A dallon marrëveshja për targat mes takimeve Kurti - Vuçiq dhe Bislimi - Petkoviq? - NACIONALE

A dallon marrëveshja për targat mes takimeve Kurti - Vuçiq dhe Bislimi - Petkoviq?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të mërkurën e 23 nëntorit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e targave. Kryenegociatorët, Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviqi i Serbisë, u dakorduan në Bruksel për punën e targave. Por a ishin të ngjashme marrëveshja e mbrëmshme me propozimin e 21 nëntorit nga BE-ja, për të cilin nuk u pajtuan Kurti dhe Vuçiqi.

Këto ditë pati një intensitet të takimeve mes zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështjen e targave.

Në takimin e së hënës mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, nuk u arrit marrëveshja për targat që përbënte elemente të njëjta me këtë që u arrit nga Bislimi e Petkoviqi.

Kosova do t'i pezullojë të gjitha veprimet për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale, ndërkaq Serbia nuk do të prodhojë më targa ilegale. Këto ishin dy pikat që u diskutuan në takimin e 21 nëntorit, kur s'pati marrëveshje, dhe në atë të 23 nëntorit, që solli marrëveshje.

Megjithatë, në Kosovë, analistët dhe njohësit e politikës janë të ndarë sa i përket ngjashmërisë së marrëveshjes për targat.

Disa thonë se marrëveshja e 23 nëntorit nuk ishte e njëjtë me atë që iu prezantua Kurtit në takimin e 21 nëntorit me Vuçiqin në Bruksel.

"S’dallon"

Njohësi i zhvillimeve politke, Agon Maliqi, ka thënë se krejt kjo ishte një dramë dhe se Kosova ka humbur pikë.

Dramë e panevojshme për me u arritë te e paevitueshmja. Për nevoja të teatralitetit, apo prej pasigurisë, u dëmtua kredibiliteti dhe u humbën pikë që mund të fitoheshin me ndjekjen e këshillës fillestare amerikane. Sidoqoftë, lajm i mirë dhe të shpresojmë sa ma shpejt drejt marrëveshjes finale”- ka shkruar ai në Facebook.

Pas arritjes së marrëveshjes, gazetarja Una Hajdari ka thënë se kjo marrëveshje po ngjan me atë për të cilën nuk u dakorduan në Bruksel të hënën.

"Ekipet teknike, pjesë e dialogut Kosovë - Serbi, kanë arritur një marrëveshje dhe duket se është e njëjta për të cilën nuk kanë arritur të bien dakord të hënën në Bruksel. Ose kjo, ose ka ndonjë detaj të imët që nuk e dimë. Kjo largon shkakun kryesor të tensioneve në veri të Kosovës" - shkroi ajo.

Edhe partitë opozitare në Kosovë reaguan për marrëveshjen e arritur.

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, është shprehur: “Prej #RKS drejt e n’targat KM. Kaq e pati “rezistenca e Albin Kurtit”.

Për më tepër, edhe analistë të afërt me VV-në u zhgënjyen me arritjen e marrëveshjes.

"Dallon"

Në anën tjetër, pushteti ka thënë se marrëveshja nuk është e njëjtë me atë të 21 nëntorit, pasi i është hapur rrugë planit franko-gjerman, që, sipas Kurtit dhe vartësve të pushtetit, nuk ishte pikë e takimit Kurti - Vuçiq.

Zëvendëkryeministri Besnik Bislimi pas marrëveshjes deklaroi se marrëveshja e arritur i hap rrugë propozimit franko-gjerman.

"Pas disa orëve bisedime, arritëm në një marrëveshje e cila tani i hap të gjitha dyert që të fillohet me bisedime intensive rreth planit të propozuar nga Bashkimi Evropian me mbështetje të Gjermanisë dhe Francës" – ka thënë ai.

Edhe njohësi i politikës, Demush Shasha, me një shkrim në Facebook ka thënë se marrëveshja e arritur mbrëmë nuk është e njëjtë me atë që nuk u arrit të hënën, pra në takimin Kurti - Vuçiq.

Marrëveshja e sotme dhe ajo për të cilën palët nuk u dakorduan me 21 nëntor dallojnë thelbësisht. Për të kuptuar dallimet duhet krahasuar tekstin e marrëveshjes së dështuar të 21 nëntori dhe marrëveshjes së sotme”- ka shkruar ai.

Ai ka renditur disa pika të cilat mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.

Në anën tjetër,Arlind Manxhuka, sekretari për media dhe informim i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se pikat që u insistuan të hënën në takimin Kurti-Vuçiq, u arritën të mërkurën mbrëma nga Bislimi.

Kujtojmë se Kurti në takim me Vuçiqin kishte thënë se kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, kishte hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënive, që ishte arsyeja kryesore pse s’pati marrëveshje të hënën.

Gjithashtu, kryeministri Kurti kishte thënë se liderët e dy vendeve nuk mund të diskutojnë për targa, por për marrëveshje gjithëpërfshirëse.

E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Brujksel për t'u marrë vesh drejt një ecjeje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që përfqësuesi i lartë, Borrell, hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve” – ka thënë Kurti pas takimit me Vuçiqin.

Kujtojmë se marrëveshja u arrit pas shtyrjes për 48 orë të fazës së dytë të vendimit për targat, që ishte masa e gjobitjes për shoferët me targa ilegale.

Lajme të ngjashme