Buxhovi e kritikon Osmanin pse bëri iftar me studentë: Është antikushtetues - NACIONALE

Buxhovi e kritikon Osmanin pse bëri iftar me studentë: Është antikushtetues

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Jusuf Buxhovi, historian i njohur, ka shprehur një brengë. Sipas Buxhovit, që dikur ishte zyrtar i LDK-së gjatë viteve 90-ta, në Kosovë po lëndohet fondamenti laik i shtetit. Madje, në intervistën në “Rubikon”, Buxhovi ka përmendur iftarin e Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës, me studentët e Universitetit të Prishtinës si antikushtetues.

Fillimisht, Buxhovi u ankua shkurtimisht për mosrespektimin e simboleve nga njerëz të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Janë disa gjëra që janë të prekshme. Nëse një deputet i partisë në pushtet nuk i respekton simbolet e shtetit, herë çohet kur çohet flamuri, herë ulet, herë e injoron, flet poshtë e përpjet kundër saj” – tha Buxhovi fillimisht.

Megjithatë, në universin e Buxhovit, ky mosrespektim i flamurit nuk është gjëja më brengosëse. Për Buxhovin, më brengësose është mosrespektimi i shtetit laik dhe përzirja e klerikëve në debatet politike.

“Ajo që është edhe më brengosëse për mu, që e prek fundamentin e konceptit tonë perëndimor dhe një shoqërie demokratike, është se kushtetutshmëria nuk po respektohet sa duhet prej qeverisë dhe klasës politike. Kur flas kështu, e kam parasysh shtetin laik. Me Kushtetutë, Kosova është shtet laik dhe laicizmi dihet çfarë është. Vetëm Franca dhe ne e kemi këtë model. Parimi i parë i laicizmit është mbrojtja e qytetarëve nga religjioni. Parimi i sekularitetit është që religjioni të lejohet i lirë, por të mos përzihet. Nëse një qeverisje dhe klasë politike e then laicizmin në fundament do të thotë lejon që religjioni, klerikët të merren me politikë, që klerikët të flasin si politikanë…Nëpër televizioni flasin, përzihet, ti e ke edhe në arsim. Insistimet për shamia dhe për të tjera, ato janë antikushtetuese…” – shtoi Buxhovi, transmeton Nacionale.

Ndërsa i pyetur nga moderatori Adriatik Kelmendi se pse po sheh që ka shkarje në këtë aspekt, Buxhovi e dha këtë përgjigje:

“Një pjesë e elektoratit të partisë në pushtet, po jo vetëm të tyre, vijnë nga qarqe të tilla, që mendojnë se duhet të ndryshohet edhe fundamenti i shtetit laik, që të mos kemi shtet laik, por janë edhe shumë veprime. P.sh. ka brengosje që politikanët tonë marrin pjesë në iftariada publike, politikanët tonë edhe ceremonialet shtetërore i bashkohen ceremonive fetare. Nuk lejohet, një president dhe një kryeministër në një ceremonial, që ishte si ai i policit të vrarë, ishte ceremonial shtetëror, nuk lejohet të shkohet t’i bashkohet korofeut të klerikëve. Kushtetuta e ndalon atë, është shtet laik. Ndalohet çfarëdo komunikimi i politikanëve me strukturat religjioze”

Buxhovi vlerësoi se në këto iftare më shumë ka biznes sesa fe, ndërsa kritikoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për iftarin në Qendrën e Studentëve.

“Presidentja ishte në iftar me studentët. Jnaë dy mesazhe antikushtetuese, sipas mendimit tim. E para, presidentja është mbrojtëse e shtetit laik, me nenin 1 të Kushtetutës. Ai nuk guxon kurrfarë veprimi të bëjë që është në kundërshtim. E dyta, studentët i takojnë Universitetit të Prishtinës. UP-ja është institucion i shtetit të Kosovës dhe është arsimi laik. Nuk guxon kërkush që në një Qendër të Studentevë ose në një shkollë të reklamojë religjionet. Ky ka qene reklamim i drejtpërdrejtë” – tha ai, transmeton Nacionale.

Buxhovi në fund konkludoi se identiteti kombëtar po na zëvendësohet me identitetin fetar.

Lajme të ngjashme