A do të vijë lajmi i madh? Sot diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën - NACIONALE

A do të vijë lajmi i madh? Sot diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të diskutojë sot për liberalizimin e vizave për Kosovën. Me fillim nga ora 10:00, mblidhet grupi punues për vizat. Kësaj here, thuhet se kosovarët kanë gjasa më të mira që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave, por asgjë nuk është e sigurt.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që është nën regjimin e vizave. Ndërkaq, nëse kosovarët do të lirohen nga ky regjim apo jo, mbetet të kuptohet sot.

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë dhënë fjalë pozitive sa i përket liberalizimit të vizave.

Që Kosova i ka përmbushur kushtet, e konfirmoi edhe komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili të mërkurën tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Ai këtë deklaratë e bëri në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku i ka prezantuar raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Ai ka thënë se propozimi për liberalizim të vizave ende mbetet në pritje për t'u shqyrtuar nga Këshilli i BE-së.

Sa i përket liberalizimit të vizave, komisioni qëndron prapa vlerësimit të korrikut të vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet. Propozimi është ende në pritje në këshill dhe ne i mbështesim diskutimet e ripërtërira me një përditësim teknik të këtij vlerësimi. Sa i përket dialogut Beograd - Prishtinë, ne kemi nevojë që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive, ashtu siç ne kemi nevojë që Beogradi ta bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Varhelyi.

Megjithatë, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, nuk deklaroi prerazi se Kosovës mund t’i hiqen vizat.

Szunyog, në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Kosovës, të mbajtur të mërkurën, tha se kjo çështje do të jetë në nivel të diskutimeve e pastaj do të vendoset për vizat.

Në njërën anë, mund të them se është e rëndësishme që Këshilli Evropian ta nisë diskutimin e kësaj çështjeje [liberalizimin e vizave për Kosovën], sepse nuk është bërë që nga 2018. Por kjo çështje është një diskutim në nivel të ekspertëve dhe në nivelin e ekspertëve nuk mund të prisni vendime. Do të këtë diskutime dhe, në fund të fundit, është Këshilli i Ministrave që vendos”, ka thënë ambasadori.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është optimist se sot mund të ndodhë liberalizimi i vizave.

Kurti tha se fillimisht duhet parë mbledhjen teksa shtoi se “unë jam gjithmonë optimist, jo vetëm për shkak se optimizmin e kam përshkrim të vendit të punës”.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë të para disa ditëve, ka thënë se prania e saj në Samitin e Bashkimit Evropian, të mbajtur me 23 qershor, ishte kthesë pozitive për mundësitë e liberalizimit të vizave.

Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty e kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues”, ka thënë presidentja në një intervistë për Radion Evropën e Lirë.

Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj.

Kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në njërin nga shtetet që janë pjesë e zonës Shengenit.

Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do ta nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian si Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra, Lihteshtajni etj.

Lajme të ngjashme