Invervistë | Sevdari: Draft-Strategjia për Energjinë tregon dobësinë e institucioneve të Kosovës - NACIONALE

Invervistë | Sevdari: Draft-Strategjia për Energjinë tregon dobësinë e institucioneve të Kosovës

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Energjia pritet të ketë rëndësi vitale për shtetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Mu për këtë arsye, duhet mësuar më shumë se cili është plani i Qeverisë së Kosovës për dhjetë vitet e ardhshme. Gjërat del se nuk do të jenë aq mirë, nëse marrim parasysh mendimin e studiuesit të fushës që foli për gazetën Nacionale.

Energjia elektrike, ose më saktë mungesa eventuale e saj, po mban nën ethe e në ankth popullin e Kosovës. Kohë më parë Qeveria e Kosovës e publikoi një Draft-Strategji për Energjinë për vitet 2022-2031 e të cilin e vuri në konsultim publik.

Telashe të mëdha me energji elektrike iu paraqitën vendit qysh në pikë të verës, muajin gusht, kur blloqet e Termo-Centraleve tona binin njëri pas tjetrit. Kjo e theksoi edhe më shumë nevojën për një strategji të mirëmenduar për energjinë në dekadën e ardhshme.

Për të mësuar më shumë në lidhje me Draft-Strategjinë e Energjisë të propozuar nga Qeveria Kurti, folëm me njohësin e fushës Kristian Sevdarin, nga Departamenti i Erës dhe Sistemeve të Energjisë në Danimarkë.

Ai përshkruan mes tjerash se dokumenti “shpreh një dëshirë për të shkuar në Hënë, por buxheti i propozuar mjafton për të blerë një biçikletë”.

Sevdari gjen në këtë strategji edhe një tjetër element, paksa humoristik, e ku në vend se të mësyhet CO2 neutral nga Kosova deri në vitin 2050 (siç mësyjnë edhe shtetet tjera perëndimore), Qeveria mësyn “eliminimin e plotë të dioksidit të karbonit”.

Nacionale:

Si një njohës i fushës, a besoni që Kosova përmes kësaj strategjie megjithatë do të prodhojë mjaftueshëm energji elektrike për t'i përballuar nevojat e saj?

Në përgjithësi vërehet një mungesë e theksimit të rëndësisë së instalimit të mekanizmave të tregut, përfshirja e industrisë, si dhe roli i akademisë në hulumtimet shkencore për të arritur caqet e cekura.

Në dokument lexohet “një dëshirë për të shkuar në Hënë, por buxheti i propozuar mjafton për të blerë një biçikletë”.

Personalisht mendoj se nuk do të jetë e mundur të prodhohet mjaftueshëm energji elektrike për të përballuar nevojat vetjake.

Besoj se “Thembra e Akilit” të kësaj strategjie qëndron pikërisht te metodologjia. Në këtë kapitull është bërë një përshkrim shumë sipërfaqësor i metodologjisë. Pjesët vitale të metodologjisë nuk janë cekur mjaftueshëm. Fatkeqësisht, ky draft nuk ofron një aneks ku bëhet një përshkrim i detajuar i metodologjisë dhe të dhënave.

K. Sevdari:

Në komente ju keni vënë në pah edhe disa kundërthënie: pse mendoni se ka ndodhur një gjë e tillë?

Për arsyen pse shohim kundërthënie vetëm mund të hamendësojmë.

Çfarë është e rëndësishme të kuptojmë është rëndësia e grumbullimit të të dhënave meteorologjike, energjetike, ekonomike dhe sociale të shoqërisë për të krijuar një strategji energjetike cilësore.

Të dhënat që një model simulimi ushqehet janë pjesa më e rëndësishme e procesit të simulimit.

Prandaj, edhe pse modeli simulues mund të jetë i mirë, ai nuk është i kalibruar apo ushqyer mjaftueshëm me të dhëna për Kosovën.

