Qeveria Kurti bëri ujdi ku e ka të qartë faktin se duhet ta zbatojë Asociacionin - NACIONALE

Qeveria Kurti bëri ujdi ku e ka të qartë faktin se duhet ta zbatojë Asociacionin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në orët e mbrëmjes të së mërkurës, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për targa.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave, kurse Kosova do t'i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", shtoi tutje ai.

Siç shkroi shefi i diplomacisë evropiane, ditëve të ardhme do të ketë edhe diskutime të tjera.

Asociacioni

Megjithatë, detaje interesante janë parë në marrëveshjen e plotë të publikuar tashmë në media.

Nga komunikata zyrtare e Brukselit bëhet e ditur se palët do t'i respektojnë në tërësi marrëveshjet e mëparshme.

Paragrafi i dytë i pikës së tretë thotë qartë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen.

"Palët pranojnë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen", shkruan ndër të tjerash.

Veç kësaj, thuhet se evropianët do të vazhdojnë të lehtësojnë dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Kryeministri Kurti vazhdimisht e ka pranuar se nuk mund të ketë Asociacion në vendin tonë, megjithatë një kërkesë e tillë ka qenë e vazhdueshme nga akterët ndërkombëtarë.

Për marrëveshjen tashmë është deklaruar edhe kryenegociatori Besnik Beslimi.

Ky i fundit në një prononcim për media tha se tani janë hapur dyert për bisedime intensive.

"Pas disa orëve bisedime arritëm në një marrëveshje e cila tani i hap të gjitha dyert që të fillohet me bisedime intenzive rreth planit të propozuar nga Bashkimi Evrpian më mbështetje të Gjermanisë dhe Francës".

Arsyetimi i zëdhënësit

Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për targa.

Ai ka publikuar videon e prononcimit të shefit të tij për media, pas takimit të para tri ditëve në Bruksel.

Siç tha Kryeziu në rrjetin social "Facebook", palët janë dakorduar që të koncentrohen dhe të angazhohen në propozimin franko-gjerman.

"Lumturia"

Goxha i lumtur për arritjen e marrëveshjes u pa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.

Pas marrëveshjes në kryeqendrën evropiane, siç raporton N1, Petkoviq deklaroi se Kurti pranoi gjithçka që kishte refuzuar gjatë ditëve të mëparshme.

“Është veçanërisht e rëndësishme që me këtë marrëveshje mbesin targat KM, po flasim për targa që janë të ligjshme, që serbët do të mund t'i përdorin dhe do të vazhdojnë të jenë në përdorim si më parë. Kjo do të thotë se të gjithë pronarët e makinave me targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e tyre. Ne do të ndalojmë lëshimin e targave të reja fizike derisa të arrijmë një marrëveshje. Kurti pranoi gjithçka që refuzoi gjatë gjithë ditëve të mëparshme, ne arritëm të ruajmë paqen dhe stabilitetin, të garantojmë sigurinë për serbët në veri, dialogu dhe bisedimet vazhdojnë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Po i them popullit serb, të gjithë pronarëve të makinave me targa KM, se mund të flenë të qetë. Ne i ruajtëm targat tona serbe KM”, ka shtuar më tej Petkoviq.

Lajme të ngjashme