Akademia e Shkencave: U kryen krime kundër njerëzimit, politikanët e UÇK-së uzurpuan pushtetin - NACIONALE

Akademia e Shkencave: U kryen krime kundër njerëzimit, politikanët e UÇK-së uzurpuan pushtetin

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Akademia e Shkencave dhe Artëve të Kosovës (AShAK) që nga dje është kritikuar shumë për një raport të lëshuar në nëntor të këtij viti në publik, ku me një gjuhë aspak korrekte kritikonte ish-qeveritë e kaluara, ish-presidentin Hashim Thaçi, Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, Maqedoninë e Veriut e Ali Ahmetin e BDI-së. Por po aq e debatueshme është edhe një pjesë ku flitet për Gjykatën Speciale dhe krimet e luftës e të pasluftës.

Në nëntitullin “Gjykata Speciale në Hagë”, AShAK-u tregon narrativën e saj mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se shumica e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe mediet, “janë gjetur nën një presion të madh për t’u distancuar” dhe “demonizuar” Specialen si “anti-shqiptare dhe anti-kosovare”.

AShAK, që është institucioni më i lartë shkencor në Kosovë, konkludon se në periudhën e luftës dhe pasluftës u kryen krime, që mund të kualifikohen si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Megjithatë, sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe pavarësisht nga fakti se në mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë.” – shkruan AShAK.

Tutje, AShAK thekson se Gjykata Speciale u krijua nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, duke akuzuar nomenklaturën politike, që ishte trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, për uzurpim të pushtetit, përfshirje në krim të organizuar e korrupsion të përmasave të mëdha.

“Po ashtu tashmë është krijuar bindja se Gjykata Speciale, e krijuar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, as do të formohej dhe as do të niste nga puna, jo vetëm sikur të ishte ngritur një sistem i qëndrueshëm gjyqësor në Kosovë, por edhe sikur nomenklatura politike e Kosovës, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të mos e uzurponte pushtetin dhe institucionet vendore, të përfshihej në krim të organizuar dhe në korrupsion të parmasave të mëdha dhe të mos jepte asnjë shenjë se mund të largohej nga pushteti në mënyrë demokratike.” – shkruhet tutje aty.

Madje, AShAK-u përmend edhe përpjekjen e ish-krerëve të UÇK-së për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Më anë tjetër, ish-krerët e UÇK-së u përpoqën disa herë ta zhbënin Gjykatën Speciale, synuan të përdornin fuqinë e tyre të votës në Parlament dhe, mbi të gjitha, të nxitnin opinionin publik kundër Gjykatës, duke u mbështetur te ndieshmëria e popullit të Kosovës ndaj vlerave të UÇK-së dhe të luftës për liri. Së fundi, bashkësia ndërkombëtare, veçmas BE-ja nuk duhet ta përdor Gjykatën Speciale si argument për të zhvlerësuar pavarësinë e Kosovës, për të domonizuar UÇKnë dhe për të krijuar barazi midis krimeve që ka kryer Serbia në Kosovë dhe krimeve sporadike, shpesh kolaterale, të kryera nga individë të papërgjegjshëm gjatë dy viteve të luftës dhe menjëherë pas saj.” – vlerëson AShAK-u.

Në analizën e gjatë 38-faqe, AShAK-u, që udhëhiqet nga kryeakademiku Mehmet Kraja, vlerëson se drejtësia në Kosovën e pasluftës ishte e brishtë dhe se UNMIK-u, KFOR-i e EULEX-i dështoi të ndjekjen e krimeve.

“Askush në Kosovë nuk e kontestoi faktin se krimet e kryera, kurdo që kishin ndodhur ato dhe me çfarëdo motivi, nuk mund të mbeteshin pa u ndëshkuar, sikundër që nuk e kontestoi as faktin se sistemi i drejtësisë në Kosovë ishte jashtëzkonisht i brishtë dhe se kishte dështuar të sillte para drejtësisë kryers të ndryshëm të veprave penale, veçmas ato me motive politike dhe nga marrëdhënie me komunitetet. Sistemi i drejtësisë që u vendos nga UNMIK-u, në bashkëpunim me KFOR-in, hetoi shumë krime, por ishin të rralla rastet që u proceduan në gjykata, me përjashtim të disa rasteve sporadike, të cilat tashmë kishin arritur të dëshmoheshin. As Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk u shqua për ndonjë ndihmë të madhe në ngritjen dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Të dy këta dy misione u ballafaquan me afera të brendshme dhe me korrupsion permanent, i cili vinte nga vendorët, por që i përfshiu pa përjashtim të gjithë pjesëtarët e këtyre misioneve, qofshin gjyqtarë hetues, prokurorë ose gjyqtarë. Duket se këta misione vetëm në një pikë kishin sukses më të dukshëm: bashkëpunuan intensivisht me gjykatat serbe, për të mbledhur dëshmi kundër krerëve të UÇK-së, shpesh duke manipuluar provat dhe duke i përdorur politikisht ato.” – vazhdohet në analizën e kritikuar gjërësisht nga publiku kosovar." - vlerësohet tutje.

Lajme të ngjashme