Çka parasheh Kodi Penal i Kosovës për dhunuesit e 11-vjeçares në Prishtinë? - NACIONALE

Çka parasheh Kodi Penal i Kosovës për dhunuesit e 11-vjeçares në Prishtinë?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Dhunimi i një vajze 11-vjeçare në Prishtinë nga pesë burra për shtatë orë ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në debatin publik në Kosovë. Dikush ka kërkuar që dhunuesit të dënohen me burgim të përjetshëm e disa të tjerë e kanë kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje. Të tjerë kanë kërkuar që me çështje kanunore të zgjidhet kjo punë.

Në mesin e krejt kësaj dileme, Kosova ka ligj që e parasheh përcaktimin e dënimeve për dhunuesit.

Çka parasheh ligji dhe sa mund të dënohet një dhunues?

Sipas Kodit Penal të Kosovës, në nenin 230, parashihet që dënimi për dhunuesit të jetë nga 5 deri në 15 vite burgim, ndërsa dënimi maksimal është me burgim të përjetshëm, rast në të cilin merren parasysh rrethanat e kryerjes së veprës.

Gjithashtu, në Kodin Penal të Kosovës, kushdo që e kryen veprën penale dhunim ndaj personit nën moshën 16-vjeçare, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në (20) njëzet vjetësh.

Kodi Penal e parasheh dënimin veprën penale dhunim ndaj personit nën moshën 14-vjeçare.

Kushdo që kryen veprat penale në vijim ndaj personit nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjet, dënohet siç përcaktohet në vijim: 2.1. kryesi i cili kryen veprën penale të dhunimit nga neni 230 i këtij Kodi ndaj personit nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjet, dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim.”, thuhet në nenin 235, pika 2.

Se duhet ligji e jo kanuni, i këtij mendimi është edhe avokati i njohur, Arianit Koci.

Koci ka thënë: “Monstrumëve në trajtë njerëzore u del hakesh Kodi Penal i Kosovës.

Avokati thekson se burgimi i përjetshëm do t’i parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave të tilla.

Pa e paragjykuar fajësinë, po ju tregoj që për personat mbi moshën 18-vjeçare, me rrethanat që po paraqiten në media se si është kryer vepra penale e dhunimit ndaj vajzës 11-vjeçare - dënimi minimal është 15 vjet. Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm.

Thellë besoj që burgimi i përjetshëm do t’i parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave të tilla penale dhe do të shprehet fuqishëm gjykimi shoqëror për vepra të tilla penale. Këto edhe janë dy prej katër qëllimeve të dënimit. E sa për rehabilitimin e kryerësve - poashtu njëri prej qëllimeve të dënimit, të njëjtët le të rehabilitohen në burg. Përjetësisht!”, ka shkruar ai.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se do t’i largojnë nga puna gjykatësit që nuk i kryejnë punën dhe detyra e tyre.

Ajo ka treguar disa statistika në të cilat shihet se më shumë ka parashkrime të lëndëve sesa dënim më burg për dhunuesit.

Lidhur me dhunimet seksuale, sipas statistikave, më shumë ka parashkrime të këtyre lëndëve sesa dënim me burgim. Situata nuk mund të ndryshojë, nëse zyrtarët përgjegjës nuk e marrin ndëshkimin për mosveprim e neglizhencë dhe nëse këto raste nuk trajtohen me prioritet. Kushdo që nuk e kryen detyrën, duhet të largohet nga detyra dhe pikë. Nuk kemi fëmijë, vajza dhe gra për t'u dhunuar dhe as për t'u vrarë! *Pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve konsiderohen më të lartat në rajon!”, ka shkruar ajo.

Reagime për rastin

I tërë debati u fokusua në rastin e dhunimit të vajzës 11-vjeçare. Edhe krerët e shtetit reaguan duke kërkuar hetim maksimal që kryerësit e veprës të dalin sa më parë para drejtësisë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kërkoi një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

Dhunimi seksual, sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave, përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra”, shkroi mes tjerash ajo.

I së njëjtës linjë ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës.

Albin Kurti, duke shfrytëzuar rrjetin social “Facebook”, ka thënë se duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdonjërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore.

Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër”, ka thënë Kurti.

Për këtë rast reaguan edhe krerët e partive opozitare dhe deputetë e zyrtarë të lartë.

Përveç tyre nuk munguan as reagimet nga anëtarë të thjeshtë të popullit.

Përndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuarit për rastin teksa është identifikuar edhe i pesti.

Lidhur me rastin e “dhunimit” të raportuar dje në Prishtinë, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejt dhe arrestimit të dy (2) personave të dyshuar, në vazhdimësi ka punuar me intensitet të lartë në identifikimin edhe të personave tjerë, hetimin dhe sqarimin e rrethanave të plota të këtij rasti.Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë (5) i dyshuar për përfshirje në rastin “dhunim”, thuhej në komunikatë.

Dy të arrestuarve të parë Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj.

Lajme të ngjashme