Vizat: Nesër e pasnesër takimet e rëndësishme, çka duhet të dini?
Grupi Punues për Vizat nesër e pasnesër do të ketë shumë punë, ndërsa kosovarët, emocione të përziera, si shpresë e ankth. Më 12 dhe 13 tetor mblidhet grupi i Këshillit të BE-së që e ka në dorë fatin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ndryshe prej herëve të tjera, këtë herë ka zhvillime më pozitive rreth heqjes së vizave, megjithatë, gjithçka do të vendoset nesër e pasnesër.
Grupi Punues për Vizat mblidhet në objektin “Justus Lipsius”, ndërkaq shumë prej kosovarëve, me shumë gjasë, do t’i kenë sytë kah Brukseli përmes mediave, për të parë se çfarë po vendoset.
Çka do të ndodhë?
E mërkura e 12 tetorit mbledhë në orën 10:00 zyrtarët e Grupit Punues për Vizat, një prej çështjeve kryesore që do ta diskutojnë, është liberalizimi i vizave për kosovarët.
Në njoftimin e publikuar në faqën e Këshillit të Bashkimit Evropian, i janë bashkëngjitur edhe dokumentet kryesore të lidhura me diskutimet që do të bëhen, si një "non-paper" në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërkaq, pika tjetër, që është radhitur e fundit në njoftimin në faqen e Këshillit Evropian, është edhe diskutimi i propozimit të Parlamentit Evropian, institucion ky që bashkë me Komisionin Evropian i ka dhënë dritën e gjelbërt heqjes së vizave, që nga viti 2016.
Grupi Punues do të mblidhet sërish të enjten, në vendin e njëjtë dhe në kohën e njëjtë, pra nga ora 10:00 e mengjesit. Po ashtu, për çështjen e Kosovës, do të diskutohen pikat e njëjta, pra heqja e vizave.
Se çfarë mund të presim ditëve në vazhdim, për Nacionalen tregoi edhe profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi.
Ky i fundit, na tha se shpreson që të paktën deri në dhjetor, liberalizimi i vizave të hidhet në votim në Këshillin e Ministrave. Më pas, Arifi i tha Nacionales se merret edhe vendimi se kur mund të lëvizin lirshëm kosovarët.
“Me takimin e këtyre ministrave, do të merret vendimi që të futet në agjendë çështje e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është hap i rëndësishëm se hyn në ato proceset teknike mandej, derisa të përfundojë dhe shkon në Këshill të Ministrave për votim, kjo mund të zgjasë po them kushtimisht prej një deri në dy muaj, pra deri në dhjetor të paktën të shpresojmë, liberalizimi i vizave mund të jetë në Këshillin e Ministrave që të votojnë dhe më pas merret vendimi se nëse kosovarët mund të lëvizin kosovarët lirshëm në vitin e ardhshëm”, tha ai.
Në fund, profesori Arifi shtoi se tani çështja është më shumë e nivelit politik, se sa atij teknik, duke marrë parasysh këtu se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara.
“Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë, aty mandej varet, unë po besoj që më shumë tash është çështje e nivelit politik, se sa çështje teknike, por po vërehet që ka një vullnet pozitiv brenda vendeve të BE-së”, ka thënë ai.
Çka është liberalizimi i vizave?
Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.
Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.
Një liberalizim potencial nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht. Gjendja në këtë marrëveshje çdoherë mbetet për t'u rivlerësuar. Së pari, qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara. Së dyti, në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës. Rrjedhimisht liria e lëvizjes për në këto vende, mund të mbarojë.



