Veç një tjetër rast arkive apo fundi i ‘durimit’ – qindra reagime ndaj dhunimit të 11-vjeçares - NACIONALE

Veç një tjetër rast arkive apo fundi i ‘durimit’ – qindra reagime ndaj dhunimit të 11-vjeçares

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Të përdhunosh një 11-vjeçare, është akt makabër. Makabra rritet kur mëson se dhunuesi ka telefonuar edhe vëllaun. Jo, s’mjaftoi me kaq. E gjithë kjo ngjau për shtatë orë dhe nuk ishin vetëm aty dy. Paramendoni pesë sosh. 5 kundër 1. Ky numri i fundit, i mitur. Thjesht, gërrditëse që s’do as më të voglin arsyetim.

Por, frika është diku tjetër. A do të jetë ky vetëm rasti i radhës i përdhunimit që do të zbehet për pak kohë, sa për ta rikthyer në kujtesë shpreshjen e famshme popullore: Çdo çudi zgjatë tri ditë! Shpresojmë që jo.

Qindra reagime

Ishin të panumërta. Me siguri për shkak edhe të ndjeshmërisë së rastit. Gjithsesi, ne do t’i vëmë në pah ato të figurave kryesore politike e sociale dhe jo vetëm.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kërkoi një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

“Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra”, shkroi mes tjerash ajo.

I së njëjtës linjë ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës.

Albin Kurti, duke shfrytëzuar rrjetin social “Facebook” tha se duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdonjërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore.

“Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër”, shtoi Kurti.

Asnjë dhunues s’duhet të jetë i lirë

Doemos se për rastin monstruoz nuk munguan as reagimet nga opozitarët.

Të tre krerët, përkundër zhvillimeve politike aktuale, gjetën kohë për të hedhur baltë mbi veprën e dhunuesve, duke kërkuar nga autoritetet që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se bashkëndjen me familjen e vajzës së mitur dhe të gjitha bashkëmoshataret e saj që edhe një herë u bënë dëshmitare të një akti të tillë abuzues e çnjerëzor.

“Si baba i vajzave, por, edhe si përfaqësues i qytetarëve ndjej pjesën e hidhërimit dhe njëkohësisht përgjegjësisë që na takon secilit për mos ndëshkimin e këtyre akteve në formën e duhur, por edhe për mos arritjen e shkallës së emancipimit që ta trajtojmë vajzën e gruan si të barabartë në këtë shoqëri”, tha mes tjerash i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, Memli Krasniqi shtoi se sot fjalët kanë humbur fuqinë për të dënuar mjaftueshëm këtë rast.

“Sot, ëndrrat e një fëmije dhe jeta e një familjeje janë shkatërruar.Sot, shoqëria jonë, fatkeqësisht, jo për të parën herë viteve të fundit, ka shpërfaqur vrazhdësinë e saj me dhunën dhe krimin ndaj vajzave dhe grave”, shtoi tutje kryetar i PDK-së.

Ramush Haradinaj ndërkaq, tha se ngjarja e djeshme ishte thjesht monstruoze. Ai shtoi se si shoqëri duhet të reflektojmë thellë e shteti të marrë masat më të rrepta ndaj dhunuesve.

“E tmerrshme ngjarja monstruoze e dhunimit të vajzës 11 vjeçe. Jashtëzakonisht i shqetësuar nga kjo ngjarje çnjerëzore. Bashkëndjej me familjen e fëmijës dhe me të gjithë qytetarët e vendit. Ne si shoqëri, duhet të reflektojmë thellë e shteti të marrë masat më të rrepta ndaj dhunuesve!”, shkroi ai.

Këto janë reagimet e disa prej krerëve politikë në vend, ndërsa ju ftojmë që përmes vegëzave të brendshme të shenjëzuara të informoheni për shumicën prej reagimeve.

Identifikohet i pesti

Tashmë është identifikuar edhe personi i pestë i dyshuar. Katër prej tyre veçse janë arrestuar, kurse për të dyshuarin e fundit njoftoi para pak çastesh policia.

“Lidhur me rastin e “dhunimit” të raportuar dje në Prishtinë, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejt dhe arrestimit të dy (2) personave të dyshuar, në vazhdimësi ka punuar me intensitet të lartë në identifikimin edhe të personave tjerë, hetimin dhe sqarimin e rrethanave të plota të këtij rasti.Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë (5) i dyshuar për përfshirje në rastin “dhunim”, thuhej në komunikatë.

Ekremi

Nacionale gjatë ditës, duke u thirrur edhe në publikimet e mediave tjera ka raportuar edhe për njërin prej të dyshuarve. Bëhet fjalë për Ekrem Rexhepin.

I dyshuari për aktin që ka tronditur vendin del se ka qenë aktiv në rrjetet sociale të Internetit, më saktësisht në platformën TikTok.

Në këtë rrjet social, ai shihet derisa me Pick-Up’in me të cilin në dosjen e Prokurorisë pretendohet të ketë kryer aktin, xhiron shumë e shumë klipe për ndjekësit e tij.

Videoja e fundit e tij është postuar dy ditë më parë, (27 gusht) ose saktësisht në kohën kur raportohet të ketë ndodhur dhunimi i dyshuar në Parkun e Lagjes Arbëria (ish-Dragodan) në Prishtinë.

“Sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës "në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij i mitur. Pastaj i pandehuri ka shkuar me (veturë) PickUp te parku në lagjen "Arbëria" në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh. S. dhe G. J. të cilët ndodhen në arrati, dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe Xh. S. ndërsa i pandehuri së bashku me G. J. dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E. R. ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç", përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Kujtojmë se Rexhepi tashmë është në paraburgim me vendim të Gjykatës, ndërsa tre persona të tjerë janë në arrati të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Rexhepi ka qenë i dyshuar edhe për vepra të tjera penale, por ishte lënë i lirë nga autoritetet.

Çka parasheh Kodi Penal i Kosovës për dhunuesit e rastit të 11-vjeçares në Prishtinë?

Për këtë rast ka folur edhe avokati, Arianit Koci i cili ka treguar se çka parasheh Kodi Penal i Kosovës.

Ai u shpreh se në rrethana të tilla siç dihen deri më tani, dënimi minimal është 15 vjet, ndërsa ai maksimal burgimi i përjetshëm.

“Monstrumëve në trajtë njerëzore iu del hakësh Kodi Penal i Kosovës. Pa e paragjykuar fajësinë, po ju tregoj që për personat mbi moshën 18 vjeçare, me rrethanat që po paraqiten në media se si është kryer vepra penale e dhunimit ndaj vajzës 11 vjeçare – dënimi minimal është 15 vjet. Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm. Thellë besoj që burgimi i përjetshëm do t’i parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave të tilla penale dhe do të shprehet fuqishëm gjykimi shoqëror për vepra të tilla penale. Këto edhe janë dy prej katër qëllimeve të dënimit.E sa për rehabilitimin e kryerësve – poashtu njëri prej qëllimeve të dënimit, të njëjtët le të rehabilitohen në burg”, ka shkruar Koci në Facebook.

ÇDO PERSON ËSHTË I PAFAJSHËM PËRDERISA MOS TË DËSHMOHET E KUNDËRTA ME VENDIM TË PLOTFUQISHËM TË ORGANEVE TË DREJTËSISË

Lajme të ngjashme