Trekëndëshi i Weimerit: Çka thanë në të vërtetë Gjermania, Franca e Polonia për Kosovën?
I ashtuquajturi “Trekëndësh i Weimerit” ka lëshuar një deklaratë të përbashkët në të cilën flet – ndër tjerash – edhe për çështjen e Kosovës.
Duhet thënë që deklarata në fjalë është lëshuar nga ministrat e Punëve Evropiane të këtyre tri shteteve, dhe Kosova nuk është në qendër të saj.
Ministrat flasin fillimisht për çështjen e agresionit rus në Ukrainë dhe për hapat që duhen ndërmarrë në këtë çështje, duke u marrë pastaj edhe me vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Dialogu
“Trekëndëshi i Weimerit” thekson mbështetjen që i jep dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja derisa i japin theks edhe “nevojës për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës e Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane...”
Kjo shprehje e “nevojës” po bëhet mu në kohën kur dy nga tri shtetet më të mëdha (Franca e Gjermania) kanë emëruar emisarë specialë për dialogun që zhvillohet në Bruksel. Gjatë ditës së djeshme, emisari special i BE-së, Mirosllav Lajçak ishte i pranishëm në Prishtinë në një vizitë të befasishme.
Nuk dihet nëse vizita e tij ishte e lidhur me zhvillimin e sotëm.
Liberalizimi i vizave
Franca – së bashku me Holandën – ishte vend skeptik në BE për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sidoqoftë, në këtë deklaratë është dhënë mbështetje për “progres” në lidhje me çështjen.
“Ne bëjmë thirrje për proges në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.” – është fjalia në deklaratë.
Nuk besohet që në këtë rast kemi të bëjmë me “kompromis diplomatik”, meqë nuk kërkohet në mënyrë eksplicite liberalizimi i vizave. Por, apelimi për proges megjithatë nxjerr të njëjtin kuptim sikurse shprehja eksplicite.
Për çdo rast, ajo që do të ndodh në vijim do të tregojë në lidhje me vërtetësinë e njërit apo tjetrit pretendim.
Procesi i Berlinit
Në këtë deklaratë nuk përmendet fare iniciativa e Ballkanit të Hapur. Por, “Trekëndëshi” i ka dhënë mbështetje pikërisht Procesit të Berlinit – që nga Qeveria e Kosovës shihet si alternativa ndaj iniciativës së cilës i janë Bashkuar Serbia, Shqipëria e Mali i Zi deri tash.
“Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal.”
Megjithatë, është e vështirë që përmes këtyre fjalive diplomatike të nxjerrim konkludimin se kemi të bëjmë me një mbështetje të njërës iniciativë në dëm të tjetrës.
Vizita në rajon
Ministrat e Punëve Evropiane të këtyre shteteve janë zotuar edhe për një vizitë në rajon, megjithëse nuk kanë specifikuar datën.
“Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor,” – shkruhet në deklaratë.

