Presidentja Osmani për dhunimin e 11 vjeçares: Është përgjegjësi kolektive të përkujdesemi për fëmijët
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas lajmit për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë.
Osmani ka kërkuar hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.
“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës."
"Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar Osmani.
Tutje ajo thotë se mostrajtimi i barabartë i jetës së grave dhe i asaj të burrave, fajësimi i viktimës e jo i dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit.
"Për fat të keq, në raste të caktuara, për vite me rradhë, mostrajtimi i barabartë i jetës së grave dhe i asaj të burrave, fajësimi i viktimës e jo i dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve." - ka shtuar ajo.
"Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”, ka shkruar Osmani.