Escobar: Shumë shpejt publikohet dokumenti franko-gjerman - NACIONALE

Escobar: Shumë shpejt publikohet dokumenti franko-gjerman

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Emisari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur sërish për çështjen e marrëveshjes, pak ditë pas vizitës në të dyja vendet.

Kujtojmë, saktësisht një javë më parë ai pohoi se marrëveshja mes palëve është çështje javësh.

Këto deklarime i kishte bërë në një intervistë dhënë Kanal10.

Sot ka dhënë detaje të reja. Escobar madje, ka shtuar se shumë shpejt pritet edhe publikimi i dokumentit të shumëpërfolur franko-gjerman.

"Kjo është një nismë e Bashkimit Evropian. Ne e mbështesim atë. Ne mbështesim çdo lëvizje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja pasi është e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Është e rëndësishme për stabilitetin e evropianëve në një kohë kur po përballemi me kriza si ajo në Ukrainë dhe pjesë të tjera të Evropës.

Sa i përket detajeve, dua të them se ato po diskutohen brenda kontekstit të dialogut të BE-së, të cilin ndonëse e mbështesim, ne nuk jemi palë në të. Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit", tha fillimisht Escobar për versionin në shqip të Zërit të Amerikës.

Veç kësaj ai ka komentuar edhe faktin se me marrëveshjen potenciale, pritet hapja e rrugës euro-atlantike për Kosovën dhe se do të pasojë njohja e vendeve nga BE-ja, e që aktualisht kanë rezerva.

"Absolutisht, qëndrimi ynë është se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Që të ndodhë kjo, ne presim që pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohiur, ta njohin pavarësinë e Kosovës. Evropa ka përcaktuar rrugën drejt njohjes.

Ata kanë përcaktuar rrugën e integrimit evropian dhe kjo rrugë është dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Prandaj, vazhdimisht e inkurajoj qeverinë e Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun, të angazhohet me ndershmëri dhe të mendojë për zgjidhje që mund të përfshijnë edhe kompromis, por në fund të fundit njohja e pavarësisë dhe integrimi janë çelësi", shtoi ai.

Duhet përmendur me patjetër faktin se ai kur qëndroi këtu, pati kritika ndaj zyrtarëve shtetërorë, duke thënë se kur amerikanët japin rekomandime, ato duhet të merren parasysh.

Sepse, siç vlerësoi Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, ndërkombëtarët janë miq të Kosovës dhe se ia duan të mirën.

“Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato. Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga QUINT-i që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë”.

Në anën tjetër tregoi se bisedoi me presidenten Osmani për çështjen e Asociacionit, pra që të dy palët të dalin fitues nga ky Asociacion.

“Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën".

Më pas, ai nuk harroi të precizojë faktin se i njëjti Asociacion duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Lajme të ngjashme