“Shpërfaqet urrejtja e burrave ndaj grave”: Dhunimi i 11 vjeçares në Prishtinë, shpërthejnë reagimet - NACIONALE

“Shpërfaqet urrejtja e burrave ndaj grave”: Dhunimi i 11 vjeçares në Prishtinë, shpërthejnë reagimet

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Një ngjarje e tmerrshme raportohet të ketë ndodhur të shtunën në Prishtinë. Një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar për shtatë orë nga katër burra, njëri prej të cilëve i mitur. Dy nga ta janë arrestuar – vëllezër mes vete- dhe rasti po vazhdon të hetohet, teksa interneti ka shpërthyer me reagime.

Një 11-vjeçare është dhunuar të shtunën në Prishtinë, nga ora 17:30 deri në ora 00:30.

Për rastin në fjalë është deklaruar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, dhe tashmë vendimi është marrë për një muaj paraburgim ndaj dy të arrestuarve.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë se janë arrestuar dy të dyshuar, njëri i moshës madhore dhe një i mitur. Më vonë u mor vesh se ata mes vete janë vëllezër.

Ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit.

Me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ulaj gjithashtu ka thënë se po merren të gjitha hetimet e nevojshme për rastin.

Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka thënë ajo.

Për këtë rast, detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

Në raport bëhet e ditur se viktima ka raportuar në polici se është dhunuar nga katër persona, ku dy nga ta janë arrestuar.

DHUNIM /Prishtinë 27.08.2022-17:30-00:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së.

Reagime të shumta

E kjo ngjarje e rëndë ka nxitur jashtëzkonisht shumë reagime.

Aktivistja për të drejtat e grave, Zana Avdiu, ka kritikuar sistemin e edukimit të djemve në Kosovë. Ajo ka shkruar se ky lloj edukimi krijon dhunues dhe sipas saj, ata edukohen nga fëmijëria që të jenë dhunues.

Pra, përdhunim mbi 7 orë, i një fëmije vajzë. Kjo nuk ka të bëjë me nevoja seksuale, siç pretendojnë mbrojtësit e dhunuesve. Kjo ka të bëjë me urrejtjen dhe mosdurimin ndaj grave dhe vajzave. Dhe, përveç tjerash kjo kallëzon që të gjitha moshat janë dhunues, sepse edukohen që nga fëmijëria të jenë të tillë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më tej, ajo pretendon që në Kosovë, burrat vendosin për gratë dhe jetën e tyre.

Pra burrat vendosin kur me i mbulu e kur me i zbulu vajzat e gratë. Kur me i lanë me dalë jashte, e kur me hy brenda. Kur me mshelë gojën e kur me folë. Shoqni, që trupin e gruas e konsideron pronë të burrit. Na me duart e tona po krijojme e rrisim dhunues. Sepse edukimi që ua japim djemve si shoqni, për bazë e ka dhunën, e sidomos ndaj grave. Kjo ngjarje, është pasqyra e mendësisë sonë!”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Po ashtu, edhe juristja e mediave, Flutura Kusari, ka kërkuar rregullimin e ligjit që lejon publikimin e emrave të atyre që dyshohen për dhunim.

Kur ka me ardhe ne pushtet ai politikan/e qe ka me guxu me rregullu me ligj publikimin ne regjister publik te emrave te dhunuesve qe denohen me aktgjykim final. Kur, edhe sa dekada?”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka kritikuar Policinë e Kosovës për raportim jokorrekt për rastin.

Ajo ka kërkuar kthimin e dënimit më vdekje.

Çfarë raporti është ky? Në Raport duhet patjetër të ceket se dhunimi është kryer ndaj një fëmije 11 vjeçar. Patjetër! Krim ndaj një vajze 11 vjeçare!!!! Tmerr! Vetëm kthimi i dënimit me vdekje, parandalon disa krime”, ka shkruar ajo në Facebook.

Edhe zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, është shprehur e shqetësuar për rastin e dhunimit të 11 vjeçares, ndërsa ka kërkuar që të hetohet dhe të mos mbetet ky rast vetëm kronikë mediale.

Rasti i sotëm i raportuar i dhunimit të vajzës së mitur, është lajmi tragjik i radhës; këmbana tjetër e alarmit të një shoqërie që kërkon qasje urgjente të trajtimit e diskutimit gjithëpërfshirës për të drejtat e vajzave. Gjuha e dhunës, shtypjes e misogjenizmit të legjitimuara nga mentaliteti i çdoditshëm patriarkal shpërfaq veprime të tilla çnjerëzore. Përgjegjësia institucionale ndaj dënimit të këtyre rasteve dhe ofrimit të sigurisë për vajzat është thelbësore që rastet e tilla të mos përfundojnë vetëm në kronika mediale, por kryerësit të marrin dënimin e merituar!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërkohë, në orët e pasdites ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke denoncuar rastin.

Ndryshe, mbi 20 raste në javë raportohen për dhunë në familje dhe dhunim.

Lajme të ngjashme