Petkoviq: U arrit ajo çka insistoi Beogradi, Kurti pranoi gjithçka që refuzoi më parë
Petar Pekoviq, kryenegociatori i Beogradit në dialog me Prishtinën, ka folur lidhur me marrëveshjen e arritur për çështjen e targave.
Duke shpjeguar detajet e marrëveshjes, Petkoviq është shprehur se, nuk do të ketë politikë ndëshkuese ndaj serbëve që ngasin veturat me targa KM.
“Në përputhje me atë që insistoi Beogradi, pas shtatë orë bisedimesh të vështira, arritëm të arrijmë një marrëveshje. Kjo marrëveshje do të thotë se nuk ka politikë ndëshkuese të Albin Kurtit ndaj serbëve që vozisin vetura me targa KM, nga nesër nuk ka gjoba prej 150 eurosh të planifikuara nga Kurti, as politika ndëshkuese në të gjitha fazat tjera që kanë qenë pjesë e vendimit të Kurtit lidhur me riregjistrimin,” ka deklaruar Petkoviq, raporton N1.
Sipas Petkoviç, me anë të kësaj marrëveshjeje është arritur edhe ruajtja e paqes dhe mbrojtja e serbëve në veri.
Ai, po ashtu tha se ishte veçanërisht me rëndësi që marrëveshja mundëson mbetjen në qarkullim të targave KM.
“Është veçanërisht e rëndësishme që me këtë marrëveshje mbesin targat KM, po flasim për targa që janë të ligjshme, që serbët do të mund t'i përdorin dhe do të vazhdojnë të jenë në përdorim si më parë. Kjo do të thotë se të gjithë pronarët e makinave me targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e tyre. Ne do të ndalojmë lëshimin e targave të reja fizike derisa të arrijmë një marrëveshje. Kurti pranoi gjithçka që refuzoi gjatë gjithë ditëve të mëparshme, ne arritëm të ruajmë paqen dhe stabilitetin, të garantojmë sigurinë për serbët në veri, dialogu dhe bisedimet vazhdojnë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Po i them popullit serb, të gjithë pronarëve të makinave me targa KM, se mund të flenë të qetë. Ne i ruajtëm targat tona serbe KM”, ka shtuar më tej Petkoviq.
Kujtojmë se kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka njoftuar më herët se është arritur marrëveshja mes Serbisë e Kosovës, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i mëtjeshëm.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emrat e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të pezullojë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, ka shkruar Borrell në Twitter.