Shqetësuese: Kosovarët harxhuan 90 milionë euro për viza prej 2016-s, mbi 500 mijë aplikime
Kosovarët janë më afër se kurrë për liberalizimin e vizave. Sot e nesër, Grupi Punues për Vizat do të trajtojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, të cilën ka kohë qe e ka përkrahur Parlamenti Evropian e Komisioni Evropian. Kosovarët, që janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk mund të udhëtojnë pa viza, kanë humbur miliona euro në procedurat e vizave, duke u ndikuar edhe psikologjikisht ka ky izolim.
Fakte aspak të mira ka nxjerrë një raport e Grupit të Ballkanit për Hulumtimin e Politikave, e që është publikuar ditë më parë.
Mbi gjysmë milioni kosovarë kanë kërkuar një vizë për në BE gjatë viteve 2016-2021. Pra statistikisht pothuajse çdo i treti person në Kosovë i është nënshtruar, së paku, një herë procedures shpesh të kritikuar të vizave, duke harxhuar gati 90 milionë euro për viza.
“Duke humbur momentumin për të marrë liberalizimin e vizave në një paketë, krahas Gjeorgjisë dhe Ukrainës në 2018, kërkesa e Kosovës që atëherë ka rënë në vesh të shurdhër.”, shkruan në fillim të raportit BPRG.
Gjetjet kryesore
Në fakt, në analizën 14-faqëshe, kjo organizatë joqeveritare ka nxjerrë në pah një të vërtetë të hidhur të kosovarëve. Qytetarët janë ndikuar edhe psikologjikisht, por edhe financiarisht nga mungesa e liberalizimit të vizave.
“Të dhënat nga anketa e Grupit Ballkanik (duke përfshirë 220 të anketuar) tregojnë se kosovarët janë të prekur financiarisht dhe psikologjikisht nga regjimi i vizave që padrejtësisht i ka kufizuar mundësitë e tyre në krahasim me fqinjët e tyre. Kur u pyetën për qëllimin e vizitës së tyre, 60% e të anketuarve raportuan se udhëtonin për turizëm, 29% për biznes dhe 19% për arsye të tjera.”, shkruhet në raport.
Qytetarët e Kosovës, përveç kohës së humbur, ata kanë humbur edhe miliona euro në procedurat e marrjes së një vize për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas përgjigjeve të respodentëve, shkruan BPRG, në mesatare një kosovar ka paguar 165 euro për të siguruar një vizë.
“Qytetarët e Kosovës paguajnë një mesatare prej 165 EUR për t’u pajisur me vizë, e cila në të shumtën e rasteve, mbulon një periudhë shumë të shkurtë të qëndrimit në shtetet e Zonës Schengen”, shkruan BPRG në faqen e tyre në Facebook.
Ndoshta dy nga gjejtjet më shqetësuese janë ajo për shumën totale të harxhuar dhe për numrin e madh të aplikimeve.
“Përkundër këtyre sfidave të paprecedentë, shërbimet konsullore të vendeve të BE-së në Prishtinë kanë pranuar rreth 539344 aplikacione ndërmjet viteve 2016 dhe 2021. Nëse kostoja mesatare për çdo aplikim është rreth 165 €, qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar gjithsej 89 milionë euro për të udhëtuar në BE në 6 vitet e fundit. Kjo shumë është mjaft e madhe për një vend me një GDP për frymë prej 4,986 $ (në 2021) dhe një pagë mesatare prej 484 € (në 2021)”, theksohet në raport.
Në raport identifikohet edhe padrejtësia e BE-së, duke theksuar se Kosova është dashur të plotësojë dy herë më shumë kritere (gjithsej 95) për liberalizim të vizave, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat mesatarisht kanë pasur 40 deri në 45 kritere.
Liberalizimi afër?
Këtë të mërkure, pra më 12 tetor, do të diskutohet në Grupin Punues për Vizat çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, që është një nga temat kryesore të këtij grupi.
Në një njoftim të publikuar në faqen e Këshillit të Bashkimit Evropian janë bashkangjitur edhe dokumentet kryesore përkitazi me këtë temë, përfshirë një “non-paper” në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërsa, një pikë tjetër, e rënditur e fundit në njoftimin e KE-së, flet për diskutimin rreth propozimit të Parlamentit Evropian, që është institucioni më përkrahës i BE-së, së bashku me Komisionin Evropian, për liberalizimin e vizave.
Kujtojmë që tashmë ka një momentum të ri rreth liberalizimit të vizave, megjithatë liderët kosovarë janë treguar të matur në deklarime.


