Përfundon dhuna? Afër që policët e Kosovës të pajisen me kamera trupore - NACIONALE

Përfundon dhuna? Afër që policët e Kosovës të pajisen me kamera trupore

4 vjet më parë

nga Trina Zuka

Rasti i fundit i plagosjes së dy policëve në Skënderaj, pasqyron më së miri nevojën e vendosjes së kamerave trupore tek policët, për të faktuar ngjarjen shumë shpejt dhe në detaje.

E një projekt të tillë ka vite që e ka iniciuar Policia e Kosovës, për t’u pajisur me kamera trupore. Por i njëjti ende nuk është funksionalizuar.

Nga policia e Kosovës për gazetën, thonë se procesi është në vazhdim e sipër për sigurimin e urdhëresës së parë të kamerave trupore për policë, të cilat vijnë si donacion nga ShBA-të.

“Është formuar grupi punues, në përbërje me profesionist të fushave përkatëse, janë zhvilluar konsultime paraprake, me institucione shtetërore dhe institucione të pavarura, janë pranuar dhe inkorporuar në dokument rekomandimet e tyre.”, thonë nga policia.

Zgjatja e projektit, po bëhet si shkak i çështjeve procedurale.

“Janë çështje procedurale që zgjasin, andaj siç e theksuam procesi për sigurimin e pjesë së parë të kamerave të trupit dhe sistemet kompjuterike për funksionimin/operimin e sistemit dhe ruajtja e të dhënave është ajo që mezi po presim të filloj, por që ende është nën proces të ShBA-ve”

Por ankesa për zgjatjen e finalizimit të këtij projekti, ka ish drejtori i policisë, Rashit Qalaj.

Ai thotë se ky projekt, ishtë ndër më të rëndësishmit gjatë muajve të fundit të mandatit të tij.

“Ka qenë një nga projektet më të rëndësishme me të cilin jemi marrë muajt e fundit sa kam qenë unë në pozitën e drejtorit të përgjithshëm. Janë bërë dy vite që nuk po shohë përparim në këtë projekt. Është i rëndësishëm sepse i korigjojnë policët që të mos gabojnë e të mos biejnë ndesh me ligjin. Ndërsa në anën tjetër i mbron policët sepse këto inxhizime mund t’i përdorin në gjykatë si dëshmi”, tha për gazetën ish drejtori i policisë Qalaj.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se ky projekt duhet të përfundohet sa më shpejt që është e mundur. Kjo pasi një gjë e tillë do të ndihmonte shumë në përshkrimin e situatës, qoftë nëse i përfshirë është polici apo qytetari.

“Policia e Kosovës duhet patjetër që në afatin më të shpejtë të mundshëm të investojë në furnizimin e kamerave të trupit tek të gjithë njësitë. Pra, vendosja e kamerave do të kontribuonte në rend të parë për zyrtarin policor i cili do ta kishte më të lehtë përshkrimin e çfarëdo situate në të cilën gjendet, sepse do ta dokumentonte me video. Ndërsa në anën tjetër do të ishte lehtësuese edhe për qytetarin në rast të ndonje shkelje apo sjejllje nga ana e zyrtarit policor” tha Shala.

Pajisja e policëve me kamera trupore në fazën fillestare do të fillojë si donacion i ICITAP-it amerikan, ndërsa në fazat vijuese policia do të bëjë planifikimin buxhetor përkatës.

Se sa do t’i kushtojë kjo pjesë buxhetore policisë së Kosovës, ende nuk dihet.

Shumë vende të rajonit kanë në fuqi këtë projekt të paisjes së policëve me kamera trupore.

Kamerat trupore të instaluara në Shqipëri tek policët

Lajme të ngjashme