët kanë vendosur barrikada në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Krejt kjo për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, që u arrestua në Jarinje. Ai po dyshohet për pjesëmarrje në sulmin ndaj policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së pak ditë më parë.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se dy pikat kufitare që çojnë për në Serbi janë mbyllur. Ajo e Jarinjes dhe Bërnjakut.
Fillimisht Policia njoftoi vetëm për mbylljen e pikës kufitare në Jarinje, kurse pasi u vendosën barrikata edhe në pjesë të tjera të veriut, u mbyll edhe ajo në Bërnjak.
“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave. Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Kur kanë kaluar pak orë nga vendosja e barrikadave, serbët po vazhdojnë të qëndrojnë nëpër rrugë, transmeton Nacionale.
Evropa e Lirë raporton se për ta monitoruar situatën po lëvizin helikopterët e KFOR-it nga ajri. Sipas tyre, numri i serbëve që po qëndrojnë afër barrikadave është zvogëluar dukshëm krahasuar me pjesën kryesore të ditës.
Policia e Kosovës në anën tjetër iu ka bërë thirrje qytetarëve që ta ruajnë qetësinë.
“Si çdo herë Policia e Kosovës, fton qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës”, theksohet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër, në fotografitë që kishin publikuar mediat serbe, shiheshin edhe persona të maskuar në Zveçan. Rruga është bllokuar me eskavatorë dhe në disa zona janë parë edhe autoambulanca të qendrave mjekësore të veriut.
Pse u bllokuan rrugët?
Serbët nisën bllokimin e rrugëve pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq. Ky i fundit u arrestua nga Policia e Kosovës në pikën kufitare të Jarinjes. I njëjti dyshohet se ka sulmuar policët dhe zyrtarët e KQZ-së ditë më parë.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe angazhimeve policore, sot në Pikën Kufitare Jarinje është ndaluar personi i dyshuar D.P. (M/S/K), njëherit ish pjesëtar i PK-së, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues. Personi i dyshuar ka qenë i përfshirë në organizimin e sulmeve në zyrat e KKZ-së dhe sulmeve ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se ky ish-polic dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e veprave terroriste.
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç'rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, ka shkruar ministri Sveçla.
“Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Ftoj të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë e në veçanti qytetarët tanë të etnisë serbe që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në veri. Asgjë nuk mund t'i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit”, ka shkruar ai.
Pas arrestimit, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka biseduar edhe me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Deri te këto tensione ka ardhur gjatë takimit që presidentja Osmani po zhvillonte me partitë politike. Aty u vendos që zgjedhjet e parapara për 18 dhjetor në veri, të shtyhen për 23 prill. Kjo pikërisht për të shmangur tensionet.