Mirë për Kosovën, kritika të zbehta Serbisë: Çka tha Komisioneri Varhelyi në Parlamentin Evropian?
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, i ka prezantuar sot në Komitetin për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian raportet për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kësaj here, vlen të përmendet se toni ishte më i ashpër ndaj Republikës së Serbisë.
Ky prezantim vjen në kohën kur Kosova po i pret me ankth grupin punues të Këshillit të BE-së për vizat dhe një votim të mundshëm mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sidoqoftë, duket se qëllimi i BE-së për ta rritur ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor mbizotëroi mbi frymën e raporteve të progresit për gjashtë vendet e këtij rajoni – ndoshta për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo ishte fjala hyrëse para prezantimit të raporteve nga z. Varhelyi:
“Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane dhe mbetet prioritet për ne. Është në interesin strategjik të BE-së që të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të futen sa më shpejt që është e mundur në Bashkimin Evropian", u shpreh ai.
Varhelyi konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se çështja mbetet ende në pritje për t'u shqyrtuar nga Bashkimi Evropian (BE).
BE-ja pret edhe “angazhim konstruktiv në dialog nga Kosova dhe Serbia”.
Në pjesën për Kosovën, Varhelyi u shpreh edhe për çështjen e Vetingut dhe Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë.
“Ne jemi duke punuar ngushtë me Qeverinë dhe ne mendojmë se është një rast serioz për t'i fuqizuar integritetin e llogaridhënien e sistemit të drejtësisë. Ne duhet ta inkurajojmë Qeverinë që t'i implementojë reformat. Vetingu është diçka që ne po e diskutojmë, për ne është me rëndësi që gjithçka që bëhet, duhet të jetë në linjë krejtësisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe çdo reformë që bëhet, duhet të jetë në pajtim me Venecian”, u shpreh ai.
Megjithatë, Varhelyi pati edhe fjalë të tjera të mira për vendin tonë.
“Kosova përjetoi stabilitet politik përgjatë gjithë vitit dhe autoritetet vazhduan ta dëshmonin përkushtimin e tyre për rrugën evropiane. Ne njohim që Kosova provoi t'i forconte demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe e intensifikoi luftën e saj ndaj korrupsionit. Punë është bërë që të vendosen themelet për progres të qëndrueshëm në disa fusha, përfshirë edhe tranzicionin e gjelbër dhe energjetik dhe në inovacion. Në vitin e ardhshëm presim të shohim hapa më të shpejtë në agjendën evropiane", tha ai.
Serbia, mirë?
Por, për fat të keq, nuk pati fjalë aq rënduese ndaj Republikës së Serbisë përkundër qëndrimit të kësaj të fundit ndaj Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës.
“Serbia e vazhdoi zbatimin e reformave të negociatave të pranimit (në BE) sa i përket sundimit të ligjit. Pas miratimit në referendumin e janarit të reformave kushtetuese, Serbia tash po punon për zbatimin e tyre. Ne e njohim edhe progresin sa i përket luftës së korrupsionit, por presim përpjekje më të forta sa i përket lirisë së shprehjes... BE-ja është partneri më i rëndësishëm politik dhe ekonomik i Serbisë. Duam t’i ndihmojmë Serbisë edhe sa i përket sigurisë energjetike, por, njëkohësisht, duam të llogarisim te Serbia si një partner i qëndrueshëm për vlerat tona të përbashkëta, sigurinë dhe prosperitetin. Sa i përket kontekstit aktual, është e qartë që Serbia duhet t'i rrisë përpjekjet në rreshtimin me BE-në sa i përket politikës së jashtme, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, u shpreh komisionari hungarez.
Fjalë të mira nga Varhelyi pati edhe për Republikën e Shqipërisë.
“Shqipëria ka vijuar të bëjë progres dhe ka dhënë rezultate. Reforma në drejtësi dhe procesi i Vetingut që po vijon janë shembuj të një pune të mirë. Shqipëria i ka luftuar krimin dhe korrupsionin", tha ai.
Këtu mund ta ndiqni fjalën e tij të plotë.