Escobar e diskutoi me Osmanin, cili format i Asociacionit mund ta sjellë situatën "win-win"? - NACIONALE

Escobar e diskutoi me Osmanin, cili format i Asociacionit mund ta sjellë situatën "win-win"?

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë - Serbi, Gabriel Escobar ka qëndruar sot në Kosovë.

Ai u takua me krerët më të lartë shtetërorë, ata opozitarë dhe përfaqësues të Listës Serbe e komunitet serb.

Pas takimeve respektive dhe para se të marrë rrugë për në Beograd, gjë të cilën pritet ta bëjë nesër, Escobar foli për mediat kosovare gjithçka rreth asaj që u diskutua gjatë ditës së sotme me akterët e lartëcekur.

Në një intervistë dhënë Kanal10, Escobar komentoi çështjet kryesore aktuale, përfshirë këtu dokumentin franko-gjerman, Asociacionin, mundësinë për një marrëveshje finale të shpejtë.

"Win-Win"

Në mes përgjigjesh, emisari pohoi faktin se gjatë bisedës me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, folën për formatin e Asociacionit.

Siç tha Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, kanë shikuar mundësinë e një formati që fitojnë të dyja palët, pra si për komunat veriore, ashtu edhe për vet Kosovën.

"Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën", tha fillimisht Gabriel.

Megjithatë, ai nuk harroi ta ripërsëris faktin se ky Asociacion duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

"Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë,që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar", vazhdoi tutje.

Deri më tani nuk është publikuar ndonjë dokument i tillë nga ana e Qeverisë, ani pse zëra për një draft po qarkullojnë tash e sa kohë.

Gjithsesi, mbetet të shihet nëse një i tillë mund të ketë predispozita të pranueshme për secilën palë, plus ndërkombëtarët.

10 muaj

Një nga kërkesat kryesore për të cilat edhe duket të ketë ardhur Escobar në Kosovë është shtyerja e vendimit për targat për 10 muaj të tjerë.

Sipas Emisarit të ShBA-ve ky është një rekomandim dhe siç tha, kur japin rekomandime është mirë të dëgjohen.

“Dua të filloj duke thënë se Kosova ka të drejtë që ta zbatojë këtë, por ne duam të zbatojmë në një formë paqësore dhe që nuk i ngritë tensionet e që nuk na shpërqendron nga disa gjëra që duhet t’i bëjmë. Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë".

Në pjesën e dytë kujtoi faktin se kjo nuk është veç kërkesë e ShBA-së, por edhe e vendeve të QUINT-it.

"Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë QUINT-it. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën”.

"Karremi"

Lidhur me zhvillimet e ditës, Nacionale ka kontaktuar me analistin Imer Mushkolaj.

Ky i fundit, në një përgjigje dhënë gazetares Arta Avdiu ka thënë se Kurti e ka kuptuar rëndësinë e marrëveshjes finale me Serbinë.

Tutje Mushkolaj vleroi se premtimet e Kurtit për dialogun kanë qenë vetëm karrem për vota.

“"Ka qenë i ri, nuk e ka ditë", do të thoshte dikush me ironi. Sidoqoftë, Albin Kurti e ka kuptuar se sa me shpejt që arrihet marrëveshja me Serbine, aq me mirë për vendin dhe qytetarët. Kjo nuk nënkupton se duhet nenshkruar çfarëdo marrëveshje, por Kurti tash e ka rastin dhe fuqinë politike që të dëshmojë në praktikë se do të nënshkruajë marrëveshje jo të dëmshme me Serbinë. Duket se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me BE dhe SHBA për të arritur ujdinë, ndërkaq deklaratat e tij të mëhershme rreth dialogut po del të kenë qenë veç karrem për vota, ngase ai dhe qeveria e tij tashmë kanë përligjur marrëveshje që dikur i konsideronte të rrezikshme dhe të papranueshme”, tha Mushkolaj.

Lajme të ngjashme