Nuk mjaftohen me heshtje - këngëtarët promovojnë reperin e akuzuar për dhunim
Reperi Gjiko duket se nuk po merret fare me aktakuzën ndaj tij për dhunimin e një të miture. Edhe pse aktakuza ndaj tij është shumë e rëndë dhe një proces gjyqësor ndaj tij është duke vazhduar, ai ka vazhduar karrierën e tij sikurse asgjë nuk ka ndodhur, ashtu sikurse e kishte vazhduar karrierën e tij për 5 vjet radhazi sa aktakuza ndaj tij qëndronte në sirtarët e Gjykatës.
Aktakuza ndaj Gjikos i është dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë me 3 prill 2017. Ndërsa nga mediat u bë publike tek në prill të vitit 2022. Kësisoj, reperi duket se është mësuar që në sy të Gjykatës të vazhdojë karrierën.
Por edhe më problematike sesa Gjykata (arsyeja pse ajo s'e ka trajtuar lëndën kundër Gjikos ende nuk dihet) është fakti se yje të shumta të muzikës në Kosovë, përpos që nuk kanë folur për rastin e Gjikos edhe kur u bë publik, ata po vazhdojnë ta promovojnë atë.
Kështu ka ndodhur kur të shtunën, reperi i akuzuar për dhunim, publikoi një këngë me videoklip të cilin e kanë shpërndarë në rrjetet sociale shumica e kënëgtarëve me nam sikurse Ledri Vula, Majk, Dhurata Dora, Melinda Ademi, Ermal Fejzullahu, Lumi B, e shumë të tjerë.
Këta janë këngëtarët, kolegët e Gjikos të cilët HESHTIN, dhe nuk e shohin të arsyeshme që të reagojnë ose të flasin për “dhunimin e një të miture” nga kolegu i tyre.
Ata heshtën edhe ndaj rasteve të tjera të ngjajshme, kur kolegë të tyre u përballën me akuza, sikurse rasti i këngëtarit të grupit NRG Band, Besnik Qaka, që u akuazua për dhunimin e një të miture, apo kur këngëtari Butrint Ymeri tregonte në televizion sesi kishte qenë dëshmitar i një rasti të dhunimit të një vajze nga një shok i tij.
Lista me yje të tjerë të muzikës mund të vazhdojë gjatë, por arsyetim asnjëri nga ta nuk kanë. Heshtja është gati e njëjtë me aktin. Të gjithë këta yje kanë me miliona ndjekës, shumica të mitur e gjithashtu të rritur. Shumica e tyre kanë ndikim te miliona të rinj shqiptar, të cilëve duhet t’u flasim hapur dhe të dalim kundër fenomeneve sikurse “dhuna seksuale” ose “përdorimi seksual i të miturve”. Nëse ju heshtni, i bie që ose pajtoheni me dhunën ndaj të mitures, ose ju duket më me rëndësi që ta mbroni kolegun dhe dostin tuaj. Por dosti e kolegu juaj nuk është më me rëndësi sesa vepra për të cilën akuzohet.