Raporti i Progresit shqetësohet "sa për të thënë" për sulmet ndaj medieve të Kosovës - NACIONALE

Raporti i Progresit shqetësohet "sa për të thënë" për sulmet ndaj medieve të Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë është publikuar Raporti i Progresit për vitin 2022 nga Komisioni Evropian, që një pjesë të madhe i kushton edhe lirisë së shprehjes dhe mediave. Çka thuhet aty?

Përgjatë gjithë vitit ka pasur shumë fushata të orkestruara sulmesh ndaj mediave nga ana e eksponentëve të ndryshëm të pushtetit. Por, asnjë prej këtyre rasteve të sulmeve nuk është paraqitur në raportin e fundit të Komisionit Evropian, ku flitet me një gjuhë të mjegullt e përgjithësuese.

“Ka shqetësime sa i përket fushatave publike të njollosjes, kërcënimeve, dhe gjuhës së urrejtjes në media sociale, disa prej të cilëve ishin specifikisht të drejtuara ndaj gazetarëve. Jo të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave janë të raportuara te autoritetet.” - shkruhet në raport.

Kritikë tjetër i jepet Kosovës edhe sa i përket progresit të kufizuar në adresimet e rekomandimeve të raportit të kaluar (2021) nga Komisioni Evropian.

Për vitin e ardhshëm, Kosovës mes tjerash i rekomandohet që të përmirësojë “bashkëpunimin dhe përgjigjen institucionale të institucioneve kyçe ndaj sulmeve kundër gazetarëve por edhe formave tjera të presionit që pengojnë punën e tyre.”

Kosova është kritikuar edhe për gjuhën e urrejtjes dhe fjalët derogatore ndaj komuniteteve joshumicë.

“Këto komunitete shpesh diskriminohen dhe janë subjekt të gjuhës së urrejtjes dhe termeve derogatore në kontekste të ndryshme, dhe viktimat shpesh nuk raportojnë rastet sepse nuk besojnë në institucione.”

Por, Kosova ka marrë edhe lavdërime. Vendi ynë është përgëzuar për mirëpritjen e një numri gazetarësh nga Ukraina, e të cilëve “iu është ofruar strehë, mbështetje financiare dhe kushte të punës.”

Po ashtu, lëvdata ka pasur edhe për sa i përket mënyrën se si është zgjedhur Bordi i ri i RTK-së.

“Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur një bord të pavarur të transmetuesit publik (RTK) ndërsa bordi i zgjedhur e zgjodhi një Drejtor të ri Gjeneral me një mandat tre-vjeçar. Procesi u vlerësua si meritor nga organizatat ndërkombëtare dhe lokale që monitoruan procesin.”

Gjuhë të papranueshme urrejtëse ndaj medieve kishin përdorur shumë figura të ndryshme të pushtetit, përfshirë Zotëriun e Parë Prindon Sadriun, Shefin e stafit të Kurtit Luan Dalipin dhe shumë eksponentë tjerë të pushtetit.

Lajme të ngjashme