Manipulimi akademik: ia përmirëson gabimet analizës, pastaj i akuzon portalet për manipulim - NACIONALE

Manipulimi akademik: ia përmirëson gabimet analizës, pastaj i akuzon portalet për manipulim

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve e Kosovës, Mehmet Kraja, ka reaguar pas debatit për një analizë të publikuar nga ky institucion, në të cilën gazeta “Nacionale” të mërkurën gjeti jo më pak se 118 gabime drejtshkrimore.

Kraja ka akuzuar, siç ka shkruar ai, “disa portale”, për fushatë kundër tij dhe kundër Akademisë së Shkencave dhe për manipulimin e opinionit.

“Përgjatë dy ditëve të shkuara disa portale kanë ndërmarrë një fushatë kundër meje dhe institucionit që përfaqësoj, duke bërë citime të shtrembëruara dhe duke manipuluar në mënyrë të shëmtuar lexuesit e tyre” – ka shkruar Kraja në rrjetin “Facebook”.

“Meqë portalet janë duke e manipuluar opinionin, madje duke nxitur reagimin edhe të ndonjë lideri të partive politike, dua t’i inkurajoj lexuesit që analizën e Akademisë ta lexojnë të plotë, të mos krijojnë bindje të gabuara dhe të mos bëhen pjesë e fushatave denigruese”- thuhet më tej në reagimin e tij me tri fjali.

Sidoqoftë, para se Kraja ta bënte këtë reagim, ai është përkujdesur që, vetë ose duke kërkuar nga dikush, t’i përmirësojë gabimet gjuhësore në analizën e quajtur ““Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, e cila është publikuar në uebfaqen zyrtare të institucionit që ai e drejton.

dokumentin me ndryshime vërehen barazimi i rreshtave në faqe dhe përmirësimi i disa gabimeve gjuhësore e teknike, përfshirë trajtat e shkurtra dhe përdorimin e shkronjës “ë”. Megjithatë, disa gabime të tjera kanë mbetur pa u përmirësuar, përfshirë një gabim në titullin e analizës.

Lajme të ngjashme