Pesë histori pse s’ka arsye për fishekzjarrë, edhe nëse liberalizohen vizat
Pritet që tri ditët e ardhshme të jenë vendimtare për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët nga Bashkimi Evropian. Ky proces i ka munduar për vite të tëra kosovarët, të cilët në pesë vitet e fundit kanë qenë të vetmit në Evropë që u është dashur të pajisen me viza.
Nacionale ka bërë disa biseda rreth përvojës së shumë njerëzve që i kanë hyrë procedurës së pajisjes me viza. Nacionale ka realizuar një varg "podcast"-esh, përmes të cilave ka shpërfaqur pesë histori të ndryshme që e tregojnë gazepin e kosovarëve për pajisje me viza. Aq kokëdhimbje dhe tortura e shpenzime financiare ka sjellë ky proces për qindra mijëra kosovarë gjatë viteve të fundit, aq shumë është folur për këtë proces si diçka e kryer, sa nuk ka mbetur asnjë arsye për të festuar, edhe nëse këto ditë Bashkimi Evropian merr vendim pozitiv për heqjen e vizave.
Këto janë pesë "podcast"-e si pesë arsye pse nuk ka mbetur hapësirë as të festohet, edhe nëse liberalizohen vizat:
Varfërimi
Kosovarët kanë shpenzuar afro 100 milion euro në shtatë vitet e fundit për t’u pajisur me viza. Këto shpenzime janë bërë përmes formave të ndryshme që ambasadat i kanë vendosur për kosovarët që duan të pajisen me viza.
Historia e parë sa u përket shpenzimeve flet për atë se si ambasadat janë shndërruar në bastore ku kosovarët duhet të shpenzojnë qindra euro, kur të aplikojnë për një vizë, por që nuk e kanë të sigurt atë.
Historia e dytë tregon se si këto shpenzime janë rritur edhe për transportin e pasaportave.
Ndërsa historia e tretë flet për atë se si disa ambasada, që nuk kanë përfaqësim në Kosovë, i kanë shtyrë kosovarët që të udhëtojnë drejt qyteteve të vendeve të tjera, si Shkupi, për t’u pajisur me vizë.
Pritja e gjaaaaaatë
Për shumë vite, “hapja e shampanjës” në zyrat e Ministrisë së Integrimeve dhe qindra rrëfime gazetareske për gazepin e qytetarëve për t’u pajisur me viza kanë qenë traumatike për kosovarët. Liria e lëvizjes për kosovarët është shndërruar në kusht politik, duke u përdorur si karrem edhe nga Bashkimi Evropian, por edhe për konsum të brendshëm populist nga partitë dhe politikanët në pushtet. Në aspektin social, liria e lëvizjes për kosovarët është kushtëzuar me një proces tejet të ngarkuar me dokumente, prej certifikatave civile, llogarive bankare e kontratave të punës.
Kjo është historia e katërt që e shpërfaq gjithë këtë siklet të kosovarëve.
Gjithmonë të dyshuar
Historia e pestë në serinë #VisaStory tregon për qasjen që shumë shtete të Bashkimit Evropian e kanë ndaj kosovarëve. Ky "podcast" do të rrëfejë një histori të një kosovareje e cila, edhe kur është pajisur me vizë, është përballur me pyetje të cilat e kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj. Kush na garanton se kjo qasje nuk do të vazhdojë, edhe kur të na hiqen vizat? Historitë e shumta të qytetarëve nga rajoni, si Shqipëria, tregojnë se në shumë vende të BE-së, pyetjet ndaj tyre në aeroporte e kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e tyre karshi qytetarëve të tjerë në zonën Shengen.
