Ambasadori gjerman, Rohde: Serbët të kenë autonomi në disa sfera, por brenda ligjeve të Kosovës
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur sonte sërish për situatën në veri dhe jo vetëm.
Në një intervistë dhënë Interaktivit, ai ka përmendur edhe çështjen e Asociacionit, duke thënë se një i tillë nënkupton autonomi për serbët në disa sfera, por gjithmonë me ligjet e Kosovës, gjë e kjo e ripërsëritur për të disatën herë.
Veç kësaj, ai komentoi edhe çështjen e planit franko-gjerman, duke thënë se është krijim i shoqërisë civile gjermane, por që gëzon mbështetjen e autoriteteve.
Tutje, Rohde tha se si miqtë më të mirë të Kosovës, ia kanë bërë të qartë qeverisë se kjo është diçka që duhet bërë.
Këtu, kujtoi edhe nënshkrimin për të zbatuar marrëveshjet e mëparshme. Fillimisht, kritikoi sulmin ndaj gazetarëve kosovarë, duke thënë se është shqetësuese të ndodhë një gjë si kjo, teksa ftoi ata që i vendosën barrikadat, t'i largojnë para Krishtlindjeve.
"Është i papranueshëm sulmi ndaj gazetarëve. Ata janë në vendin e tyre. Problemet në veri duhet të eliminohen. Barrikadat duhet të largohen sa më shpejtë të jetë e mundur. Përshkallëzimi nuk na duhet. Ata që janë përgjegjës për barrikada, duhet të mendohen mirë."
Standarde të dyfishta
Gjithashtu, Rohde hodhi kritika ndaj Listës Serbe, për shkak të, siç pohoi ai, standardeve të dyfishta që po i aplikon.
Këtu përmendi atë se LS nuk reagoi për keqtrajtimin ndaj Trajkoviqit.
"Shiko, unë kërkoj nga çdo forcë politike depërshkallëzimin e situatës. Varet nga përvoja politike kur kritikoni dikë. Nuk duhet të ketë standarde të dyfishta. Ju lutem, nëse kritikoni diçka, mos aplikoni standarde të dyfishta".
Në njërën prej pjesëve, përfaqësuesi i diplomacisë gjermane në vendin tonë foli edhe për kërkesën serbe te KFOR-i, që të realizohet një kthim i trupave serbë në Kosovë.
Por, për të kjo është kërkesë absurde dhe jashtë logjikës të ndodhë në një vend të pavarur.
"Ministrja e ka thënë qartë: është kërkesë absurde. Kosova është e pavarur. Është diçka jashtë logjikës të bëhet diçka e tillë në një vend të pavarur."
Autonomi
Lidhur me Asociacionin, refuzoi kategorikisht ta quajë bosnjëzim. Më pas, përmendi edhe inicuesit e propozimit të Asociacionit, duke siguruar se gjithçka, edhe ajo që e etiketoi si autonomi në disa sfera për serbët, do të jetë konform ligjeve të Kosovës.
“Kategorikisht e refuzoj bosnjëzimin, apo këtë Republikën serbe, sa herë e kam thënë unë dhe kolegët e ambasadave të tjera se, qartazi, kjo nuk është Republikë serbe. Dhe një OJQ gjermane, së bashku me Institutin Evropian për Paqe së voni e kanë publikuar një propozim për Asociacionin, i cili shumë qartë është hartuar të jetë në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga 2015-a, e cila gjithashtu parasheh disa kompetenca në fushën e shëndetësisë dhe arsimit e mbase edhe planifikim.
Dhe kjo e gjitha është në harmoni me ligjet e Kosovës. Është një lloj i autonomisë në disa sfera që nuk e kërcënon integritetin territorial apo sovranitetin e Kosovës. Dhe, e përmirëson një situatë ku tash e keni realitetin e strukturave paralele, që nuk janë përherë të kontrolluara nga Qeveria e Kosovës, e më pas e keni një strukturë që është plotësisht me rregullativat kosovare. Unë vetëm mund të them: ku është problemi këtu? I gjithë diskutimi ynë këtu është që të përmbushen marrëveshjet e kaluara, në kërkim të zgjidhjeve inovative”.
Ndërkaq, përpos asaj se kërkoi marrëveshje, Rohde vlerësoi se pikërisht për faktin se Serbia bën presion te struktura të caktuara në veri të vendit, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet pambarim për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për t'i integruar ata.
"Mënyra më e mirë është mirëbesimi. Qeveria e dëgjoi propozimin e ministrit. Kështu duhet të jetë. Komunikimi me komunitetet duhet të jetë gjithmonë i pranishëm. Ne kemi një status-quo të re. Thirrja ime është që të arrihet një marrëveshje. Presion që vjen nga Serbia. Prandaj, qeveria duhet të fillojë dialogun dhe të diskutojë me serbët.Qëllimi është të ketë zhvillim e prosperitet".
Në pjesën e fundit, diplomati kërkoi zbatim të vendimit për Manastirin e Deçanit, edhe pse e pranoi se është nënshkruar nga qeveritë paraprake, moszbatimi nënkupton minim të kredibilitetit shtetëror.
"Sundimi i ligjit duhet të zbatohet për të gjithë. Prandaj, kemi kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës për Manastirin e Deçanit. Po, është vendim i qeverive të kaluara, por nëse nuk e zbatoni, atëherë e minoni kredibilitetin e shtetësisë."



