Terri i rrymës dhe takimi i pafrytshëm Kurti-Vuçiq, kryetemat e javës - NACIONALE

Terri i rrymës dhe takimi i pafrytshëm Kurti-Vuçiq, kryetemat e javës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryesisht terri dominoi javën që po lëmë pas. Terr, pasi redukdimet nuk po ndalën, terr informative e mos-transparecën e takimit të Kurtit me Vuçiqin, teksa terr iu bë edhe ambasadorit Berishaj pasi iu ngrit kallëzim penal.

Reduktimet e rrymës, takimi i Kurtit me Vuçiqin dhe kallëzimi penal për ambasadorin Martin Berishaj, ishin kryengjarjet javës së kaluar.

Takimi Kurti-Vuçiq

Pas më shumë se një viti pauzë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi mes Kurtit dhe Vuçiq u pa si më i tensionuari dhe zgjati 5 orë. Teksa shumë pak fjalë u tha se çka u bisedua në atë takim

Qeveria për pesë orë takim, bëri të ditur se janë diskutuar veç dy tema.

Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, është thënë në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

E për mos-transparencën dhe terrin informative, partitë opozitare dhe shoqëria civile, kanë kritikuar qeverinë.

Në anë tjetër, derisa ambasada e ShBA-së në Prishtinë nuk ka bërë ndonjë reagim për takimin e Brukselit, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka lavdëruar rolin e Serbisë në këtë takim.

Kurse, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve.

Pasi nuk pati ndonjë marrëveshje, ka mbetur që Kurti dhe Vuçiq të takohen prapë dhe të vazhdojnë diskutimet.

Terri

Tash e më shumë se një javë, në Kosovë, kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike.

Këto reduktime po bëhen 6 me 2 teksa plotë qytetarë po ankohen se redukimet po janë edhe me të gjata.

Kriza energjetike në mes të muajit gusht ka irrituar qytetarët të cilët mendojnë se gjatë muajve të dimrit situata me energji do të jetë më rënduese.

KEDS ka thënë se çmimi i larti i rrymës dhe mos-subvencionimi i energjisë nga qeveria janë disa nga arsyet pse ka reduktime.

Nga ana tjetër, Qeveria ka fajsuar KEDS për humbjet e rrymës që po bëhen për shkak të mos investimeve në rrjet.

Reduktimet po vazhdojnë.

MartinGate

Në prill të këtij viti, gazeta Nacionale ishte media e parë kosovare që raportoi për një skandal të madh financiar në Slloveni, e ku përfshihej edhe ambasaodori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

E një ditë pas, Nacionale zbuloi edhe një skandal tjetër të Berishajt. Ambasadori kishte fshehur pasurinë e tij në deklarimin në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Pasi u zbulua ky fakt, Nacionale dërgoi disa pyetje në adresë të AKK-së, duke e njoftuar Agjencinë se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij në Mal të Zi me emerin “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë. Madje, Nacionale ishte kujdesur t’i ofronte dëshmi AKK-së.

E gati katër muaj pas këtij raportimi, AKK ia konfirmoi Nacionales se tashmë ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori.

Pas informacioneve tuaja të datës 22.04.2022, Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka filluar procedurën e hetimit paraprak”, thuhej në hyrje të njoftimit të AKK-së dërguar në Nacionale.

Tutje, thuhej se të gjitha dokumentet janë dorëzuar në prokurori.

“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për gazetën Nacionale.

Rastin e ka konfirmuar edhe Prokuroria.

Opozita tashmë ka kërkuar dorëheqjen e tij, gjersa pushteti ende nuk ka folur.

Gazeta Nacionale ka kërkuar sqarime nga Qeveria Kurti, ministrja Gërvalla e presidentja Vjosa Osmani, të cilët qenë të zhurmshëm në mbrojtje të Berishajt.

Deri tani, pushteti ka heshtur.

Ndërkohë, të shtunën, Kuvendi i Malit të Zi, ka shkarkuar nga posti i kryeministrit, Dritan Abazoviqin.

Po ashtu, publikimi i Projekligjit për Paga ka nxitur reagime të shumta dhe pritet që të jetë ndër ngjarjet më të komentueshme këtyre ditëve.

Lajme të ngjashme