Gjermania e Franca kërkojnë progres për liberalizimin e vizave, po Holanda? - NACIONALE

Gjermania e Franca kërkojnë progres për liberalizimin e vizave, po Holanda?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në lajmin e ditës është kthyer deklarata e djeshme nga Gjermania, Franca e Polonia, ku kërkohet progres në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pati reagime, por edhe shpresë, se më në fund Kosova po e merr atë për të cilën i ka plotësuar kushtet tash e sa vite.

Në një deklaratë për media në atë që njihet si Trekëndëshi i Weimerit, kërkuan që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

“Ne bëjmë thirrje për proges në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën” – është fjalia në deklaratë.

Duke ditur se Franca ka qenë kohëve të fundit në mesin e shteteve hezituese, ky u vlerësua si zhvillim pozitiv në këtë proces të tejzgjatur.

Megjithatë, ende ka dilema për qëndrimin e Holandës. Nuk dihet nëse qëndrimi ka ndryshuar tërësisht, mirëpo Qeveria e Holandës ka thënë se Kosova duhet të ecë përpara me çështjen e vizave.

Në një raport të realizuar pak ditë më parë nga Instituti EPIK, jepen detaje për qëndrimin zyrtar të Holandës.

“Qeveria holandeze e konsideron liberalizimin e vizave si një instrument efektiv për të nxitur reformat, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit. Lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar është indicator i rëndësishëm për progresin në fushën e sundimit të ligjit. Rrjedhimisht zhvillimet pozitive në këtë drejtim mund të ndryshojnë pozicionin e Holandës”, thuhet në këtë raport të Institutit Epik, raporton Nacionale.

Megjithatë, gjithnjë sipas raportit, mbesin edhe disa sfida përpara.

“Ende mbesin sfida para se mund të arrijnë në ndryshimin përfundimtar të pozicionit holandez. Së pari, Holanda mendon se progresi në fushën e sundimit të ligjit nuk duhet të jetë thjesht sa për sy e faqe, duke prezantuar disa numra abstract për progresin në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Në vend të kësaj, bisedat tona me politikë-bërësit holandez sygjerojnë që Haga sheh liberalizimin e vizave si pjesë e një procesi kompleks i cili përfshin rregullimin e problemeve të thella në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes reformës në sundimin e ligjit”, thuhet më tutje aty.

May be an image of 1 person and text

Por, përveç reformave në drejtësi, përmendet edhe migrimi.

“Së dyti, me gjithë qasjen teknike të qeverisë dhe fokusin në sundimin e ligjit, parlamenti holandez ka qenë më i shqetësuar me migrimin dhe krimin që mund të rritet si pasojë e liberalizimit të vizave brenda Holandës. Gjatë një debate parlamentar të vitit 2019 për përfshirjen e qytetarëve shqipfolës në krimin e organizuar në Holandë, një mocion i kërkonte qeverisë ta kundërshtojë liberalizimin e vizave për Kosovën”, theksohet në raport.

Në anën tjetër, kryeministri i Holandës ka theksuar se do ta presin raportin e ardhshëm nga Komisioni Evropian për liebralizimin e vizave. Holanda kishte ndryshuar qëndrim në vitin 2010 kur ishte kundër liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Këtë e kishte bërë pasi Franca gjithashtu kishte votuar pro.

Pas deklaratës së Gjermanisë, Francës e Polonisë, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Vajmarit. Pres me padurim vizitën e tyre të përbashkët”, shkruan Kurti.

Falënderim ka pasur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Falënderim të madh për Gjermaninë, Francën dhe Poloninë për angazhimin e tyre të vendosur për liberalizim të vizave për popullin e Kosovës”, ka shkruar Osmani.

“Ky proces i vonuar është vendosur prapë në rrugën e duhur përmes punës së palodhshme dhe agjendës së qartë të institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve tanë”, ka thënë presidentja.

Çfarë thotë deklarata e Trekëndëshit?

I ashtuquajturi “Trekëndësh i Weimerit” ka lëshuar një deklaratë të përbashkët në të cilën flet – ndër tjerash – edhe për çështjen e Kosovës.

Duhet thënë që deklarata në fjalë është lëshuar nga ministrat e Punëve Evropiane të këtyre tri shteteve, dhe Kosova nuk është në qendër të saj.

Ministrat flasin fillimisht për çështjen e agresionit rus në Ukrainë dhe për hapat që duhen ndërmarrë në këtë çështje, duke u marrë pastaj edhe me vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Dialogu

“Trekëndëshi i Weimerit” thekson mbështetjen që i jep dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja derisa i japin theks edhe “nevojës për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës e Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane...”

Franca – së bashku me Holandën – ishte vend skeptik në BE për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, në këtë deklaratë është dhënë mbështetje për “progres” në lidhje me çështjen.

“Ne bëjmë thirrje për proges në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën” – është fjalia në deklaratë.

Nuk besohet që në këtë rast kemi të bëjmë me “kompromis diplomatik”, meqë nuk kërkohet në mënyrë eksplicite liberalizimi i vizave. Por, apelimi për proges megjithatë nxjerr të njëjtin kuptim sikurse shprehja eksplicite.

Për çdo rast, ajo që do të ndodh në vijim do të tregojë në lidhje me vërtetësinë e njërit apo tjetrit pretendim.

Në këtë deklaratë nuk përmendet fare iniciativa e Ballkanit të Hapur. Por, “Trekëndëshi” i ka dhënë mbështetje pikërisht Procesit të Berlinit – që nga Qeveria e Kosovës shihet si alternativa ndaj iniciativës së cilës i janë Bashkuar Serbia, Shqipëria e Mali i Zi deri tash.

“Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal.”

Kosova tash e sa vjet është në pritje të dritës së gjelbër nga shtetet për heqjen e vizave, marrë parasysh plotësimin e të gjitha kushteve tash e sa vjet.

Lajme të ngjashme