Më tej, përgjatë dokumentit lexohen thënie kontradiktore:

1. Thuhet se do të ulen humbjet e sistemit të shpërndarjes sikur në BE (9%) e pastaj thuhet se në BE humbjet janë 6-8 për qind. Edhe vetë autorët nuk e kanë të qartë këtë vlerë. Pyetja më themelore qëndron; si do të arrihet të ulen humbjet nga 18,48% në 9%, kur dihet që e ardhmja parasheh një sfidë të jashtëzakonshme për rrjetin e shpërndarjes. Në vazhdim, kur sheh edhe buxhetin e vendosur prej 230 milionë euro, sfida duket edhe më e largët për t’u arrirë.

2. Thuhet se do të synohet integrimi i 1.4 GW BRE. Ndërkohë, buxheti për rrjetin e transmetimit deklarohet 90 milionë euro. Kontradiktë, që të bën të dyshosh nëse vërtet synohet 1400 MW apo 400 MW.

3. Thuhet se vizioni është një sistem energjetik pa CO2 deri në vitin 2050. Një tjetër kontradiktë me vetë planet e shumë shteteve më të pasura. Ndoshta CO2 neutral është ajo çfarë mendojnë autorët e këtij dokumenti.

4. Thuhet se do të integrohen sasi të mëdha BRE në sistem. Kontradikta qëndron se nuk flitet për strategjinë e integrimit dhe nuk parashikohen fonde për shërbimet që kanë nevojë operatorët në një sistem me BRE.

Duke lexuar shifrat e konsumit të energjisë (amvisëria në shumicë) shihet qartë që ekziston një potencial shumë i madh për të reduktuar konsumin përmes politikave energjetike. Por, në këtë draft-plan mungon një arsyetim se kur mund të kemi një saturim të konsumit dhe cilat politike do të ishin më të favorshme. Gjitashthu, i jepet pak vëmendje termocentraleve ekzistuese. Nuk kuptohet se kush do të mbulojë baseload-ën e Kosovës për 30 vitet e ardhshme.

Nacionale:

A duhet të ndihemi të sigurt si qytetarë të Kosovës me politikat qeveritare në sektorin e energjisë – marrë parasysh sidomos telashet e shumta që po kanë edhe vende më të mëdha se ne?

K. Sevdari:

Mendoj se strategjia e energjisë nuk i përgjigjet pyetjeve dhe kohës në të cilën jetojmë. Kjo ndodh edhe për shkak se aktorët e shoqërisë nuk janë në nivelin e duhur për të parë me vizion të ardhmen e përbashkët.

Nëse krahasojmë sesi vendim-marrje të tilla bëhen me konsensus të gjerë në vendet më të zhvilluara perëndimore, gjasat janë që propozime të njëanëshme mos të japin rezultatet e menduara. Por, konsensusi i gjerë nevojitet që këto strategji të mos flenë nëpër sirtare apo që edhe qeveria e radhës të mos ketë nevojë për ta ribërë strategjinë nga fillimi.

Kjo strategji ndër tjerash nxjerr në dritë edhe dobësinë e institucioneve të shtetit të Kosovës, pasi shumë prej tyre nuk kanë pasur mjaftueshëm kualitet dhe influencë për të ndikuar në shkrimin e saj.

Për të shtuar më tej, vetë strategjia nuk përmend një ndër pikat më themelore të këtij tranzicioni energjetik, universitetet dhe shkencën.

Prandaj, në tërësi mendoj se po vazhdohet me qasjen e vjetër. Nuk vërehet një ndryshim cilësor ndaj sektorit energjetik.

Sidomos tanimë që energjia është kthyer në mall lufte pozicioni i Kosovës është vërtet shumë i komprometuar në arenën rajonale, ku Serbia dhe Bosnja janë dy vendet eksportuese të energjisë në rajon.

Siugurisht në këtë situatë Kosova duhet të drejtohet për këshillë nga liderët e sektorit energjetik por dhe të bëj kujdes duke qenë neutrale ndaj zgjidhjeve që ofrohen.

Në fund të ditës, janë qytetarët ata të cilët duhet të kenë fjalën e fundit.

Lajme të ngjashme