Abbasi e udhëheqës ndërkombëtarë në bisedime për Gazën këtë javë në Riad
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, dhe disa zyrtarë ndërkombëtarë do të jenë në Riad të Arabisë Saudite këtë javë për bisedime me qëllim të shtytjes për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në Gaza. Bisedimet do të zhvillohen në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, tha të shtunën kryetari i këtij forumi.
“Tani i kemi lojtarët kyçë në Riad dhe shpresojmë se diskutimet mund të çojnë te një proces drejt pajtimit dhe paqes” – tha Borge Brende në një konferencë për gazetarë në Riad, duke shtuar se kriza humanitare e Gazës do të jetë në agjendë, raporton agjencia “Reuters”.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, do të marrë pjesë në takime, bashkë me udhëheqës rajonalë, përfshirë kryeministrin e Katarit, kryediplomatin e Arabisë Saudite, princin e Omanit dhe zyrtarë të Bahrejnit, shtoi Brende.
Sipas tij, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, do të jetë atje për t’i njoftuar zyrtarët rreth një rundi bisedimesh që negociatorët egjiptianë zhvilluan në Izrael të premten në përpjekje për t’i rinisuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për t’i liruar pengjet e mbetura izraelite.
“Tani është pak momentum për bisedime për pengjet dhe gjithashtu për një armëpushim të mundshëm” – tha Brende.