Ambasadori amerikan: Pres që Asociacioni i komunave serbe të zbatohet - NACIONALE

Ambasadori amerikan: Pres që Asociacioni i komunave serbe të zbatohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë në emisionin “Context” në ATV, ka folur për një sërë çështjes që karakterizojnë situatën aktuale politike në Kosovë duke filluar nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Ballkanin e Hapur, Kodin Civil, raportin e tij me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmanin, etj.

Hovenier e nisi intervistën me një deklaratë që padyshim zgjon interes të lartë për secilin qytetar të vendit; marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar qëndrim sa i përket afërsisë së bashkëpunimit me udhëheqësit aktual të shtetit të Kosovës, Hovenier u përgjigj duke thënë ShBA kanë qëndruar përkrah Kosovës për kohë të gjatë dhe edhe Kosova i qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë miq të kahmotshëm. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar përkrah Kosovës për kohë të gjatë dhe edhe Kosova i qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara. Kemi marrëdhënie njëmend të mira me këtë qeveri.” – tha ambasadori i SHBA-ve në Kosovë.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka bërë thirrje ndaj qeverisë së Kosovës për më shumë vëmendje në këtë drejtim.

“Kjo është ndër fushat në të cilat e kemi nxitur qeverinë e Kosovës që të përqendrohet më shumë ose ndoshta ta them në mënyrë tjetër: është ndër ato zotimet e bëra që ne besojmë se duhet të zbatohet. Dëshiroj të ndalem pak te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Është zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, madje edhe më i hershëm se kjo, por u bë zotim me marrëveshjen e Brukselit. Ne besojmë se ky zotim duhet të zbatohet. Por, ne kemi qenë shumë të qartë se janë disa dispozita në bazë të të cilave duhet të zbatohet.” – tha ai.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, dhe si i tillë duhet të zbatohet duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, tha ambasadori i SHBA-ve.

Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Eskobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi. Ka shumë mënyra për krijimin e këtij entiteti, për të parë realizimin e këtij zotimi, që janë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e duam dhe këtë e kemi inkurajuar.”- tha Hovenier në emisionin “Context” në ATV.

Hovenier ka folur edhe për Kodin Civil që lejon martesën mes gjinive të njëjta.

Ai ka thënë se janë të zhgënjyer nga ajo që dëgjuan kur Kodi Civil u hodh për votim në Kuvend, sidomos nga disa qytetarë.

Ai tha se gjuha e përdorur nuk ishte e përshtatshme për Kuvend dhe se shpreson që në të ardhmën, deputetet do të jenë më të kujdesshëm.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë punuar me një numër të autoriteteve në Kosovë për të ndihmuar në përditësimin e Kodit Civil të Kosovës. Është ligj i nevojshëm sepse ky vend ka nevojë për një Kod Civil të shekullit XXI, të cilin nuk e ka momentalisht. Kur doli për herë të parë në Kuvend, ishim të zhgënjyer nga një pjesë e retorikës që e dëgjuam, veçanërisht lidhur me disa qytetarë të Kosovës që janë homoseksualë. Nuk menduam se ajo ishte gjuhë e përshtatshme për një Kuvend dhe do të shpresonin që gjuha në të ardhmen të jetë më e kujdesshme. Gjithashtu, shpresojmë që Kodi Civil të miratohet. Do të ishte e rëndësishme për këtë vend dhe përparimin e tij”, tha z.Hovenier.

Një pjesë të intervistës, Hovenier foli edhe për nismën e shumëpërfolur tashmë, atë të ‘Ballkanit të Hapur’.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se përkrahin nisma rajonale, si ajo e Ballkanit të Hapur dhe se mirëpresin çdo gjë që zvogëlon pengesat në tregti dhe për liri të lëvizjes së mallrave e njerëzve.

“Nuk e di a ka nevojë që të sqarohet qëndrimi amerikan, por me kënaqësi e përsëris atë. E kam bërë këtë më herët, siç e ka bërë edhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Eskobar. Janë një varg nismash rajonale që mund të ndihmojnë në rritjen e prosperitetit në rajon. Ne e mirëpresim çdo gjë që zvogëlon pengesat për tregti, që çon përpara lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, kapitalit. Kjo do të ishte procesi i Berlinit dhe disa prej këtyre nismave tjera, dhe sipas këndvështrimit tonë, kjo përfshin edhe nismës e Ballkanit të Hapur”, tha ai.

Ambasadori amerikan ka theksuar se SHBA-ja e ka kushtëzuar mbështetjen për këtë proces me dy pika, nëse Kosova merr pjesë në të si partnere e barabartë, pa yll e fusnotë.

Ndërsa pika tjetër, është që nisma të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE.

“Shtetet e Bashkuara publikisht kanë shprehur mbështetjen e tyre për të. I kemi pasur dy kushte për mbështetjen tonë, të paktën dy, por dy të rëndësishmet për Kosovën janë (1) nëse Kosova merr pjesë në të, do të duhet të marrë pjesë si partnere e barabartë. Një ndër gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pa yll, pa fusnotë, pa status të posaçëm. Do të duhej të jetë një ndër gjashtë vendet si të gjitha të tjerat. Dhe kushti i dytë ka qenë që vetë nisma të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE dhe që rrugëtimi i saj të jetë drejt anëtarësimit në BE. Ne e mbështesim Ballkanin e Hapur me kusht që këto kushte të përmbushen. Por, edhe diçka, ne jemi shumë të vetëdijshëm se ky është vendim sovran. Vetë qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim se në cilat aranzhime dëshiron të përfshihet. Deri tani, qeveria e Kosovës nuk ka qenë e interesuar që ti bashkohet nismës „Ballkani i Hapur”, deklaroi ai në ATV.

Lajme të ngjashme